Duka: Vendim i drejtë, shpenzimet e gjyqit i paguan Serbia

445
Presidenti i Federatës Shqiptare, Armando Duka, nuk e ka fshehur entuziazmin e tij pas vendimit të CAS që i dha 3 pikët në tavolinë Shqipërisë.
Duka: “Jam shumë i emocionuar, edhe pse e prisja këtë vendim. Fitoi e drejta dhe futbolli. Rëndësi ka që drejtësia u vu në vend. Rëndësi ka që nuk bëhet fajtore Shqipëria për atë ndeshje”.
Në konferencën për media, ai shmangi komentet për presidentin e UEFA-s Platini, duke theksuar se fitorja është e merituar por edhe ne duhet të nxjerrim mësimet tona, që të shmangim një dron të dytë.
Duka: “Edhe Gjykata e Arbitrazhit Sportiv na ka gjetur fajtorë për dronin dhe ne nuk mund të.. duhet të nxjerrim mësimet tona.Droni nëse ka qenë i futur në fushë nga një shqiptar është e paligjshme dhe nuk duhet të ndodhë. Nuk kemi se çfarë komentesh ti bëjmë. Por siç e ka përcaktuar vendimin ne nuk kemi qenë fajtorë për vazhdimin e ndeshjes dhe komentet janë të tepërta”.
Duka shfrytëzoi daljen ne media për të falenderuar mesazh dërguesit.
Duka: “Kam marrë jashtëzakonisht mesazhe, i pari më ka dërguar mesazh avokati dhe më ka thënë kjo është një fitore e madhe”.
Vetë avokati Hajdari u shpreh:
“CAS është një trupë që është jashtë UEFA-s dhe FIFA-s. Akuzën që na kishte ngarkuar Komisioni i Disiplinës ka rënë për refuzim për të luajtur në fushë, ne nuk jemi gjetur përgjegjës . Përgjegjës janë gjetu rrethana të tjera”.
Ne vijim Duka tha se shpenzimet e gjyqit do t’i paguajë pala serbe, por, sipas vendimit të CAS, për Shqipërinë mbetet gjoba 100 mijë euro për banerin me Shqipërinë autoktone.
Duka: “Vendim shumë i debatuar, i diskutuar dhe në një kohë të gjatë. E si mund të mos vinte sot. Fakti që e drejta fitoi, ne jo vetëm që morëm tre pikë, por e drejta fitoi. Nuk duhet të gjykojmë për klasifikimin e këtij grupi nëse Shqipëria do shkojë në Europian, po mesazhi që futbolli duhet të përçojë. Vendimi është goxha i gjatë. Në vija të përgjithshme nuk bën fajtor Shqipërinë për mosfutjen në fushë. Serbët do paguajnë shpenzimet e gjyqit”, tha Duka.
Lidhur me renditjen e Shqipërisë pas këtij vendimi, që e sheh veten në vend të dytë me 10 pikë (aq sa Danimarka), Duka tha se, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.
Duka: “Duhet të bëjmë maksimumin në 4 ndeshje, pasi janë ndeshje që mund t’i fitojmë të gjitha ose mund t’i humbim të gjitha”.
Pyetjes në lidhje me rinovimin e kontratës së trajnerit De Biasi, Duka iu përgjigj:
Duka: “Ka një kontratë deri në qershor, kemi kohë për të folur. Kemi shumë kohë pasi ne do të shkojmë në Francë dhe De Biasi do të jetë me ne atje”.
Sigal