Dushku-Malo “djegin” Karlsruhen

539
Sigal

Të kuqtë barazojnë 2-2 me gjermanët e Bundesligës 2. Hoxha pret penallti. Firmos kroati Sacer

 Pas dy humbjeve me gjermanët e Darmshtadtit dhe azerbajxhanasit e Neftçi Bakut, Partizani barazoi 2-2 me Karlsuhen, në ndeshjen e tretë miqësore gjatë fazës përgatitore në Belek të Turqisë, atje, ku ndodhet edhe skuadra gjermane. Takimi i luajt dje në “Arcadia Sports Complex” në Antalia të Turqisë. Partizani e nisi takimin me këtë formacion: A.Hoxha (portier); A.Rrahmani, Ibrahimi, B.Krasniqi, Murati, Musta, Maliqi, Dunkovic, Pliska, Saban dhe Hyshmeri. Në vijim të pjesës së parë u aktivizua Mazrekaj. Në pjesën e dytë u aktivizuan Demiri, Sacer, Krasniqi G, Prenci, Malo, Dushku, Lala. Sipas kronikës, që raporton faqja zyrtarja e Karlsruhes, “demat e kuq” zhvilluan një ndeshje relativisht të mirë ndaj gjermanëve të Bundesligës 2, duke përmbysur dizavantazhin 0-2, falë golave të Rigers Dushkut dhe Malos. Ndeshja nisi me në gol të shpejtë për gjermanët, të cilët shënuan që në minutën e dytë me anë të Manuel Gulde, pas goditjes së këndit të ekzekutuar nga Selcuk Alibaz. Kundërshtarët e Partizanit janë më të organizuar në lojën e tyre dhe krijojnë disa raste, por është portieri Alban Hoxha që neutralizon. Edhe Partizani ka rastet e tij, madje arrijnë pranë golit me Dunkoviç, por pa arritur të barazojnë. Pjesa e dytë është e ngjashme me të parën, teksa pesë minuta nga fillimi është mbrojtësi Denis Kempe që gjen dhe golin e dyfishimit. Blutë nga Karlsruhe kanë mundësinë të shënojnë dhe golin e tretë pas një 11-metërshi, por është Alban Hoxha që fiton sërish duelin me gjermanët dhe mohon golin. Pas pritjes së penalltisë loja e të kuqve vjen në rritje, teksa Dushku dhe Malo  kombinohen mirë në sulm, ndërsa për tu vlerësuar është edhe paraqitja e Mazrekajt. Në çerekorëshin e fundit, Partizani gjen forcat dhe është Dushku që ngushton diferencën e golave, ndërsa pak minuta nga fundi i ndeshjes është Julian Malo që shënon golin e barazimit për të kuqtë me penallti. Vlen të përmendet ndërkohë, se Karlsruhe aktivizoi një ekip me shumë elementë të ekipit të dytë, teksa ekipi i parë kishte luajtur pak orë më parë, me Rot-Vais Esen. Pas kroatit të parë, Martin Saban, duket se trajnerin Lika e ka bindur edhe kroati tjetër, Mario Sacer. Ky i fundit ka qenë në fushë në ndeshjen miqësore që skuadra ka zhvilluar ndaj Neftçit të Bakusë, ku ka bërë edhe një paraqitje të mirë. Edhe pse skuadra ka humbur në shifrat 2-0, lojtari ka punuar shumë në fushën e blertë dhe ka pasur raste për shënim, por nuk ka mundur të realizojë dot. Aktualisht mësohet se lojtarët janë në pritje të firmosjes së kontratave dhe shumë shpejt do të vijë edhe zyrtarizimi i tyre. Sot, në orën 14:30 të kuqtë do të luajnë përsëri kundër Holstein Kiel, një ekip i Ligës së Tretë gjermane, e që në radhët e tij edhe ka lojtarë japonezë, turq, polakë dhe amerikanë.

Në takimin e parë miqësor, “djemtë” e Hasan Likës humbën me gjermanët e Darmshtadit me rezultatin 2-1. Në ndeshjen e dytë, Partizani humbi 2-0 me azerbajxhanasit e Neftçi Bakut.

Ndeshjet miqësore të Partizanit në Turqi

 11 janar

Partizani-Darmstadt (Gjermani) 1-2

 15 janar

Partizani-Neftçi (Azerbajxhan) 0-2

 17 janar

Partizani-Karlsruhe (Gjermani) 2-2

 18 janar

Partizani-Holsten Kiel (Gjermani)

 22 janar

Shandong Luneng (Kinë)

Karlsruhe, dy ndeshje në një ditë

 Skuadra gjermane e Karlsruhes zhvilloi dje dy ndeshje. Përpara se të luante pasdite me Partizanin, ish-ekipi i Edmond Kapllanit, barazoi 2-2 me Rot-Veis Esenin, një takim i zhvilluara paradite. Gurino (41’) dhe Mast (45’+1) shënuan për Karlsruhen, ndërsa Plastek (39’) dhe Ivançiçeviç (69’) për Rot-Vajs Esenin, edhe kjo një skuadër gjermane me të cilin Partizani ynë është ndeshur gjatë një miqësoreje në verën e vitit 2001.

  Kukësi zyrtarizon Izuçukun

 Solomon Izuçuku është futbollisti më i ri i Kukësit. Sulmuesi që deri në përfundim të këtij viti ishte pjesë e ekipit të Bylist do të vazhdojë karrierën si një futbollist i ekipit Kuksian. Zyrtarizimin e Izuçukut e konfirmoi vetë presidenti Safet Gjici. Nigeriani është një futbollist qe trajneri Naxhi Shensoji e njeh shumë mirë pasi e ka pasur futbollist më parë kur drejtonte Bylisin.

  Braziliani Gilberto, goditja dimërore e Tiranës

 Tirana dhe braziliani Gilberto gjejnë gjuhën e përbashkët. Klubi bardheblu ka vendosur të vendosë nën kontratë sulmuesi nga atdheu i “sambës”, i cili në fakt gjendej prej dy javësh në provë te kryeqytetasit. Futbollisti brazilian la të kënaqur trajnerin Magani dhe stafin teknik që i kanë ofruar atij një kontratë gjashtë mujore me opsion rinovimi për një tjetër vit. Gilberto mbërriti rreth dy javë më parë në kryeqytet dhe ishte braziliani i vetëm që i rezistoi provës duke u vendosur tashmë nën urdhrat e Maganit. Por Gilberto mund të mos jetë blerja e vetme nga jashtë vendit për Tiranën, pasi pritet dhe afrimi i një tjetër sulmuesi. Ai është Francis Kahata dhe vjen nga skuadra e kampionatit kenian, Thika United. Aktualisht Kahata ka luajtur dhe për përfaqësuesen e Kenias në eliminatoret e Botërorit Brazil 2014, ku ka shënuar dhe një gol në sfidën ndaj Nigerisë.

  Dyndje kosovarësh në Superligë

 Kategoria Superiore në Shqipëri mbetet destinacioni i parapëlqyer i lojtarëve kosovarë, që e shohin futbollin shqiptar si trampolinë për në Europë. Lëvizjet më të fundit në aksin Kosovë – Shqipërisë i përkasin Besës së Kavajës, që ka siguruar shërbimet e 2 mbrojtësve të Hysit, Bajram Jashanica dhe Ahmet Haliti. Në fakt, Jashanica iu bashkua pak ditë më parë verdhezinjve në stërvitje, ndërkohë mbrojtësi i  krahut Haliti do të vihet menjëherë nën urdhrat e Artan Mërgjyshit. Një tjetër skuadër shqiptare që është dalluar më shumë për afrimin e lojtarëve kosovar është Bylisi, që në këtë merkato dimri i ka hedhur sytë nga tregu kosovar. Presidenti Besnik Kapllanaj ka siguruar afrimin e tre lojtarëve kosovarë. Fillimisht pjesë e organikës ballshiote u bënë Lulzim Doshlaku dhe Alban Shillova, ndërsa më vonë nën urdhrat e Emanuel Egbosë është edhe futbollisti i Hajvalisë, Armend Kastrati. Kujtojmë se lëvizjet nga Kosova në Shqipëri janë shumëfishuar sidomos pas vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit për të mos i konsideruar të huaj lojtarët Kosovar

 Skënderbeu, sot kundër Jang Bojsave zviceranë

 Skënderbeu do të luajë sot një ndeshje miqësore kundër zviceranëve të Jaang Bojs, që pas 18 javëve të para renditet në vendin e tretë në Superligën e Zvicrës, vetëm 2 pikë larg kryesuesve të Baselit. Një miqësore e tillë mezi pritet edhe nga vetë Josa, i cili kërkon nga të tijtë edhe një rezultat pozitiv në këtë ndeshje të nesërme. Sipas programit të miqësoreve, ndeshja do të startojë në orën 17:00. Kanë mbetur 4 ndeshje miqësore deri në datën 28 janar për Skënderbeun, ndërkohë që kjo ndaj Young Boys duket se është ndër më të fortat që do të luajë Skënderbeu gjatë qëndrimit në Portugali. Mbrojtësi Erbim Fagu ka pësuar një tjetër dëmtim në kavilje, që do ta detyrojë të largohet para të tjerëve nga Portugalia.