Dybala mesazh Juventusit nga Argjentina: Më ktheni shokun tim, ishin të lumtur si dy fëmijë

120

Zërat për rikthimin e Paul Pogba-s te Juventusi kanë gëzuar më shumë se këdo Paolo Dybala-n, numrin 10 të bardhezinjve. Në një prononcim nga vendlindja ku po përgatitet për Botërorin Dybala është shprehur:

“Të dëgjosh që Paul mund të rikthehet është diçka që më lumturon, sepse ai është një nga shokët më të mirë që kam në futboll. Në këtë mënyrë do të heqim dorë nga telefonatat në distancë dhe do të kthehemi të luajmë së bashku. Do të stërvitemi çdo ditë me njëri-tjetrin dhe kjo është dëshira më e madhe që kam.”

“Joya” vazhdoi: “Me Paul kam mbajtur një marrëdhënie shumë të mirë, edhe pas largimit të tij për në Angli. Me të jam ndjerë shumë mirë brenda dhe jashtë fushës së lojës. Krijonim përshëndetje të reja dhe mënyra për të festuar golat. Me njëri-tjetrin ishim të lumtur si dy fëmijë. Pasi pamë një episod të ‘Dragon Ball Z’ festuam duke bashkuar gishtat. Uroj të rikthehet te Juventus.”