Edmond Kapllani vulos kualifikimin e Frankfurtit

449
Sigal

Sulmuesi shqiptar shënoi në minutën e 117-të golin e 3-1 kundër Optik Ratenovit në Kupën e Gjermanisë

 Edmond Kapllani tregoi klasin e tij në kualifikimin e FSV Frankfurtit për në raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë, me sulmuesin durrsak që realizoi golin e 3-1 në minutën e 117-të në fitoren kundër Optik Ratenovit, skuadër e Regionalligës gjermane. Edhe pse u duk se do të ishte shumë i thjeshtë kalimi i turit ndaj një skuadre të nivelit të katërt të futbollit gjerman, u deshën 120 minuta në stadiumin “Fogelsgang”, pasi koha e rregullt përfundoi 1-1. Trajneri Bruno Mëhleman hodhi një formacion sulmues kundër modestëve të Ratenovit, me ish-lojtarin e Kombëtares shqiptare nga minuta e parë. Goli e parë të takimi te shënoi FSV Frankfurti i Bundesligës 2 me anë të australianit Leki (21’), por turku Hasan Çankaja barazoi shifrat në minutën e 62-të. Ndeshja shkoi në shtesa, pasi formula e Kupës së Gjermanisënë raundet e para është me një takim. Kapllani pati disa raste të mira për gol, por pa mundur të shënojë gjatë kohës së rregullt. Në minutën e 113-të Leki shënoi golin e 2-1 dhe të dytin personal, ndërsa tri minuta më pas, Kapllani realizoi golin që vulosi rezultatin 3-1. Zëvendësuesi Kauko e nxori të lirë Kapllani para portës, i cili nuk e pati të vështirë të mposhtëte portierin kundërshtar Begzadiç. Në këtë ndeshje, nga minuta e 71-të u aktivizua mesfushori i Kombëtares sonë, Odise Roshi, i cili mund të shënonte me një gjuajtje me kokë në minutën e 101-të, por Çankaja e bllokoi sferën thuajse mbi vijën e portës. Gjithsesi, FSV Frankfurti i dy shqiptarëve, që nuk ka mundur të marrë asnjë pikë gjatë dy ndeshjeve të para në Bundesligën 2, tashmë e sheh veten të kualifikuar për në raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë.

   Kalojnë edhe Mavraj me Azemin

 Grojther Fyrth fitoi 2-0 në transfertën me Pfeddershajmin (skuadër e Oberligës, kategoria e pestë), duke siguruar kualifikimin për në raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë (luhet me një takim). Trajneri i Grojther Furthit, Tom Kramer, kishte hedhur një formacion të dorës së dytë. Mbrojtësi Mërgim Mavraj nuk luajti, ndërkohë që sulmuesi Ilir Azemi, që të dy të ekipit të parë, hyri në lojë në minutën e 87-të. Golat u shënuan nga Korcsmar (32’) dhe Djurdiç (84’).

  Hyka fiton duelin me Bashën

  Jahmir Hyka fiton sfidën me Vullnet Bashën në kampionatin zviceran. Lucerni fitoi 1-0 me Sionin, falë një goli të mesfushorit australian Oliver Bozanoviç në minutën e 83-të. Tiranasi Hyka hyri në lojë në minutën e 69-të (në vend të Lezkanos), ndërsa Vullneti – i thirrur nga Xhani De Biazi për ndeshjen kundër Norvegjisë – luajti gjatë gjithë takimit. Për Lucernin kjo ishte fitorja e tretë në katër ndeshjet e para të

Superligës zvicerane.

 Barazon Jiangsu i Hamdi Salihit

 Jiangsy Sainty i Hamdi Salihit barazoi 3-3 në transfertë me Bejzhing Guoan, por arriti të kryesoje 2-3 deri në minutën e 73-të. Takimi ishte i vlefshëm për javën e 19-të të kampionatit kinez. Për ekipin e sulmuesit shqiptar golat mbajnë firmat e Vu Xi, Krimets (autogol) dhe Sun Ke. Pas 19 ndeshjeve, Jiangsy mban vendin e 10-të në renditje me 20 pikë. Kampionati kryesohet nga Guanzhou Evergrande me 51 pikë, skuadër që drejtohet nga italiani i famshëm Marçelo Lipi. Salihi ka shënuar deri tani tetë gola, duke qenë realizuesi i tetë më i mirë në kampionatin kinez, por ai është golashënuesi më i mirë i ekipit të tij.

 Plaku “hesht” kundër Vislës

 Slask Vroklav i Sebino Plakut barazoi pa gola kundër Visla Krakovës, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të kampionatit polak. Sulmuesi shqiptar, i cili të enjten shënoi një supergol në Ligën e Europës në fitoren 1-0 kundër belgëve të Bryzhit luajti si zëvendësues nga minuta e 86-të. Po në kampionatin polak, sot do të luajë Jagiellienia e Bekim Balajt kundër Lechia Gdanskut. Sulmuesi shkodran ka shënuar dy gola në dy ndeshjet e para, rrjeta që i kanë dhënë fitoren skuadrës së tij. Balaj është në superformë, por ende nuk e ka kondicionin e duhur fizik për të luajtur nëntëdhjetë minuta të plota.

 Komplikohet rebusi “Berisha”

 Etrit Berisha po kthehet në një çështje vërtetë të komplikuar. Pak ditë më parë, Kievo zyrtarizoi marrëveshjen me portierin e kombëtares shqiptare, por publikimi i lajmit ngjalli një valë të gjatë reagimesh edhe nga vetë lojtari dhe stafi i tij që hodhën poshtë. Nga ana tjetër, drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare konfirmon se gardiani kuqezi do të bashkohet me skuadrën kryeqytetase, ndërsa në lojë hyn edhe klubi i Kalmarit që konfirmon largimin e portierit 24-vjeçar. Drejtori sportiv i Kalmarit, Svante Samuelsson siguron se Berisha nuk do të jetë më pjesë e kësaj skuadre pas muajit janar 2014. “Nuk kemi marrëveshje me asnjë klub për ta lenë të lirë lojtarin gjatë verës. E sigurt është që Berisha do të luajë për një klub tjetër gjatë sezonit të ardhshëm pasi ka shumë kërkesa dhe një vendim do ta marrë vetë lojtari gjatë vjeshtës”, – tha ai. Por nuk janë vetëm Kievo e Lacio që kërkojnë me ngulm shërbimet e portierit shqiptar sepse pak ditë më parë Monako dërgoi emisarë në Suedi për ta ndjekur nga afër, ndërsa vetë Xhenoa kërkon të hyjë në valle nëse Lacio nuk vendos t’i shesë portierin e dytë, Albano Bizarri.

 Ernest Gjoka vazhdon aventurën me Flamurtarin

 Ernest Gjoka do të vazhdojë të jetë në krye të bankinës së Flamurtarit. Burime nga kampi kuqezi pohuan se, tekniku tiranas, i cili zëvendësoi në janarin e këtij viti spanjollin Hulian Rubio ka marrë votëbesimin për të përgatitur skuadrën për sezonin e ri 2013-2014. Flamurtari do të paraqitet me një ekip tërësisht vendas, kjo edhe në optikën e re të klubit. Gjoka bëri një punë të shkëlqyer me Flamurtarin gjatë gjysmë së sezonit të kaluar, pavarësisht se nuk mundi ta çojë ekipin në Europë, qoftë përmes kampionatit ashtu dhe Kupës së Shqipërisë.

 Ibra: “E nisëm me trofe”

 Paris Saint Zhermeni siguroi trofeun e parë sezonal teksa mposhti 2-1 Bordo në Superkupën e Francës. Kampionët e Ligës së Parë e panë vetën në vështirësi pasi deri 9 minuta para përfundimit të kohës së rregullit ndodheshin në dizavantazh të një goli që u shënua në minutën e 38 nga Henri Seve. Në të 81-tën parizienët barazuan me Ongenda, ndërsa kur pritej vërshëllima e gjyqtarit për përfundimin e kohës së rregullt Aleks realizoi me kokë golin e fitores. Në përfundim të kësaj sfide, ku mungoi Edison Kavani, Zllatan Ibrhimovic u shpreh se Paris Saint Zhermen është një skuadër shumë e fortë. “Ky ishte trofeu i parë i sezonit dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë sukses. Ndoshta nuk zhvilluam një ndeshje të madhe, por fituan. Kjo është më e rëndësishmja. Jemi një skuadër e fortë që ka në përbërje futbollistë fantastikë. Thjesht duhet të stërvitemi fort si skuadër për të fituar në çdo ndeshje. Besoj vërtet që jemi shumë të fortë”. Më pas suedezi komentoi paraqitjen e tij, ku ra në sy forma jo shumë e mirë fizike. “Sa i përket formës time fizike mund të them se kan nevojë të luajë sa më shumë. Kjo ishte ndeshja ime e tretë dhe është normale që të mos jem në kondicionin e duhur fizik. Sa më shumë të luaj, më në formë do të jem”. Kampionati francez nis të premten.