Edgar Çani: Te Partizani, do të shënoj gola në shërbim të skuadrës

557
Nga Agron KAJA
KUPA E SHQIPËRISË/ Flet për gazetën “Telegraf”: Blerja më e shtrenjtë e Kategorisë Superiore, premton më shumë rrjeta
Dje luajtët ndeshjen e parë zyrtare me Partizanin, si u ndjetë?
Mendoj se për aq minuta sa u aktivizova, luajta mirë. Por gjithsesi, këtë e di më mirë stafi teknik. Si ndeshja e parë zyrtare me fanellën e Partizanit, ishte emocionuese, edhe pse luajtëm ndaj Naftëtarit, që ka një histori të mirë në futbollin shqiptar, ndërsa aktualisht luan në Kategori të Parë.

Fakti që e nise me gol këtë premierë zyrtare, ka rëndësi për ju?
Natyrisht që ka, sepse të shënosh, do të thotë se e ke bërë detyrën si sulmues. Ishte vetëm një gol, por për mua ky do të mbahet mend si i pari zyrtar në karrierën time këtu më Partizanin.

Keni deklaruar ditë më parë, se do të shënoni shumë gola, dyshifrorë, e nisët që këtu në Kuçovë?
Pse jo, edhe ky gol ishte, madje erdhi pasi kisha pak minuta që kisha hyrë në lojë si zëvendësues. Është një edicion i gjatë, dhe shënimi i golave do të jetë detyra e dytë, pas primares, rezultatit të skuadrës. Golat e mi do të jenë gjithmonë në shërbim të Partizanit, për këtë kam ardhur te kjo skuadër e madhe e futbollit shqiptar.

E garanton këtë synim e gjithë skuadra e Partizanit
Po, sepse aktualisht Partizani ka një përbërje me lojtarë shumë të mirë, por akoma nuk e kanë kapur formën e tyre më të mirë. Kështu edhe unë, ende nuk jam në më të mirën time, besoj shumë shpejt.

Rezultati në Kupë ndaj Naftëtarit, e bën të harrohet humbja me Laçin?
Të dyja ndeshjet kanë specifikat e tyre. Me Laçin humbëm në Kampionat, dhe rëndësia është më e madhe se sa fitorja me Naftëtarin në Kupë. Gjithsesi, duke i marrë ndeshjet me radhë, le të themi se nga kjo ndeshje e Kupës e largojmë “hijen” e humbjes me Laçin.

Në fundjavë luani një sfidë të vështirë me Kukësin Kampioni aktual, ndjeheni i gatshëm ti shërbeni Partizanit?
Unë them se jam i gatshëm që ti shërbej skuadrës për ta fituar atë ndeshje. Këtë e dinë trajnerët, por do të thosha se Partizani ka shumë lojtarë cilësorë, të cilët do të dinë ta bëjnë diferencën me Kukësin, dhe në vazhdimësi deri në fund.

Që do të thotë se me Kukësin kërkoni fitoren, e mandej pretendoni titullin kampion?
Natyrisht që kështu është, sepse Partizani është skuadër e madhe dhe të tilla synime janë më se normale. Por e ritheksoj edhe një herë, se kjo është një skuadër e mirë, e denjë për të kërkuar të gjitha trofetë e këtij sezoni.
Me Laçin humbëm në Kampionat, dhe rëndësia është më e madhe se sa fitorja me Naftëtarin në Kupë. Gjithsesi, duke i marrë ndeshjet me radhë, le të themi se nga kjo ndeshje e Kupës e largojmë “hijen” e humbjes me Laçin, tani mendojmë për sfidën me Kukësin
KUPA E SHQIPËRISË
Forcat e rendit braktisin ndeshjen në Çorovodë, humbasin të mëdhatë
Ndoshta duhet filluar që në krye të këtyre radhëve, me faktin e rëndë, se forcat e rendit braktisin ndeshjet apo paraqiten me vonesë, duke u bërë kështu “e zeza” e ndeshjeve të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Kështu ndodhi në Çorovodë, ku Tomori luante ndaj Bylisit, pasi në minutën e 65-të loja u ndërpre, pasi ishin larguar forcat e rendit nga stadiumi. Ky është një kusht themelor për një ndeshje futbolli në Shqipëri, dhe në bazë të marrëveshjes që ka FSHF-ja me Policinë shqiptare, kjo është braktisje e detyrës së tyre si ushtarakë. Me shumë mundësi, ndeshja do t’i jepet në tavolinë Bylisit me rezultatin 0-3, ndërkohë që probleme me prezencën e forcave të rendit kishte edhe në Kavajë, në ndeshjen Besa-Tirana. Ky takim filloi 15 minuta me vonesë, vetëm pasi klubi kavajas siguroi prezencën e policisë private në stadium. Më keq nuk ka se si ta fillonte “policia që duam”, sepse sporti, e në veçanti futbolli, e kanë domosdoshmëri prezencën e tyre në fusha e stadiume. Gjithsesi, në ndeshjet e tjera, tërheq vëmendjen i pari Laçi, i cili fiton në transfertën librazhdase 12-0, duke hapur një “guinness” shqiptar me këtë rezultat. Këtë rezultat “tenistik” e kishte shënuar më parë Skënderbeu, i cili e luajti ndeshjen me Mamurrasin në datën 6 shtator, dhe e fitoi me rezultatin e thellë 8-0. Skuadrat e Kategorisë Superiore, si Kukësi dhe Teuta, e nisën me humbje minimale këtë tur të Kupës së Shqipërisë, duke menduar se pas dy javës do ta kthejnë rezultatin në favorin e tyre. Tirana, Kamza, Luftëtari dhe Flamurtari i kanë fituar pastër transfertat e ndeshjeve të para, ndërkohë që Vllaznia në Krujë dhe Lushnja në Fier u ndanë të barabartë. Pas dy javësh luhen ndeshjet e dyta eliminatore të këtij turi të Kupës së Shqipërisë.
Ndodhi në Çorovodë
“Policia që duam”, braktis ndeshjen e Kupës Tomori-Bylis
Ndeshja e parë e turit të parë të Kupës së Shqipërisë mes Tomorit dhe Bylisit, e zhvilluar dje në stadiumin e qytetit të Çorovodës, është shndërruar në një braktisje të fushës nga forcat e rendit. Largimi i tyre nga stadiumi në minutën e 65-të, ishte largimi i dytë, duke mos treguar korrektesë e disiplinë ushtarake në detyrë. Madje që në fillim, ndeshja nisi me vonesë për mosparaqitje të tyre në kohë në stadium, kështu edhe pjesa e dytë. Por finalja e “policisë që duam”, ishte në minutën e 65-të që e braktisën stadiumin, e sipas rregullores, ndeshja ndërpritet. Tomori si skuadër pritëse, penalizohet për masa jo të plota të sigurisë në stadium.
Grupi A/ Ndeshjet dje
Egnatia-Kukësi 1-0
Tërbuni-Teuta 1-0
Kastrioti-Vllaznia 0-0
Besa-Tirana 1-2
Iliria-Kamza 0-2
Shënkolli-Besëlidhja 0-2
Burreli-Erzeni 2-1
Luajtur më 6 shtator 2017
Mamurrasi-Skënderbe 0-8
Grupi B/ Ndeshjet dje
Naftëtari-Partizani 2-6
Elbasani-Luftëtari 0-3
Sopoti-Laçi 0-12
Dinamo-Flamurtari 0-2
Turbina-Korabi 3-2
Apolonia-Lushnja 1-1
Tomori-Bylis (U ndëpre)
Shkumbini-Pogradeci 0-2
Sigal