E rrahu fatorinoja i autobusit, vdes pas dy javësh në spital 49 vjeçari nga Lushnja

665
Një 49-vjeçar nga Lushnja ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës ku qëndroi dy javë në terapi intensive, pasi ishte rrahur brutalisht nga fatorinoja i autobusit Athinë–Tiranë.
Viktima është Bardhyl Hasanaj, i cili nuk ka arritur të mbijetojë, për shkak të goditjeve të forta në kokë. Spitali i TraumesBurime nga Policia thanë dje se Bardhyl Hasanaj, nga Lushnja, para dy javësh, u godit nga një tjetër shtetas, banor i Sarandës, i cili ishte fatorino në autobus. Më 13 nëntor, viktima kishte dalë në rrugë dhe po priste makinat e rastit për të udhëtuar në drejtim të Tiranës.
Kur autobusi i parë ka ndaluar për të zbritur disa pasagjerë, 49-vjeçari ka dashur të hipë, por është penguar nga fatorinoja. Burimet tregojnë se sherri mes tyre ka nisur pasi 49- vjeçari, në gjendje të dehur, kishte dalë te rrethrrotullimi i Çermës për të udhëtuar drejt Tiranës. Duke qenë se aty ka ndaluar një autobus, 49-vjeçari ka vrapuar të hipë, por është penguar nga fatorinoja me inicialet A.C., banues në Lukovë të Sarandës. Ky i fundit e ka sqaruar pasagjerin se autobusi bënte linjën direkte Athinë-Tiranë dhe se nuk i lejohej të merrte pasagjerë të tjerë rrugës.
Por Hasanaj ka këmbëngulur duke kërkuar me insistim të udhëtojë me atë autobus pasi nxitonte për në kryeqytet. Ai e ka fyer fatorinon dhe të dy janë përfshirë në një sherr derisa 39- vjeçari A.C. e ka goditur me një grusht në kokë duke i shkaktuar marrje mendsh dhe 49-vjeçari është rrezuar në tokë. Pas ngjarjes, autobusi është nisur drejt Tiranës, ndërsa Bardhyl Hasanaj ka kërkuar ndihmë te kalimtarët e tjerë që ishin në stacion. Ai është shoqëruar për në spitalin e Lushnjës më datë 13 nëntor dhe pasi ka shfaqur simptoma të rënda, është nisur për në Tiranë. Goditja ka qenë fatale për të pasi pas dy javësh ai ka humbur jetën në Spitalin e Traumës.
Ndërkohë, Policia tha se ditën kur ndodhi incidenti, është ndaluar dhe vënë në pranga autori i dyshuar i ngjarjes. Ai fillimisht është arrestuar me akuzën “plagosje e lehtë” nga pakujdesia, por me gjasë akuza e ngritur ndaj tij do të ndryshojë, duke qenë se personi që goditi, ndërroi jetë për shkak të traumës që i kishte shkaktuar.
Sigal