Dyshja e Milanit zbarkon në Madrid për talentin që injoron Zidane

109

Dyshja e re drejtuese e Milanit, Maldini-Boban kanë planifikuar një udhëtim në Spanjë gjatë ditës së sotme, ku destinacioni do të jetë Madridi, për t’u takuar me drejtuesit e Realit.

Sipas mediave italiane, kuqezinjtë kanë piketuar fantazistin Dani Ceballos si njeriun ideal për t’ia bashkëngjitur projektit të ri të skuadrës dhe do të tentojnë të bindin Perez për t’ia rrëmbyer.

Madrilenët në fakt nuk e kanë problem të heqin dorë nga 21-vjeçari, për shkak edhe të merkatos së bujshme që po bëjnë, ndërsa çmimi i Ceballos është rreth 35-40 milionë euro, shifër që te Milan nuk janë gati ta paguajnë tani.

Për këtë arsye kuqezinjtë do të kërkojnë një huazim me të drejtë blerjeje në fund të sezonit të ardhshëm, pasi duan t’i dhurojnë Giampaolos fantazistin ideal për skemën e tij 4-3-1-2.

Pas kthimit nga Madridi, drejtuesit e Milanit pritet të ndalen në Romë, ku do të negociojnë me verdhekuqtë një shkëmbim sulmuesish mes Patrick Cutrones dhe Patrick Schick.