Edhe futbolli shqiptar mund të përfitojë 20 milionë euro

709
Nga Agron KAJA
UEFA/ Në Bratislavë të Sllovakisë po zhvillohet Kongresi i 42-të, miratimi i vendimeve të KE me rritje të buxheteve dhe të ardhurave
Në punimet e Kongresit të 42-të të UEFA-s, mbajtur në Bratislavë të Sllovakisë, ka qenë prezent edhe një delegacion i FSHF-së: Presidenti Armand Duka, zëvendëspresidenti Edvin Libohova i dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku. Në këtë Kongres, anëtarët e UEFA-s kanë aprovuar bilancin financiar të vitit 2016-2017, dhe më pas kanë miratuar buxhetin e ri për periudhën 2018-2019 nga ana e UEFA-s. Për të nxitur investimet nga ana e Federatave të ndryshme, UEFA ka vendosur në këtë Kongres që të risë të ardhurat për shtetet të cilat kryejnë investime të mëdha në futbollin vendas. Projekti i quajtur “HatTrick 5” ka në dispozicion rreth 14.1 milionë euro për 4 vite, sa i përket Federatave të cilat kryejnë investime në futbollin vendas. Gjithashtu, një rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe të ardhurat për mbërritjen në fazën finale të Evropianit “Euro 2020”, ku për të gjitha ekipet pjesëmarrëse të grupeve do të shpërndahen rreth 9.25 milionë euro. Në ndeshjet e fazës finale do të ketë edhe bonuse, kudo të përfitohet 1.5 milionë euro pas çdo fitore, dhe 750 mijë euro pas çdo barazimi. Duke marrë në konsideratë pjesëmarrjen e Shqipërisë në Evropianin e ardhshëm dhe ndërtimin e Arenës Kombëtare, kjo do t’i sillte FSHF-së mbi 20 milionë të ardhura. Gjithsesi, Kongresi dje e ka vlerësuar numrin 4 të zëvendësimeve në një ndeshje, në interes të shëndetit të lojtarëve. Sipas gazetës spanjolle “Marca”, shëndeti i lojtarëve është bërë problem, për shkak të numrit të lartë të ndeshjeve, dhe një zgjidhje është që të bëhet edhe një ndërrim i katërt në një ndeshje, jo vetëm tre. Ndërkohë, Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, ka hedhur idenë se VAR-i (teknologjia në fushë) nuk do të jetë në Ligën e Kampioneve për sezonin e ri, pasi sipas tij, krijon konfuzion. “Askush nuk e di ekzaktësisht si funksionon. Ka ende shumë konfuzion”, kështu e ka komentuar presidenti i UEFA-s, për çështjen e teknologjisë në fushë, ndërsa ka kërkuar më shumë siguri për vlerat reale të teknologjisë, duke lënë të hapura zgjedhjet për të ardhmen e kompeticionit më të madh evropian. Sipas tij, Kupa e Botës do të jetë e rëndësishme në këtë aspekt: “Unë nuk jam kundër, por është e nevojshme të shpjegohet më mirë kur duhet përdorur. Të shohim çfarë do të ndodhë në Kupën e Botës. Do të luftoj fort për të stabilizuar një farë ekuilibri. Dhe dua të jem sa më realist”, ka thënë presidenti i UEFA-s në Kongresin e Bratislavës, atje ku prezantoi edhe rezultatet e ndryshme pozitive të UEFA-s në kohët e fundit. Reformat e qeverisjes së mirë i kanë dhënë trupit stabilitet thelbësor; palët kyçe të futbollit evropian, si klubet dhe ligat u janë dhënë role të zgjeruara në procesin e vendimmarrjes; dhe dialogu me autoritetet politike evropiane mbeti i frytshëm dhe i shëndetshëm. “Le të guxojmë të synojmë nisma të larta, nisma që vazhdojnë të fusin shpresë dhe ta bëjnë futbollin evropian aq të madh sa mund të jetë”, deklaroi dje Presidenti i UEFA-s, duke theksuar se, në një botë gjithnjë në ndryshim, futbolli i sotëm po përballet me konkurrencë nga sportet dhe aktivitetet e tjera që kapin imagjinatën e gjeneratës së ardhshme. “Shumë njerëz e konsiderojnë UEFA-n një model në mesin e organizatave sportive në Evropë. Ne e udhëheqim rrugën, por kjo nuk është një arsye për të pushuar në dafinat tona, por ne duhet të synojmë më lart”. 
Janë regjistruar 775.5 milionë euro për shoqatat anëtare të UEFA-s nëpërmjet projektit “HatTrick 5”, një rekord ky për “Euro 2020”, dhe grante rekord për zhvillimin e lojës në Evropë. Çmimi i parave për “Euro 2020” dhe grantet rekord për zhvillimin e lojës në Evropë u njoftuan në Kongresin e zakonshëm të 42-të të UEFA-s dje në Bratislavë
Sigal