Edi Martini: Jemi në periudhë “karantine”, ndaj është situatë normale për skuadrat tona të elitës

137
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti dhe trajneri i Vllaznisë, “skanon” 16 javët e luajtura në Superiore dhe gjendjen e merkatos
Në këndvështrimin e një specialisti futbolli, si i përshkruani 16 javët e luajtura në Kategorinë Superiore?
Janë zhvilluar 16 javë normale, ku veç Skënderbeut që kryeson me bindshëm, dhe Lushnjes që mbyll tabelën e renditjes, të gjitha skuadrat e tjera e meritojnë renditje. Laçi, Kamza, Partizani dhe Teuta kanë bërë lëvizje në klasifikim, të tjerat nuk kanë pasur ndryshime.

Sa kanë ndryshuar skuadrat e Superiores sot, në raport me gjysmën e parë të sezonit të kaluar 2016-2017?
Pothuajse është e njëjta situatë, se pak a shumë, skuadrat në këto nivele kanë qenë. Kukësi kryesonte renditjen, tashmë është Skënderbeu në krye, Korabi e mbyllte renditjen, sot është Lushnja e fundit. Përjashtim bën Skënderbeu, i cili bën dukshëm diferencën me skuadrat e tjera, në menaxhim, kompletim e lojë.

Janë shprehur plotësisht të gjitha skuadrat në 16 javët e luajtura?
Mendoj se ato janë në pozicione, ku i kanë vlerat reale të tyre. Për Skënderbeun fola më sipër, Kukësi si kampion në fuqi do ende kohë të konsolidohet, dhe ka shumë nevojë ta rinovojë ekipin. Flamurtari duket skuadër e stabilizuar, ndërsa Laçi me të rinjtë po bën maksimumin, Kamza në këto 16 javë ka bërë surprizën. 

Po skuadrat që kërkojnë mesin e renditjes, si janë shfaqur në këtë pjesë të parë të sezonit?
Luftëtari ka ndryshim cilësor pas vendosjes së Hasan Likës në bankinë, ndërsa Vllaznia ka treguar shumë oshilacione. Me përforcimet që ka marrë gjatë janarit, besoj se skuadra shkodrane do të ketë ngritje, pse jo edhe një vend në zonën e Evropës.

Kampionati i Superiores, zyrtarisht është ndërprerë për rreth 40 ditë, mund të ishte më e shkurtër kjo hapësirë?
Ndoshta mund të ishte edhe më e shkurtër si hapësirë zyrtare e ndërprerë, por edhe kështu, është domosdoshmëri për skuadrat. Sepse krahas përgatitjeve, zhvillohet merkato e luhen ndeshje miqësore, dhe këtu trajnerët e kanë mundësinë që ta formatojnë e konsolidojnë më mirë skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit.

Disa nga skuadrat e Superiores kanë shtegtuar për fazën përgatitore dimërore jashtë, mundet që atë ta zhvillonin këtu në Shqipëri?
Është më mirë që kjo periudhë zhvillohet jashtë Shqipërisë, e këtë së pari do të thosha se e bëjnë skuadrat që kanë buxhete të larta. Në Turqi, kushtet klimaterike dhe ato infrastrukturore janë shumë më të mira se sa tek ne, mandej aty është mundësia e ndeshjeve miqësore me skuadra të huaja, të cilat edhe ato përgatiten aty në këtë stinë dimri.

Krijohet ngarkesë e madhe fizike e psikologjike gjatë këtyre përgatitjeve në Turqi?
Nëse e keni fjalën për stërvitjen, merkaton e miqësoret, unë them se koha nuk është shumë e gjatë për të marrë mbingarkesa. Çdo trajner e ka të qartë programin, dhe atë e gërsheton me të gjithë elementët në këtë periudhë dimërore.

Formula aktuale e Superiores me 10 skuadra, është më e mira e mundshme, apo duhet ndryshim?
Me 10 skuadra, siç është aktualisht Superiorja, unë mendoj se ekipet kanë forcë të ballafaqohen katër herë mes tyre. Kjo formulë i mat forcat reale, ndërsa po të kishte më shumë skuadra, do të ishte punë fati në të dy ekstremet e renditjes.

Kjo periudhë e fushatës për zgjedhjet e Presidentit të FSHF-së, ndikon në psikologjinë e drejtuesve, trajnerëve apo të lojtarëve?
Nuk ka pse të ketë ndikim. Presidentët e skuadrave duhet të jenë të qetë në këtë drejtim, aq më shumë trajnerët dhe futbollistët. Përkundër interesave apo orientimit të votës, besoj se është një proces jashtë fushës së lojës, pa ndikim te çdo skuadër.
Janë zhvilluar 16 javë normale, ku veç Skënderbeut që kryeson me bindshëm, dhe Lushnjes që mbyll tabelën e renditjes, të gjitha skuadrat e tjera e meritojnë renditje. Laçi, Kamza, Partizani dhe Teuta kanë bërë lëvizje në klasifikim, të tjerat nuk kanë pasur ndryshime
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 17-të
Datë 27 janar 2018 
Kamza-Laçi
Flamurtari-Partizani
Vllaznia-Kukësi
Luftëtari-Skënderbeu 
Teuta-Lushnja

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skëndeërbeu16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8
MIQËSORE DJE
Katër humbje me skuadra turke, Skënderbeu rival me Bashiktashin
Gjatë ditës së djeshme, skuadrat e Kategorisë Superiore që zhvillojnë përgatitjet e tyre në Antalia të Turqisë, kanë luajtur edhe ndeshje miqësore. Në mesditë, këto miqësore i ka nisur Flamurtari, i cili ka humbur minimalisht 0-1 me Erzurumspor. Pas tij ishte radha e Partizanit, i cili në rezultat duket sikur e kopjoi Flamurtarin, pasi në përballjen me Kasimpasha, ka humbur në ekstremin e ndeshjes. Ndërsa Kamza luajti miqësoren e dytë, ku dje kishte përballë me Alaniasporin, kundërshtar i nivelit të lartë. Skuadra turke fitoi minimalisht 1-0 me gol të Sakej në minutën e 33-të. E fundit ishte skuadra e Skënderbeut, e cila pjesën e parë me Beshiktashin e mbylli në barazim 1-1, duke dhënë idenë se një rezultat i tillë mund të ishte edhe ai final. Por turqit ishin më të qartë në fazën sulmuese, dhe me dopietën e Pektemek dhe golin e Negredos, arritën fitoren, ndërsa për Skënderbeun shënoi Soue në pjesën e parë, dhe në fundin e ndeshjes, Sabjen Lilaj shkurtoi diferencën me penallti.
REZULTATET
Erzurumspor-Flamurtari 1-0
Shënues: Osman Shanin 81’
Kasimpasha-Partizani 1-0
Shënues: Trazegeut 89’ 
Alaniaspor-Kamza 1-0
Shënues: Sakej 33’
Beshiktash-Skënderbeu 3-2
Shënues: Pektemek 16’, 52’, 
Negredo 62’/ Soue 17’, 
S. Lilaj 89’ (p)