Duka: Ndaj Armenisë, ndeshja më e rëndësishme e këtij edicioni

445
Ndeshja e ditës së diel me Armeninë, natyrisht që ka futur në ethet e saj edhe drejtuesit më të lartë të FSHF-së. Dhe vetë Presidenti Armand Duka, në prononcimin e tij për gazetën “Telegraf”, përveçse rëndësisë, theksoi se kjo është një ndeshje që duhet fituar nga Kombëtarja jonë. “E quaj si ndeshjen më të rëndësishme për ne, natyrisht që të mendojmë të shkojmë më larg. Armenia është një skuadër e vështirë, e fortë dhe që duhet respektuar, por përpos këtyre treguesve të saj si kundërshtari ynë i radhës, skuadra armene duhet mposhtur të dielën”, theksoi fillimisht Presidenti i FSHF-së, i cili më pas fitoren e quajti alternativën e vetme. “Nisur nga të gjitha arsyet tona, alternativa e vetme do të jetë fitorja. Për këtë unë kam besim te stafi teknik dhe te futbollistët, dhe që këta ta bëjnë mirë detyrën e tyre u duhet një mbështetje e madhe e tifozerisë, e cila asnjëherë nuk na ka munguar. Të dielën më shumë se kurrë!”, kështu mbylli deklarimin e tij për gazetën “Telegraf” Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Sigal