Dy klubet e mëdha londineze në “luftë” për Strakoshën

458
Sigal

E ardhmja e Thomas Strakoshës mund të jetë larg Lazios në sezonin e ardhshëm. Portieri i kombëtares sonë, i cili mungon për shkak të një dëmtimi në këtë grumbullim, do të kalojë një verë të nxehtë, që e sheh si protagonist në merkato. Gazeta italiane “La Repubblica” raporton se Arsenali dhe Tottenhami janë të interesuar për “gardianin” e skuadrës bardhekaltër.

24-vjeçari aktivizohet që nga viti 2014 me Lazion, teksa ka debutuar për herë të parë si titullar në sezonin 2016/17. Këtë sezon, ka luajtur 3500 minuta në të gjitha kompeticionet, duke mbyllur 13 ndeshje pa pësuar gol. Ai ka një kontratë deri në vitin 2022 me klubin italian, ndërkohë që vlera e tij në merkato i kalon 20 milionë eurot.

Dy klubet londineze janë në kërkim të një portieri cilësor. Arsenali ka humbur portierin titullar, Petr Cech, i cili është tërhequr nga futbolli, ndërkohë që Tottenhami nuk ka nënshkruar me portierin e dytë Vorm. Në rast në një ofertë që kap shifrën e 40 milionë eurove, klubi italian pritet ta lërë të lirë.