Dueli kokë më kokë, ja ku do të vendoset supersfida Milan-Juventus

638
Milan-Juventus nuk është vetëm histori, por edhe prestigj, përveçse një udhëkryq i rëndësishëm për kampionatin aktual. Të dyja skuadrat vijnë pas dy fitoresh, të dyja kanë shënuar nga 4 gola, respektivisht ndaj Kievos dhe Spalit, por mbi të gjitha të dyja kanë parë yjet e tyre që të zhbllokohen. Por, përveç sulmit, dueli i sotëm varet edhe nga porta, mbrojtja dhe sidomos reparti i mesfushës.
Xhixhi kundër Xhixhos. E tashmja kundër të ardhmes së Kombëtares së Italisë. MilanJuventus do të jetë edhe ky duel. “Gardiani” bardhezi sapo u vlerësua si portieri më i mirë i sezonit të kaluar, një nga shumë sodisfaksionet personale të Bufonit, ato të cilat Donaruma kërkon të arrijë në të ardhmen dhe është pa dyshim në rrugën e duhur për ta bërë, pasi po flasim për një fenomen të datëlindjes 1999.
Qendërmbrojtja është sivjet hallka më e dobët e këtyre dy skuadrave sivjet, duke qenë se të dyja pësojnë shumë gola. Kielini është i padiskutueshëm te Juvja, ndërsa te Milani mungon Bonuçi. Për bardhezinjtë është mungesa e një shpatulle për Kielinin ajo që ka munduar Alegrin deri tani dhe i përzgjedhuri pritet të jetë Rugani, sepse Barzalji nuk ka shpejtësinë dhe moshën për të mbuluar lojtarë të shpejtë si Suso, ndërsa Benatia ka stonuar gjithmonë në sfidat e mëdha.
Ndërsa te Milani, pa Bonuçin, shtylla e mbrojtjes do të jetë Muzakio, ndonëse të gjitha sytë do të jenë të spostuara te Romanjoli. Ai që zbarkoi në Milano si pasardhës i Nestës për 25 milionë euro, deri tani, e vetmja ngjashmëri me Alesandron, është numri 13 në fanellë, prandaj kjo me Juven ndoshta është ndeshja e duhur që ai të tregojë se di të përballojë presionin dhe ka cilësitë për të tilla ndeshje të mëdha.
Mesfushë eksperte ajo bardhezi, ndërsa ajo e Milanit është ende në punë për gjetjen e bashkëpunimit serioz. Pjaniç dhe Khedira duken dyshja perfekte për të luajtur përkrah njëritjetrit, të cilëve, nëse u shton edhe një Matuidi, nga minuta e parë, apo gjatë lojës në vazhdim ofron një rendiment të lartë, një miksim mes teknikës, muskujve dhe zgjuarsisë për të lëvizur mes linjave të mbrojtjes rivale.
Nga ana tjetër, Kesi-Bilja është një dyshe që ofron shpejtësi, forcë fizike dhe teknikë, por për momentin mungon ai ingranazhi perfekt që të lidhë të dy lojtarët që të luajnë në sintoni të plotë.
Fatkeqësisht, Milani po vuan edhe mungesën e Bonaventurës, i cili mund të bëjë “mediatorin” perfekt për të përmirësuar bashkëpunimin, por vetëm me këta dy lojtarë që duhet të bëjnë shumë detyra njëkohësisht, duket e vështirë që qoftë mbrojtja, ashtu sikurse sulmi të bëjnë punën e tyre me qetësi, aq më shumë përballë Juves, që lëviz me lojtarë të shumtë në mesfushën kundërshtare. Prandaj, Montela duhet të tregohet i zoti që të gjejë “shpatullat” e duhura për të ndihmuar Biljan dhe Kesin sot.
Repartet ofensive kanë yje, ndoshta ato bardhezi shkëlqejnë më shumë, duke qenë se luajnë në nivele të larta prej disa vitesh, por fakt është që si milanistët, ashtu sikurse bardhezinjtë janë zhbllokuar, duke rigjetur rrugën e golit. Suso, Xhalhanoglu e Kaliniç u paguan 47 milionë euro, gati tri herë më pak se HiguainDibal (130 milionë) dhe ndoshta diferenca edhe ky fakt mund të tregojë disi diferencat që mund të kenë këto reparte.
Nëse Suso është ylli i vërtetë i Milanit, Xhalhanoglu duhet ende të kuptojë mekanizmat e Montelës dhe jo vetëm për arsyen e mosnjohjes së gjuhës. Nga ana tjetër, Kaliniç ka eksperiencë, por për momentin nuk po furnizohet siç duhet me topa, edhe pse ai di sesi i shënohet Juves (4 gola në karrierë).
Ndërsa Higuain dhe Dibala, edhe pse munguan për dy-tri ndeshje pa shënuar, kanë treguar se golat kanë ditur t’i shënojnë dhe nuk është shumë korrekte që ndaj tyre të drejtohet gjithmonë gishti si fajtorë.
Madje, kjo e sotmja është ndeshja e duhur për të parë në aksion cilësitë e tyre të vërteta, sepse nëse ndodh e kundërta, atëherë Napoli mund të nisë një arrati, e cila mund t’i prishë Juves jo pak planet për titull.
Sigal