Duro: “Synojmë Kampionatin e Kupën”

679
Sigal

Trajneri i ri i Partizanit do të bëjë edhe rolin e menaxherit të përgjithshëm

Shpëtim Duro nuk do të jetë vetëm trajner i Partizanit, por dhe menaxher i skuadrës së kuqe. Është Presidenti Gazmend Demi, që ia ka dorëzuar plotësisht ekipin, për të pasur dorë të lirë të ndërtojë një formacion fitues. Duro paralajmëroi ndryshime në staf, por edhe duke vënë në pikëpyetje të gjithë lojtarët që janë konfirmuar deri më tani nga drejtuesit e kuq. Ai do të jetë fuqiplotë në vendimmarrje, në funksion të ndërtimit të një skuadre që do të pretendojë trofetë madhorë, kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë sezonin e ardhshëm. “Nga ky moment, në mënyrë figurative do të jem unë ‘Gaz Demi’ i Partizanit. Është një përgjegjësi e madhe, pasi duhet të ndërtojmë një ekip pretendent që do të kërkojë të fitojë kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë”.

Duro nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me Partizanin.

 – Duro, merrni drejtimin e Partizanit, pasi arritën Europën me Shkëndijën. A do ta çoni Partizanin në Ligën e Kampioneve?

– Suksesi më i madh është titulli kampion dhe në radhë të dytë vjen Kupa e Shqipërisë. Më pas është pjesëmarrja në Kupat e Europës. Unë mund të them se do të luftojmë për të tria. Normalisht që kur je në garë për Kupat e Europës do të thotë që je edhe për titullin kampion. Pjesëmarrja e Partizanit në Kupat e Europës është pozitive, pasi vjen pas një mungese të gjatë. Por dëshira jonë është ta shpallim Partizanin kampion.

– A jua ka vendosur presidenti kusht për të fituar titullin kampion?

– Deklarova se, tani jam “Gaz Demi” i Partizanit dhe më takon mua të përgjigjem për ndërtimin dhe normalisht për rezultatet që do të arrijë skuadra. Personalisht nuk jam i asaj natyre që të them nëse do të dalim kampion, duke qenë se futboll luajnë edhe skuadra të tjera. Rëndësi ka që të ndërtojmë një skuadër e cila të jetë e aftë të luftojë për titullin kampion dhe për zonën Europiane.

– Keni marrë garanci për merkaton?

Para pesë ditësh kisha një takim me presidentin dhe unë i kam shënuar të gjitha çfarë është thënë atje. Nuk kam folur për pagesën dhe kontratën time, pasi ishte pika e fundit në këtë marrëveshje.

– Cila do të jetë strategjia e Partizanit në merkato?

– Për momentin mund të them se jemi fat, pasi kemi afruar në skuadër dy lojtarë të rinj që kanë mbajtur peshën e lojës në skuadrat ku kanë qenë. Batha, i cili do të luajë me Partizanin nuk është enigmatik, por ka treguar vlera me Besën dhe me Teutën.

– Partizani ka rinovuar me 10 futbollistë për sezonin e ardhshëm. Keni një koment?

– Unë filloj nga puna që sot. Edhe pse kam qenë larg, pasi drejtoja në Maqedoni i kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Partizanit nëpërmjet televizorit. Në këtë mënyrë kam njohur çdo futbollist dhe aftësitë që ai ka. Unë nuk konfirmoj asnjë futbollist që kam parë në media, pasi çdo gjë do të dalë nga goja ime duke qenë se edhe përgjegjësia tashmë është e imja.

– A do të ketë largime?

– Në skuadër ka lojtarë që kanë kontribuar për Partizanin, por unë kam idetë e mia për lojën dhe disa prej futbollistëve nuk i përshtaten atyre. Këtyre futbollistëve do t’i bëjmë me dije që nuk janë në planet e skuadrës duke i dhënë mundësinë të japin kontributin e tyre në ekipe të tjera. Është përgjegjësia ime kryesore që të bëj një skuadër serioze.

– Sa për qind e lojtarëve pritet të qëndrojnë në ekip?

– Nuk dua të flas me përqindje, pasi vetëm një pjesë e vogël janë për të qëndruar. Kemi kohën e duhur për ndërtimin e skuadrës, por kushti i vetëm është që të jemi të kujdesshëm.

– Në media janë përfolur emra të rëndësishëm i Karabeci, Pejiç apo Muzaka. Konfirmoni ndonjë prej tyre?

– Jemi në periudhë merkatoje dhe gjëra të tilla ndodhin. Megjithatë unë nuk konfirmoj asnjë nga lojtarët që janë përmendur. Këta janë lojtarë të mirë dhe nuk ka nevojë për koment. Ata janë informuar që unë kam ardhur te Partizani dhe nëse kanë dëshirë që të jenë pjesë e Partizanit atëherë mund të kërkojnë të afrohen dhe derën e kanë të hapur.

– A do të ketë ndryshime në stafin teknik. Keni ndonjë koment?

– Mendoj se do të ketë ndryshime, pasi unë do të zgjedh ata që dua unë të punoj. Pra patjetër që do të ketë ndryshime.

– Keni një kalendar konkret në lidhje me organizimin e seancave stërvitore?

– Kam shumë eksperiencë në fazat përgatitore dhe i kam të qarta të gjitha idetë në këtë drejtim. Sot kam marrë emërimin dhe ky muaj është shumë më i rëndësishëm se periudha stërvitore. Nëse fillimi i Korrikut na gjen me një ekip ngritur, atëherë kjo do të ishte ideale.

– Sulmi i Partizanit ka enë një nga pikat më të dobëta. Si ndo të ndryshojë kjo gjë?

– Kemi shumë alternativa, por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi situata në merkato është shumë e vështirë.

“Nuk erdha për paratë”

 Shpëtim Duro tregoi edhe detajet se, përse ai e pranoi ftesën e Presidentit Gazmend Demi për të drejtuar Partizanin. “Shikoj një interesim të madh, jo për faktin se unë erdha trajner i Partizanit, por nga historia dhe emri i kësaj skuadre. Emërimi në krye të skuadrës është një përgjegjësi e madhe për mua. E pranova këtë pozicion pas diskutimeve që pata me presidentin Demi dhe e konsideroj si një sakrificë që jam duke bërë për Partizanin, pas insistimit që presidenti bëri për kthimin tim në skuadër. Unë nuk kam ardhur për interesa financiare, pasi kam sakrifikuar gjithmonë për këtë skuadër, por në Maqedoni kam lënë një ekip me menaxhim shumë te mirë. Në këto momente unë jam “Gaz Demi” i Partizanit, porsa i përket ndërtimit të ekipit dhe rezultateve në vazhdimësi”, është shprehur Duro.

Demi: “Me Duron rikthejmë Partizanin e madh”

 Numri një i Partizanit, Presidenti Gazmend Demi, tha gjatë prezantimi të trajnerit Duro. “Viti që sapo u mbyll nuk na rezultoi i suksesshëm ashtu sikurse dëshiruam. Gjithmonë faj ka diku, dhe këtë gjë e pranoj duke u nisur nga vetja i pari dhe nga i gjithë stafi drejtues i Partizanit. Në kampionatin e kaluar nuk donim të bëheshim pjesë e lojërave të ndryshme. Është një eksperiencë e parë për mua si viti i parë në krye të një Klubi futbolli. Tashmë duhet të flasim për të përmirësuar gjithçka. Sot kemi arritur marrëveshjen me zotin Shpëtim Duro , nga sot ai do të jetë trajner i të kuqve dhe njëkohësisht menaxher-trajner i Partizanit. Nuk do të ketë më drejtor teknik dhe trajner, por do të jetë vetëm njëri. Mendojmë që me profesorin të bëjmë një Partizan sa më dinjitoz dhe të mundohemi të arrijmë aty ku e ka vlerën dhe vendin Partizani. I uroj Duros suksese për kthimin në shtëpi dhe për një skuadër siç i ka hije klubit dhe historisë së tij”.

Batha: “Te Partizani, për titullin”

 Me këtë rast Partizani prezantoi edhe blerjen më të re, mesfushorin Idriz Batha, i cili do të mbajë veshur fanellën më numër 10, ndërsa Arbnor Fejzullahu, nuk ishte i pranishëm për arsye objektive. “Unë kam qenë edhe më parë pjesë e Partizanit, por tani është ndryshe. Kam ardhur këtu për një Partizan kampion. Jam shumë i lumtur që rikthehem tek ekipi zemrës. Objektivat që klubi ka për sezonin e ri futbollistik më shtyp të rivesh fanellën e kuqe. Do t’ia më të mirën për të përgjigjur besimin e drejtuesve dhe presidentit Demi”, – tha Batha.

Murati: “Nder të përfaqësosh Partizanin”

 Mevlan Muratit i ka mjaftuar një sezon për të evidentuar vlerat e tij si futbollist. Pavarësisht moshës së re dhe mungesës së eksperiencës, 20- vjeçari ka fituar statusin e titullarit në një nga klubet më të rëndësishme në vend, duke merituar çmimin e dytë në garën për “Talentin e Vitit 2014”. Mbrojtësi i Partizanit tashmë do të jetë pjesë e përfaqësueses së moshave të Shqipërisë, pavarësisht faktit se vjen nga Maqedonia. “Do të jem tek Partizani edhe vitin e ardhshëm dhe do të synojmë titullin kampion”. Murati zhvilloi 22 ndeshje sezonin e kaluar me Partizanin.

Skënderbeu firmos me Bernard Berishën

 Skënderbeu, nuk ndalet në merkato. Presidenti i kampionëve të freskët të Shqipërisë, Ardian Takaj, nënshkroi me një tjetër element cilësor të kampionatit shqiptar, pikërisht me Bernard Berishën, i cili prej dy sezonesh ka veshur fanellën e Besës së Kavajës, tashmë e rënë në Kategorinë e Parë. Në fakt afrimi i Berishës te Skënderbeu është paralajmëruar prej javësh, por palët mbyllën gjithçka vetëm ditët e fundit. 22-vjeçari është lojtari i dytë që vjen nga radhët e Besës pas Fatjon Sefës