Duka e mundi “dosjen” e Finos, futbolli u ngatërrua me kronikën jashtë fushe

584
Nga Agron KAJA
PRAG ASAMBLEJA/ Pas debatit të së enjtes në Top-Channel, ja opinionet PRO dhe KUNDËR kandidatëve në rrjetet sociale dhe në ambientet mediatike 
Muaji shkurt 2018 ka nisur i “nxehtë” sa i përket situatës zgjedhore në prag të Asamblesë së FSHF-së, e cila do të zhvillohet në Durrës më 7 shkurt. Dhe është gara për Presidentin e FSHF-së ajo që e ka nxehur këtë fushatë, çka u tregua më live të enjten në Top Channel, ku kandidatët Duka e Fino kanë shpalosur idetë e tyre gjatë emisionit “Të Paekspozuarit”. Në tre orë debat, u pa qartë ndryshimi që ekziston mes këtyre dy pretendentëve, ku Fino kishte ardhur me dosjen e korrupsionit në tavolinë, ndërkohë që Duka i është përgjigjur me rezultatet konkrete që janë arritur gjatë periudhës që ai drejton futbollin shqiptar. Edhe vetë moderatori i këtij emisioni, gazetari Ylli Rakipi, ka deklaruar se ishte një nga përballjet më të vështira në emisionet e tij, dhe në fakt me çka u pa në ekran, ishte e vështirë të kuptoje se kjo ishte një fushatë për një federatë sportive nga më të suksesshmet në sportin shqiptar, kryesisht në dhjetëvjeçarin e fundit, apo një fushatë për tenderë rrugësh, për pallate shumëkatëshe apo për toka në bregdet! Nëse do të nisemi nga mënyra se si u përballën dy kandidatët mes tyre, më shumë se sa u mësua për alternativat e programet e tyre, akuzat e kundër-akuzat sollën fotokopjen e fushatave zgjedhore që zhvillohen në vendin tonë në këto 26 vite pluralizëm. Beteja më e madhe në këtë debat dukej se ishte pastërtia në futbollin shqiptar, ku kandidati Bashkim Fino e akuzoi Armand Dukën për paracaktimin e kampionit në Shqipëri, dhe këtë ai e premtoi se do ta rikthejë me transparencë dhe besueshmëri. Por, nga kundërpërgjigjet e kreut aktual të FSHF-së, këto akuza u shpërfillën me fakte e rezultate, dhe ai i quajti ato si pjesë e një fushe të pa pastër, nga ku sipas tij, vjen edhe kandidati Fino. Gjithsesi, për përmbajtjen e këtij debati, dje në rrjetet sociale dhe në mediat sportive, kishte shumë opinione PRO dhe KUNDËR, por maxhoranca kalonte në favor të Armand Dukës. Duke ju referuar kryesisht atyre që e morën guximin të shkruajnë pas atij debati, dhe pa asnjë njëanshmëri e preferencë, është e drejtë të miratojmë mendimin se, futbolli ndryshoi kurs, u ngatërrua me kronikën jashtë fushe. Në njërin krah flitej për programe, platforma e rezultate konkrete, në anën tjetër deklaroheshin shifra e raste, sikur në FSHF gjatë kohës që drejton Armand Duka, ishte bërë nami me vjedhje apo mashtrime! A thua se topkëmba shqiptare në këtë periudhë ka qenë vetëm “kronikë e zezë”. Një fushatë e tillë nuk është zhvilluar kryesisht pas vitit 2002, kur në prag të çdo Asambleje, fushatat kanë qenë më shumë sportive, dhe aspak me ngjyra e tone politike, dhe Asambletë janë zhvilluar në normalitetin e mundshëm. Kësisoj (larg qoftë), 7 shkurti mund të kthehet në një KPD, ku më shumë se sa programet e platformat, pjesën e “luanit” do ta zënë votat. Sepse aty çuditërisht do të votojnë kryetarë bashkie e politikanë të tjerë, të cilët janë mësuar të luajnë me votat. 

KATEGORIA SUPERIORE
Në Kukës kryesfida e javës, Pakult kërkon fitoren e parë në shtëpi
Nesër do të luhen ndeshjet e javës së 18-të të Kategorisë Superiore, dhe sfida Kukësi-Flamurtari duket si më interesantja, për të mos thënë si kryesorja e kësaj jave. Trajneri austriak i kampionëve në fuqi, Peter Pakult, e vlerëson kundërshtarin në këtë sfidë, por kërkon fitoren e parë në fushën e tij. “Flamurtari për momentin ka një ecuri mjaft të mirë, është ekip i organizuar. Ekipi duhet të jetë i bashkuar që mos t’i ndiejmë mungesat, shpresoj të arrij fitoren e parë në Kukës. Në dy ndeshjet që kemi luajtur, ekipi është përgjigjur mirë, por kemi ende shumë punë. Ndeshja ndaj Flamurtarit nuk është përcaktuese pasi duhet të punojmë ende shumë”, kështu ka deklarua dje trajneri i Kukësit, ndërkohë që nesër do të luhen edhe ndeshjet e tjera të kësaj jave. Në këndvështrimin e kalendarit dhe të renditjes aktuale të skuadrave, mund të ketë edhe rezultate surprizë në Lushnje dhe në Laç. Ndërsa Vllaznia duhet të shfrytëzojë fushën e saj në përballjen me Skënderbeun kryesues, “derbi” i kryeqytetit Partizani-Kamza, do ta mbyllë këtë javë me një kalendar të “nxehtë”.
Ndeshjet-Java e 18-të
Të dielën, 4 shkurt 2018 
Laçi-Teuta 13:00
Skënderbeu-Vllaznia 13:00
(Ndeshja luhet në Shkodër)
Kukësi-Flamurtari 13:00
Lushnja-Luftëtari 13:00
Partizani-Kamza 16:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 17 37
2. Flamurtari 17 31
3. Kukësi 17 28
4. Laçi 17 27
5. Kamza 17 26
6. Partizani 17 24
7. Luftëtari 17 22
8. Teuta 17 16
9. Vllaznia 17 15
10. Lushnja 17 9
Sigal