Duro: Kërkon vijimësinë e fitoreve, Bicaj: vetëm tri pikët ndaj Laçit

680
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Për javën e 15-të, flasin trajneri dhe kapiteni i skuadrës vlonjate, kërkojnë revansh sot ndaj kurbinasve
Flamurtari sot pret në fushën e tij Laçin, një ndeshje që ka edhe të veçanta, jo vetëm për renditjen që kanë të dyja skuadrat në tabelë pas 14 javëve që janë luajtur, por edhe për faktin tjetër, se skuadrën laçiane e drejton një teknik vlonjat, i cili vitin e kaluar ishte në stolin e kësaj skuadre. Por, për gazetën “Telegraf”, trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, deklaroi dje se kërkon vijimësinë e rezultateve pozitive. “Është një tjetër ndeshje shumë e rëndësishme, e cila së bashku me ndeshjen tjetër ndaj Kamzës, mbyllin këtë vit kalendarik. Synimi ynë mbetet që ta mbyllim sa më mirë këtë vit, në një kampionat ky mendoj dhe besoj se të gjithë jemi të një mendimi, se Flamurtari ka bërë mjaft në mirë në këtë sezon. Gjithsesi, nesër (sot) përpara kemi Laçin, dhe pastaj Kamzën, dhe ndeshja e radhës është prioriteti i parë në këtë fundviti”, kështu theksoi fillimisht tekniku i skuadrës vlonjate, Shpëtim Duro, i cili e vlerëson maksimalisht kundërshtarin sot. “Laçi është një skuadër e fortë, e cila vetëm në dy javët e fundit ka arritur dy fitore, ndaj dhe për ne mbetet një skuadër shumë e mirë dhe e rrezikshme. Laçi vjen në Vlorë edhe pa presion, duke kërkuar të marrë rezultat pozitiv, ndaj ne do të kërkojmë të bëjmë më të mirën në fushën e lojës, duke synuar maksimumin, ashtu si në çdo ndeshje tjetër të kampionatit”. Për vlonjatët do të mungojë kapiteni Bushiç, i cili për shkak dëmtimi e ka mbyllur me sa duket sezonin, dhe trajneri Duro deklaroi se do ti besojë lojtarëve më në formë te ekipi i tij. “Bushiç edhe në dy ndeshjet e para ka pasur probleme me dëmtimin, dhe natyrisht që mbetet një mungesë e rëndësishme për skuadrën tonë, pasi ishte pikë referimi për sulmin. Megjithatë, te Flamurtari lojtarët janë, dhe mjaft cilësorë në përbërje, dhe ne do të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje, duke i besuar atyre më në formë për momentin”. Ndërkohë që, i pyetur për merkaton, e në veçanti për vlonjatin Dejvi Bregu që luan në Gjirokastër me Luftëtarin, trajneri Duro deklaroi për gazetën “Telegraf” se futbollisti nuk vjen në Vlorë deri në fund të këtij sezoni. “Ne deri tani kemi vepruar edhe në merkato, ku kemi afruar dy lojtarë cilësorë, ndërsa Dejvi Bregu me shumë mundësi nuk do vijë te Flamurtari. Ai ka vendosur të qëndrojë dhe respektojë kontratën në Gjirokastër, edhe pse ne kemi bërë përpjekjet tona maksimale. E kishim një marrëveshje me klubin e Luftëtarit, por vetë lojtari ka vendosur qëndrimin tek Luftëtari deri në fund të sezonit”, përfundoi në deklarimin e tij trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro.
Laçi vjen në Vlorë edhe pa presion, duke kërkuar të marrë rezultat pozitiv, ndaj ne do të kërkojmë të bëjmë më të mirën në fushën e lojës, duke synuar maksimumin, ashtu si në çdo ndeshje tjetër të kampionatit
Mbrojtësi Bicaj: Sfidë e vështirë, ta kalojmë me sukses
“Përpara kemi Laçin, një ndeshje shumë e rëndësishme përballë një skuadre mjaft të mirë, e cila po bën një sezon cilësor. Ne duhet të tregojmë kujdesin maksimal, përkundër respektit dhe vlerësimit maksimal për kundërshtarin e radhës, ta kalojmë me sukses. Vendi i dytë në kampionat nuk është rastësi, ne e shohim këtë mundësi ndeshje pas ndeshje”.
Ndeshjet-Java e 15-të
Të shtunën, 16 dhjetor 2017 
Vllaznia-Kamza 14:00
Lushnja-Skënderbeu 14:00
Flamurtari-Laçi 17:00
Të dielën, 17 dhjetor 2017 
Luftëtari-Partizani 14:00
Teuta-Kukësi 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 14 31
2. Flamurtari 14 25
3. Kamza 14 23
4. Kukësi 14 22
5. Laçi 14 21
6. Partizani 14 21
7. Teuta 14 15
8. Luftëtari 14 13
9. Vllaznia 14 12
10. Lushnja 14 8
Sigal