Dje ishte në kuadrin e një thashethemi, por sot ka marrë konfirmime zyrtare lajmi se Silvio Berlusconi dhe Adriano Galliani janë gati të rikthehen si protagonistë në futbollin italian, duke blerë skuadrën e Monzës.

Mediat italiane konfirmojnë se brenda mesit të Shtatorit pritet të përfundojë blerja e 70 % të aksioneve nga dyshja Berlusconi-Galliani, ndërsa 30 % do të mbeten në pronësi të presidentit aktual Nicola Colombo.

Ky i fundit është i biri i Felice Colombos, i cili ishte president i Milanit në periudhën 1977-1980 dhe raportet mes palëve janë mjaft të mira, ndaj nuk do të ketë probleme me bashkëjetesën e aksionerëve.

Monza militon në Serinë C italiane, por burime pranë Berlusconit flasin për një plan që do të synojë rikthimin e skuadrës në Serinë A, brenda një periudhe 5-vjeçare, për të synuar më pas ngritjen graduale.