Edmond Gezdari: Skënderbeu e ka “vrarë” Kampionatin, të tjerat nuk i kanë synimet të sigurta

674
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Ja si e përshkruan situatën e skuadrave në Superiore, specialisti i futbollit, dy ekstremet e renditjes i quan të palëvizshëm
Si është ndjekshmëria juaj për situatën e skuadrave në Kategorinë Superiore gjatë kësaj periudhe pushimi zyrtar?
Natyrisht që i kam ndjekur, madje në të gjithë ritmikën e tyre, por më shumë na tërheqin ndeshjet miqësore që kanë zhvilluar këto skuadra, si në Antalia, ashtu edhe ato që po përgatiten këtu në Shqipëri. Kukësi ka bërë hapa pozitivë në miqësore, e më pak Skënderbeu, ndërsa Partizani e ka ricikluar skuadrën. Flamurtari ka ruajtur boshtin, të tjerat janë në situata më pak interesante.

Janë luajtur 16 javë, si do t’i përshkruani ato në këndvështrimin e specialistit të futbollit?
Them se Skënderbeu e ka “vrarë” Kampionatin, e realisht duket se nuk do të ketë kundërshtarë për Titullin Kampion. Pas tij do të jenë Flamurtari, Kukësi e Partizani, por që nuk do ta rrezikojnë skuadrën korçare. Lufta e tyre do të jetë vetëm për vendin e dytë në renditje.

Në këto 16 javë, janë krijuar grupet në renditje: Kreu-mesi-fundi?
Unë i qëndroj idesë sime, se kreu është i përcaktuar, ashtu edhe skuadra e fundit. Këto le të themi se janë një grupim i përcaktuar, ndërsa për skuadrën e vendit të dytë në renditje, do të jenë tre skuadra në lojë, ndërsa për skuadrën që do të zbresë në Kategorinë e Parë së bashku me Lushnjen, janë tre-katër në valle.

Mendoni se Skënderbeu mundet edhe të rrezikojë kreun e renditjes gjatë 20 javëve që do të luhen? 
Nuk mendoj të ndodhë ndonjë çudi në 20 javët e tjera, sepse Skënderbeun e shikoj si një skuadër kompetitive që në startin e këtij sezoni. Unë them se skuadrat e tjera nuk duhet të gabojnë në këto javë që do të luhen, sepse me pozicionet që kanë në renditje, nuk janë shumë të sigurta në synimet e tyre.

Te skuadrat që luajnë në turet e Kupës së Shqipërisë, do të ketë ndikim për formën e tyre në kampionat?
Nuk besoj. Vetëm në Shqipëri deklarohet se ndeshjet në mesjavë të lodhin fizikisht. Jo, përkundrazi, futbollistët në Superiore kanë më shumë nevojë të luajnë e të dalin para tifozëve, dhe të bëjnë më pak përgatitje, sidomos në uljen e ngarkesave fizike. 

Të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore kanë rreth dy javë që përgatiten, bëjnë merkato dhe luajnë miqësore, po kjo është ngarkesë në këtë periudhë?
Edhe kjo nuk është ngarkesë, madje është një periudhë normale që vetëm me këta tregues mund të harmonizohet: Përgatitje-Merkato-Miqësore. Por, problem do të jetë sa sa do të adaptohen të rinjtë me lojën e skuadrave, kryesisht në ndeshjet e kampionatit që rinisin pas 10 ditëve.

Nisur nga këto përgatitje, si e mendoni ecurinë e Superiores në 20 javët që do të luhen?
Personalisht mendoj se Skënderbeu do të vazhdojë të kryesojë renditjen e Kategorisë Superiore. Mund të ketë ndonjë luhatje gjatë këtyre 20 ndeshjeve, por nuk do ta cenojnë kreun. Partizanin dhe Kukësin i shoh se do të bëjnë hapa përpara, e pas tyre do të jetë Flamurtari.

Çfarë do tu sugjeroni trajnerëve të Superiores për këto dy javë të mbetura deri në rifillimin e Kampionatit?
Unë jam vetë trajner, dhe e kam të vështirë që të jap receta për kolegët e mi. Por, po të isha unë në krye të një skuadre në këtë periudhë, do të kujdesesha që të mos ndryshoja shumë, ndërsa do t’i jepja prioritet ruajtjes së gjendjes fizike dhe harmonizimit në lojë.

Një Superiore pa Tiranën, si një ish-futbollist i saj, çfarë tregon më së shumti ky realitet sot?
Besoj se njerëzit duhet të mësohen edhe me të tilla situata, sikundër edhe me emra të skuadrave të tjera apo edhe të futbollistëve që nuk luajnë e nuk jetojnë. Tirana duhet t’i mësojë tifozët e saj se është skuadër superiore, edhe pse aty në Kategorinë e Parë, duket se në standardet e Superiores po tregohet.
Nuk mendoj të ndodhë ndonjë çudi në 20 javët e tjera, sepse Skënderbeun e shikoj si një skuadër kompetitive që në startin e këtij sezoni. Unë them se skuadrat e tjera nuk duhet të gabojnë në këto 20 javë që do të luhen, sepse me pozicionet që kanë në renditje, nuk janë shumë të sigurta në synimet e tyre
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 17-të
Datë 27 janar 2018 
Kamza-Laçi
Flamurtari-Partizani
Vllaznia-Kukësi
Luftëtari-Skënderbeu 
Teuta-Lushnja

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8
Sigal