Eduard Prodani: “CEZ-i po penalizon ekipin Kombëtar”

500
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së: “FIFA mund t’i heqë licencën ndërkombëtare stadiumit kombëtar”

 

Kompania e Shpërndarjes së Energjisë në Shqipëri, e njohur shkurt me akronimin, CEZ, mund të shkaktojë një skandal të pazakontë në vendin tonë, duke i ndërprerë energjinë Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, çka do të rrezikonte zhvillimin e ndeshjes miqësore Shqipëri-Moldavi (luhet të mërkurën), të parashikuar për në orën 20:30, në një orë tjetër, duke krijuar edhe një rrëmujë ndërkombëtare në organizimin e saj, pasi për kohën e zhvillimit të takimit janë të njoftuar si FIFA, ashtu dhe Federata Moldave. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Prodani, u shpreh i shqetësuar dhe i revoltuar për situatën ireale dh e dhe raportin e vështirë të negociatave me kompaninë çeke. Në fakt, CEZ-i ka vendosur të ndërpresë furnizimin me energji stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, për arsye debie disa mujore. “Prania ime në konferencën e shtypit të trajnerit De Biazi, – tha Prodani, – nuk ishte e parashikuar, por detyrohem të dal për një shqetësim shumë të madh, që sapo na ka lindur. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” nuk ka energji elektrike dhe nuk do të ketë ditën e ndeshjes, për shkak të disa borxheve të vjetra”.

 

Zoti Eduard Prodani, kompania CEZ ka vendosur të mos e furnizojë me energji stadiumin “Qemal Stafa” gjatë ndeshjes ndërkombëtare Shqipëri-Moldavi. Cilat janë arsyet?

Ndërmarrja shtetërore, “Qendra Sportive” SH.A, së cilës ende i përket stadiumi “Qemal Stafa”, i ka disa borxhe kompanisë CEZ. Natyrisht që, kjo na shqetëson, por e konsiderova një problem të zgjidhshëm. Kam pasur takim me drejtuesit të nivelit të lartë të CEZ-it, por për çudinë time, ai më tha se energjia nuk do të jepet dhe stadiumi nuk do të ketë drita. Ky është një rast i çuditshëm, sesi një ndërmarrje shqiptare, dhe me kaq përgjegjësi të madhe publike ka kaq pak ndjeshmëri, me një çështje që ka të bëjë me imazhin e shtetit. Tani, nuk na mbetet gjë tjetër që t’i kërkojmë palës moldave të ndryshojmë orarin e ndeshjes, dhe për këtë të njoftojmë dhe FIFA-n, duke ua bërë të ditur faktin, se po ndryshojmë orarin, pasi nuk kemi drita në Shqipëri.

Sa të shqetësuar jeni nga kjo situatë?

Padyshim kjo është një situatë e tillë. Nga ana tjetër, edhe hyrja e stadiumit është bllokuar nga punimet për një projekt parkimi. Me gjithë diskutimet dhe përpjekjet që janë bërë nga ana jonë, për të gjetur zgjidhje alternative dhe vullnetin e mirë, nuk është bërë asgjë. Rrezikohet që, në momentin që do të vinë inspektorët e FIFA-s, duke parë që situata nuk ka ndryshuar, t’i heqë licencën dhe të drejtën për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare.

Zoti Prodani, kur do të kryet një inspektim i tillë?

Ai mund të bëhet në çdo moment nga FIFA. Ata nuk kanë një kalendar fiks.

Përse rrezikojmë kaq shumë?

Rrezikojmë seriozisht, pasi është bërë një premtim publik nga Bashkia e Tiranës, për të ofruar një zgjidhje alternative, por që deri tani nuk është bërë. Në fakt, edhe për ndërtimin e stadiumit të ri, vonesa është bërë për shkak të procedurave burokratike.

A mund të përsëritet ngjarja që ndodhi në ndeshjen miqësore Gramozi-Real Madrid, ku energjia mungoi për më shumë se një orë?

Po, prandaj ne po e paraqesim këtë shqetësim.

Zoti Prodani, sa është borxhi i stadiumit “Qemal Stafa” ndaj kompanisë CEZ?

Nuk e di dhe nuk më intereson. Nuk është çështje parash, për aq apo kaq miliona lekë. Çështja është parimore. Ekziston një borxh, i një shoqërie tjetër, por nuk mund të penalizohet Federata apo ekipi Kombëtar, që është imazhi i vendit. Federata mund të mbulojë shpenzimet këtej e tutje, përfshirë dhe shpenzimet e kësaj ndeshjeje, por nuk mund të marrë përsipër të likuidojë shpenzimet dhe borxhet e një ndërmarrjeje tjetër shtetërore. Unë nuk e di se, çfarë mund të ndodhë në rastin e një spitali, kur ai nuk paguan energjinë. Gjithsesi, shpresoj shumë se, me këtë sensibilizim publik, të ndikojmë për mirë te personat që kanë në dorë një vendimmarrje të tillë. Ishte një surprizë e keqe përgjigja negative, që m’u dha nga përfaqësuesi i lartë i CEZ-it.

A ka borxhe Federata Shqiptare e Futbollit ndaj shoqërisë që administron stadiumin?

Marrëveshja jonë me stadiumin është diçka tjetër dhe nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes së konfliktit midis CEZ-it dhe shoqërisë, që administron stadiumin. Dua t’iu informoj edhe një fakt se, Federata kanë vendosur tani roje për të ruajtur kabinën elektrike, pasi duke mos pasur ende pronësinë e stadiumit, mund të ndodhin gjëra të pariparueshme.

Çfarë masash mund të ndërmarrë FSHF-ja, si organizatore e ndeshjes me Moldavinë?

Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë. Ne kemi marrë masat për vendosjen e një gjeneratori, por gjithmonë duhen dy burime alternative. Rregullat e FIFA-s e pengojnë zhvillimin e ndeshjes kur është vetëm një burim. Ndeshja kundër Moldavisë, vërtet është miqësore, por rregullat janë të qarta.

A janë në dijeni të këtij problemi instancat shtetërore?

Po. Ne i kemi njoftuar autoritet shtetërore, javën e kaluar, por ne nuk do ta merrnim me mend, që çështja të ishte në këtë nivel. Në fakt, ka një vendim qeverie, 154 në mos gaboj që, ka të bëjë me rastin kur ndërmarrjet shtetërore kanë borxhe ndaj CEZ-it dhe rregullon çështjen në parim, në lidhjet me borxhet që kanë ndërmarrjet. Ky vendim mund të aplikohej farë mirë në këtë rast, por vura re mungesë vullneti.