Sigal

Disa ditë më parë futbollisti i kombëtares sonë, Mërgim Mavraj, hodhi akuza të forta ndaj trajnerit të skuadrës së Hamburgut në Gjermani, Kristian Tic, teksa e quante një njeri të pavlerë.

Pas kësaj, ndonëse me disa ditë vonesë, ka reaguar vetë tekniku Tic, i cili shprehet për mediet se nuk është i zhgënjyer apo mërzitur nga ajo deklaratë, por do të kishte dashur që t’ia thoshte me zë.

“Nuk jam i zhgënjyer apo i mërzitur nga deklarata e Mavrajt. Mund ta kuptoj që për një djalë si ai diçka e tillë mund të duket edhe një çështje nderi, por mendoj se ishte fare e drejtë që t’ia shpjegonim sy për sy se nuk kishim më nevojë për shërbimet e tij. Kjo dalje e tij më duket më tepër mediatike. Do kisha preferuar që ato fjalë të m’i kishte thënë me zë”, tha ai.

Pas largimit nga skuadra gjermane, Mavraj ka firmosur me skuadrën greke të Arisit.