“Dua të vdes në duart e mjekëve kroatë!”

516
Sigal

Kimioterapia i kishte shkatërruar sistemin e imunitetit. Një virus shkaktoi vdekjen e Kuzhesë

Unë nuk do të pranoj kurrë të trajtohem jashtë, nuk e kam menduar kurrë këtë, pasi unë kam besim të plotë te doktorët më të mirë kroatë”, – kështu ishte shprehur Josip Kuzhe, kur ai zbuloi gjatë një vizite mjekësore në muajin shkurt se vuante nga leukemia, pas së cilës ai kaloi disa muaj i shtruar në spitalin “Mërkur” të Zagrebit. Edhe pse fillimisht u duk se ai pati disa përmirësime, pas trajtimeve të forta mjekësore, beteja e tij me sëmundjen u bë serioze, dhe fatkeqësisht ai nuk ia doli dot. Shkaku i vdekjes së tij ishte infektimi me një virus, prej të cilit trupi i tij nuk mund të mbrohej dot për shkak të kimioterapisë. Ai humbi më shumë se 20 kg gjatë trajtimit mjekësor, ndërkohë që grupi më i njohur i tifozëve të Dinamos së Zagrebit, “Blu boys”, vendosën një banderolë të madhe në muret e rrethuese të spitalit “Mërkur”: “Josip Kuzhe, dil jashtë, ti je njëri nga ne”. Kuzhe pati dy periudha terapie në spitalin, teksa në herën e dytë ai pati komunikime vetëm me njerezit e tij më të afërt të familjes. “Nuk dua që dikush të vijë tek mua. Për shakk të imuntetit të dobët, unë nuk mund të kontaktoj me njerëz’, – ishte shprehur para disa ditësh Kuzhe për mediat kroate. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në spital, ai mori mijëra mesazhe mbështetëse nga e gjithë bota. “Kush më ka prekur më shumë? Do të ishte e pandershme që unë t’i veçoja, pasi çdo mesazh apo telefonatë është për mua shumë e rëndësishme, por më të dashurat sigurisht janë ato të ish-lojtarëve të mi”, -ishte shprehur Kuzhe. Në lidhjen me vdekjen e papritur të tij, mjekët hematologjistë u shprehën se kjo ndodh shpesh me njerëzit që janë të moshuar dhe që trajtohen me leukemi. Kimioterapia kishte shkatërruar dhe dobësuar sistemin e tij, ndërkohë që virusi që mposhti Kuzhenë kishte penetruar në arteriet pulmonare, që shkakton edhe një vdekje të shpejtë, në rendin e disa orëve. Një ditë më parë djali i tij, Mark Kuzhe, e kishte parë të atin në gjendje të stabilizuar dhe më pas kishte bashkëbiseduar me të vetëm disa orë para vdekjes së Josip Kuzhesë.

NË TIRANË, FQINJ ME KRYEMINISTRIN BERISHA

Josip Kuzhe ka përfunduar studimet për jurist, por një ofertë nga një ekip australiano-kroat i ndryshoi drejtimin përfundimisht të karrierës së tij. Ai u bë një trajner futbolli, duke drejtuar ekipe në katër kontinente: Europë, Azi, Australi dhe Afrikë. Kjo është një pjesë e intervistës së dhënë, për gazetën “Telegraf”, më 10 gusht të vitit 2011.

– Zoti Kuzhe, ju po punoni prej dy vjetësh në Shqipëri. Si gjykoni jetën tuaj këtu?

– Sigurisht që kam udhëtuar shumë. Gjithmonë jam përpjekur të mësoj mbi Shqipërinë. Hobi im është të lexuarit, sidomos për post-periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Edhe për Shqipërinë kam lexuar shumë për këtë kohë, pavarësisht se ajo ka qenë shumë e mbyllur për shkak të regjimit te Enver Hoxhës. Për mua ka qenë dhe pak e vështirë, pasi nuk kam gjetur libra në gjuhën kroate. Tani njoh shumë gjëra për Shqipërinë. E pëlqej shumë Durrësin, Vlora është një qytet i mrekullueshëm. Çdo qytet ka të veçantën e vet. Shumë herë kam bërë rrugën e Shkodrës, pasi andej kaloj për të shkuar në Kroaci.

– Të gjithë trajnerët e huaj,  e kanë pëlqyer kuzhinën shqiptare. Ju vetë si e çmoni?

– Në Tiranë ka ushqim të shkëlqyer, restorante madhështore. Janë shumë të dekoruara dhe kujdesen shumë për klientët.

– Ju jetoni së bashku me gruan tuaj, në një apartament me qera në Tiranë. A është e kënaqur ajo?

– Në Tiranë jam në një apartament shumë luksoz, jam fqinj me kryeministrin Sali Berisha. Gruaja ime, Vishnja, ndihet e lumtur në Tiranë. Dua të tregoj diçka. Unë shkoj shpesh në Kroaci, kurse ajo preferon më shumë të qëndrojë në Tiranë sesa në Zagreb. E shijon jetën këtu, i pëlqen shumë dhe flet gjithmonë pozitivisht me mikeshat e saj. Guraja ime është një nga propagandistet e vendit tuaj.

– Kuzhe, ju kaluat një nga çastet më të rënda të jetës suaj në Tiranë, kur pësuat hemorragji cerebrale në shtatorin e vitit të kaluar.

– Më duhet të them se një pjesë e jetës sime do të mbetet përjetësisht e lidhur me Shqipërinë. Unë isha i sëmurë, i shtruar në Spitalin Amerikan. Shqiptarët treguan një simpati të madhe për mua.

“KICKER”: “EKSPLORATOR I BOTËS”

Gazeta gjermane sportive “Kicker” veçonte faktin se, Josip Kuzhe kishte drejtuar tre skuadra në Gjermani: Maincin, Rot-Vajs Erfurhtin dhe Shemnintcerin. “Përveç angazhimit me Dinamon e Zagrebit, Kuzhe ishte një tip ‘eksplorator botëror: Australi, Japoni, Ruanda, Shqipëri, Kinë”. Agjencia Franceze e Lajme, AFP, në njoftimin e saj shkruan se,  ish-trajneri Kuzhe luajti si mbrojtës për Dinamon e Zagrebit 384 ndeshje, kur Kroacia ishte asaj kohe pjesë e Jugosllavisë. “Ai fitoi titullin kampion me Dinamon e Zagrebit, në sezonin 2005-2006. Klubi i fundit ishte Tianjin Teda”.

SHUKER: “KUZHE, SI VENGERI”

Presidenti i Federatës Kroate të Futbollit, Davor Shuker, e konsideroi vdekjen e ish-trajnerit Josip Kuzhe, si një humbje të madhe për futbollin e vendit të tij. “Ne qe këmi pasur privilegjin të njohim Josip Kuzhen, duhet ta themi me plot gojën se ishte një nder i madh të punonim me të, ishte një nder i madh të mësonim prej tij. Kam pasur kënaqësinë e madhe që kam qenë lojtar i tij. E di se ne kemi humbur një trajner të madh, ai më kujton Arsen Vengerin (trajnerin francez të Arsenalit). Është një humbje e parikuperueshme për familjen. Mendimet tona janë me ty Kuzhe”, – shkruhej në letrën e ngushëllimit të Federatës Kroate.

24 NDESHJET E JOSIP KUZHESE

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, zhvilloi 24 ndeshje në stolin e Shqipërisë, duke pasur një bilanc përgjithësisht të suksesshëm: 8 fitore, 7 barazime dhe 9 humbje. Nga këto 13 ishin zyrtare dhe 11 miqësore.

13 NDESHJET ZYRTARE

BOTËRORI 2010

1. SHQIPËRI-PORTUGALI 1-2

06.06.2009 – Ndeshja e parë e Kuzhesë në krye të Kombëtares. Humbëm 2-1. Almeida realizoi në të 28’, Bogdani barazoi (29’). Bruno Alves shënoi golin e fitores ne minutën 90’+2.

2. SHQIPËRI-DANIMARKË 1-1

09.09.2009 – Danezët e kishin marrë lehtë në “Qemal Stafa” pas fitores 3-0 në Kopenhagen. Nikklas Bendtner shënoi për Danimarkën në minutën e 40-të, barazoi Erjon Bogdani në të 51’.

3. SUEDI-SHQIPËRI 4-1

14.11.2009 – Një humbje e thellë në Solna të Suedisë: Olof Melberg 6′, Markus Berg 40′, Olof Mellberg 42′ dhe Anders Svenson 86. Hamdi Salihi (57′) shënoi golin e nderit.

EURO 2012

1. RUMANI-SHQIPËRI 1-1

03.09.2010- Zëvendësuesi Gjergji Muzaka i dhuroi pikën e parë Shqipërisë nëe eliminatoret e Euro 2012-s, me golin e tij në minutën e 87-të Stancu shënoi për Rumaninë në minutën e 80-të.

2. SHQIPËRI-LUKSEMBURG 1-0

07.09.2010 – Edhe pse pritej një fitore me shume gola, Shqipëria fitoi me një gol të vockël të realizuar nga sulmuesi Hamdi Salihi ne minutën e 37-të, por që vlejti tri pikë.

3. SHQIPËRI-BOSNJË 1-1

08.10.2010 – Me trajnerin Kuzhe të shtruar spital, për shkak të hemorragjisë cerebrale dhe boshnjakun Mustedanagiç në bankinë, Shqipëria barazoi 1-1 me Bosnjën në “Qemal Stafa”. Ibesevic shënoi për boshnjakët (21’), barazoi Klodian Duro (45’+2).

4. BJELLORUSI-SHQIPËRI 2-0

12.10.2010 – Pa trajnerin Kuzhe në bankinë, Shqipëria humbi 2-0 ne Minsk me Bjellorusinë, duke pësuar dhe humbjen e pare ne keto eliminatore. Golat: Rodionov 10’ dhe Krivets 77’.

5. SHQIPËRI-BJELLORUSI 1-0

26.03.2011 – Një fitore e madhe, e dyta në këto eliminatore. E vendosur nga një gol i Hamdi Salihit (62’) dhe ku u shpërdoruan dhjetëra raste, përfshirë dhe dy shtylla (Cana dhe Salihi).

6.  BOSNJË-SHQIPËRI 2-0

07.06.2011 – Shqipëria pësoi një humbje të hidhur 2-0 me Bosnjën, në Zenica, duke rrëshqitur në vendin e pestë, e duke i dhënë fund praktikisht ambicieve për vendin e dytë në grup.

7. SHQIPËRI-FRANCË 1-2

03.09.2011 -Shqipëria pësoi një humbje aspak të merituar 2-1 me Francën. , Karim Benzema dhe Jan M’Vila brenda 18 minutash. Erjon Bogdani shkurtoi diferencën në minutën e 46-të.

8. LUKSEMBURG-SHQIPËRI 2-1

07.09.2011 – Shqipëria pësoi një humbje të turpshme 2-1 në Luksemburg, duke e mbyllur takimin me nëntë lojtarë. Bogdani shënoi për Shqipërinë, Zhil Betmer dhe Aurelien Hohakim për Luksemburgun.

9. FRANCË-SHQIPËRI 3-0

07.10.2011 -Një Shqipëri me shtatë mungesa nuk rezistoi më shumë se 11 minuta përballë Francës, në humbjen 3-0, në një “Stade de France”: Florent Maluda, Luak Remi dhe Antoni Revejer (66’).

10. SHQIPËRI-RUMANI 1-1

11.10.2011 – Shqipëria i mbylli eliminatoret e Euro 2012, me një barazim 1-1 ndaj Rumanisë në “Qemal Stafa”. Hamdi Salihi (23’) për Shqipërinë, barazoi Luchin për Rumaninë (77’)

11 MIQËSORET

1.SHQIPËRI-GJEORGJI 1-1

10.06.2009 – Goli i kapitenit gjeorgjian Levan Kobiashvili vendosi heshtjen në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Ansi Agolli realizoi një supergol në minutën e 60-të.

2. SHQIPËRI-QIPR0 6-1

12.08.2009 – Fitorja më e thellë e Shqipërisë: Ervin Skela (25′-pen, 44′-pen), Erjon Bogdani (65′), Klodian Duro (67′), Ansi Agolli (71′) dhe Emiliano Vila (75′). Për qipriotët e realizoi Karalambidis (37′).

3. ESTONI-SHQIPËRI 0-0

12.08.2009 -Barazim pa gola në Talin, por një ndeshje ku ndikoi shumë gjyqtari. Në atë takim u anulua edhe një gol i Estonisë.

4. SHQIPËRI-IRLANDË E VERIUT 1-0

03.03.2010 – Ervin Skela tregoi klasin e tij “all Ronaldinjo”, duke realizuar një gol spektakolar falë një gjuajtje të lire te kalibruar nga 25 metra në minutën e 25-të.

5. MALI I ZI-SHQIPËRI 0-1

25.05.2010 – Hamdi Salihi në minutën e 79-të shënoi një supergol, me një goditje perfekte nga rreth 23 metra. Tifozet kuqezinj i dhuruan një shall të Kombëtares trajnerit Josip Kuzhe.

6.SHQIPERI-ANDORRË 1-0

02.06.2010 – Një ndeshje e nivelit mesatar dhe eksperimental për Kombëtaren. Golin e vetëm të takimit të zhvilluar në “Qemal Stafa” e shënoi Hamdi Salihi në minutën e 44-t.

7.SHQIPËRI-UZBEKISTAN 1-0

02.06.2010 – Një ndeshje e zhvilluar në “Niko Dovana” të Durresit dhe e vendosur nga një gol i të zakonshmit Hamdi Salihi në minutën e 14-të (asist i Ansi Agollit).

8.SHQIPËRI-MAQEDONI 0-0

17.11.2010 – Një ndeshje e zhvilluar në stadiumin “Skënderbeu” të Korces, duke pasur si risi formacionin me lojtarë që ishin aktivizuar pak me Kombëtaren.

9.SHQIPËRI-SLLOVENI 1-2

09.02.2011 – Bie miti i miqësoreve pa humbje të trajnerit Josip Kuzhe. Golat: Bulku shënoi për Shqipërinë në minutën e 63-të. Novakoviç 24′ dhe Dediçin 90′ realizuan për Slloveninë.

10.ARGJENTINE-SHQIPERI 4-0

20.06.2011 – Shqipëria u paraqit me një versioni “B”. Për Argjentinën e trajnerit Sergio Batista shënuan nga dy gola në çdo pjesë loje: Laveci dhe Mesi në të parën; Aguero dhe Tevez në të dytën.

11.SHQIPËRI-MALI I ZI

10.08.2011- Kombëtarja fitoi 3-2 me Malin e Zi, në ndeshjen e zhvilluar në “Loro Boriçi”. Golat për Shqipërinë: Bogdani, Hyka dhe Salihi. Për Malin e Zi shënoi dy gola Saviç.