Duka:Të gjithë tifozët shqiptar do të shkojnë në Serbi pa kushte

469
Sigal

FSHF nëpërmjet deklaratës zyrtare refuzon të plotësojë kushtet e Federatës Serbe

 Duket se historia e biletave të tifozëve Kuq e Zi nuk ka të mbaruar. Pasi u vendos më në fund nga pala serbe që të shpërndaheshin bileta edhe për tifozët shqiptar, por me kushtin e vetëm që përgjegjësinë për ta do e mbante FSHF-ja erdhi edhe deklarata tjetër e tyre që shfaqi idenë se do të lejohen në stadium vetëm tifozët që janë të pajisur me pasaporta shqiptare, duke u bërë një bllok për tifozët shqiptar të Kosovës që duan ta ndjekin Kombëtaren, por nuk kanë pasaporta shqiptare. Duke parë këto zhvillime, zoti Duka, ashtu si në rastin e shpërndarjes së biletave ka reaguar duke thënë se: “Këto janë kushte të papranueshme. Nuk mund t’i ndajmë ne tifozët vetëm pse nuk kanë pasaportë shqiptare, pasi janë po ata tifozë që e ndjekin Kombëtaren anembanë botës. Ne nuk mund t’u themi shqiptarëve që mos të ndjekin kombëtaren e tyre pasi kjo nuk ka kuptim se ne nuk i shohim shqiptarët të ndarë. Nuk kemi kapacitete teknike për ta bërë një gjë të tillë dhe nuk kemi si ta plotësojmë një kërkesë të tillë absurde duke parë që shqiptarët me pasaportë të huaj e mbështesin kombëtaren gjithkund. Ne do të marrim biletat që na janë caktuar dhe do ti shpërndajmë tek grupet e caktuara që janë organizuar të shkojnë në stadium”. Gjithashtu zoti Duka u shpreh edhe për vlerën që ka kjo ndeshje dhe frikën se mund të ketë diçka përtej lojës së luajtur në fushë, ai tha: “Unë nuk kam frikë nga ky aspekt, pasi tifozeria shqiptare asnjëherë nuk ka sjellë probleme, por shqetësohem pasi vetë historia mes dy vendeve ta imponon një gjë të tillë”. Kjo ndeshje në fakt paraqet një interes shumë të madh, edhe nga aspekti sportiv por edhe nga ana e historisë së përbashkët që kanë kaluar këta dy vende duke e tensionuar situatën mes tifozëve kur kanë ngelur edhe 7 ditë nga ndeshja dhe për më tepër kur për secilën skuadër do të luhet një ndeshje tjetër kualifikuese më përpara, ne ndeshemi me Danimarkën ndërsa Serbia është në transfertë kundër Armenisë. Për këto dy ndeshje që na presin presidenti Duka u shpreh se do të ishte më i kënaqur me 2 pikë, se sa me 3 pikë, pasi me dy barazime ju heq kundërshtarëve nga dy pikë, dhe u shpreh se atmosfera ndikon pozitivisht, duke përmendur atë me Greqinë në 2004. Por po ditën e djeshme ka ardhur edhe reagimi zyrtar i FSHF në faqen e tyre nga ku kanë mbajtur të njëjtin qëndrim si të Presidentit, duke falënderuar palën serbe për 1000 biletat që ka vënë në dispozicion, por që nuk do të marrin parasysh kërkesat për shpërndarjen e biletave vetëm tifozëve të pajisur me pasaporta shqiptare, gjithashtu nuk do të ndërmarrin asnjë veprim për dhënien e informacioneve për tifozët ashtu siç kërkon pala serbe, pasi nuk kanë përse ta bëjnë një gjë të tillë dhe se nuk disponojnë mjetet teknike për realizimin e një kërkese që nuk ka kuptim. Duke përmendur pikat e mësipërme FSHF shprehet se një veprim i tillë nga pala serbe nuk sjell ndikim të mirë mes palëve dhe nuk ndikon në frymën pozitive që duan të arrijnë. Në fund të deklaratës zyrtare, FSHF i uron punë të mbarë homologëve të tyre dhe i nxit për bashkëpunim dhe mirëkuptim në këtë çështje.

De Biasi kërkon vëmendje vetëm tek ndeshja me Danimarkën

Sot në mesditë pritet që në kompleksin “Tropikal” në Durrës të grumbullohen të gjithë lojtarët e ftuar nga trajneri për të kryer stërvitjen e parë të plotë para ndeshjes me Danimarkën. Listës së të grumbulluarve ju shtohen edhe Alban Meha dhe Valdet Rama që e kanë ndërmarrë së bashku udhëtimin nga Gjermania, kështu në këtë mënyrë do të plotësohet lista prej 27 futbollistëve që u thirrën nga trajneri. De Biasi në fakt kërkon vëmendje absolute vetëm tek ndeshja e 11 tetorit, duke mos dashur të kalohet tek ndeshja me Serbinë që është tre ditë më pas. Ai është shprehur se e vlerëson shumë Danimarkën si skuadër dhe se do jetë një ndeshje e të njëjtit nivel për nga vështirësia si në takimin me Portugalinë një muaj më parë. Ndeshja me danezët do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” që për De Biasin ishte një stadium i standardeve të larta dhe u shpreh i kënaqur që më në fund skuadra që po drejton do të ketë një stadium të një niveli të latë.

Gjashtë futbollistë të Superligës grumbullohen në Kombëtare

Trajneri De Biasi ka grumbulluar mes të tjerëve, në listën prej 27 futbollistësh edhe 6 futbollistë që militojnë në kampionatin tonë dhe të gjithë janë lojtarë të Skënderbeut (Orges Shehi), Partizanit (Alban Hoxha, Amir Rrahmani dhe Emiljano Vila) dhe Tiranës (Debatik Curri dhe Ervin Bulku). Grumbullimi i të gjithë futbollistëve do të jetë në Durrës dhe nga aty do të fillojnë stërvitjen nga ku do të vendosë edhe trajneri se kë do të marrë përfundimisht në ndeshjet e radhës, pasi jo të gjithë do të jenë në fushë dhe prezent në stol.