Dritëhijet e De Biazit në vorbullën e largimit!

522
Nga Agron KAJA
KOMBËTARJA/ Kanë nisur dje në Luksemburg përgatitjet për miqësoren, por edhe për eliminatoren me Izraelin
Trajneri i Kombëtares sonë të futbollit, Xhani De Biazi, shpesh ka qenë protagonist në mediat e ndryshme sportive dhe jo vetëm, duke pretenduar shpesh për një largim të mundshëm nga stoli kuqezi. Është një dëshirë e tij, apo është një merkato që ai ja bën vetvetes për qëllime të tjera, kjo është diçka tjetër nga ky këndvështrim, por që dje ai ka qenë në krye të Kombëtares sonë, në grumbullimin para ndeshjes miqësore me Luksemburgun, e më pas me Izraelin. Sipas informacionit që ka gazeta “Telegraf” nga FSHF-ja, nën urdhrat e De Biazit janë vënë pjesa më e madhe e futbollistëve të grumbulluar prej tij, pasi ishin të pranishëm 19 futbollistë. Mungonin në seancën e djeshme, sulmuesit Sadiku e Cikalleshi, të cilët kanë ende ndeshje për të luajtur në kampionatet përkatëse dhe vetëm pas përfundimit të këtyre takimeve do t’i bashkohen grupit. Gjithashtu, munguan dje edhe Hyka e Llullaku, të sigurt që nuk do jenë për ndeshjen miqësore kundër Luksemburgut. Ata do ta presin ekipin në Turqi, për pjesën e grumbullimit pas zhvillimit të këtij takimi, në prag të ndeshjes me Izraelin. Po sipas burimit në FSHF, vonesa në grumbullim e dy qendërsulmuesve, dhe mungesa e sigurt e dy lojtarëve të krahut, bëjnë që De Biazi të ketë zgjedhje thuajse të detyruara dhe një formacion shumë eksperimental për ndeshjen miqësore. Ndërsa atmosfera në skuadër ka qenë e qetë, dhe koha deri më 11 qershor për ndeshjen me Izraelin është e plotë për përgatitje, më shumë duket sikur po “troket” lamtumira e trajnerit nga stoli kuqezi. Duke ju referuar mediave italiane dhe portaleve që merren vetëm me sportin, aventura e Xhani De Biazit në drejtimin e Shqipërisë po vjen drejt fundit, madje thuhet se ndoshta nuk do të presë mbylljen e kontratës me FSHF-në, e cila përfundon me mbylljen e edicionit të kualifikuesve të Botërorit 2018. Duke ju referuar faqes së internetit të gazetarit italian, të njohur për lajmet e merkatos, Alfredo Pedulla, Xhani De Biazi do të largohet që në javët e ardhshme nga drejtimi i Shqipërisë. Sipas saj, ai ka disa mundësi të ndryshme punësimi në klube të njohura në Evropë, por njëkohësisht, tekniku i kuqezinjve ka tundim edhe nga dy oferta kineze që janë shfaqur gjatë ditëve të fundit. I njëjti burim sqaron se, më shumë drejt këtij largimi do të mësohet në mesin e muajit qershor, pasi trajneri të jetë shkëputur përfundimisht nga drejtimi i kombëtares shqiptare, pra, pas ndeshjes me Izraelin e cila luhet në Tel Aviv në datën 11 qershor 2017. Ditë më parë, tekniku i kombëtares sonë ka deklaruar për mediat pranë “tio.ch”, se e ka mbajtur fjalën me Shqipërinë. “Jam ndier i përfshirë në projektin me Shqipërinë. Ka qenë projekt i vlefshëm, dhe unë kam pasur mundësinë të rindërtoj ekipin kombëtar dhe ka qenë diçka entuziazmuese. Gjatë kësaj periudhe, kam refuzuar shumë oferta për të qëndruar atje. Kam qëndruar, sepse projekti ka qenë interesant dhe jam një prej atyre njerëzve që e mbajnë fjalën e dhënë”, është shprehur tekniku i Kombëtares. “Te Shqipëria mbajta fjalën. Por kur merr një ofertë cilësore nga skuadra me emër…”, që do të thotë se, si “tio.ch”,, ashtu edhe Alfredo Pedulla, janë në të njëjtën linjë. Të presim pas ndeshjes me Izraelin.
Duke ju referuar mediave italiane dhe portaleve që merren vetëm me sportin, aventura e Xhani De Biazit në drejtimin e Shqipërisë po vjen drejt fundit, madje thuhet se ndoshta nuk do të presë mbylljen e kontratës me FSHF-në, e cila përfundon me mbylljen e edicionit të kualifikuesve të Botërorit 2018
Rikthimi i Ergys Kaçes, dhe mungesa e Taulant Xhakës
Disa muaj më parë, Ergys Kaçe u shndërrua në çështje pranë Kombëtares për vetë përplasjen që pati me trajnerin De Biazi. Mirëpo, në grumbullimin e fundit të kuqezinjve pas ndeshjes me Italinë, tekniku pati një tjetër prishje të marrëdhënieve me mesfushorin e Bazelit, Taulant Xhakën. Në këto kushte, kur konkurrenca në ekip ulet ndjeshëm, trajneri duket se ka qenë i detyruar që të rikthejë 23-vjeçarin e PAOK-ut, edhe pse nuk ka pasur mjaftueshëm hapësirë në ekipin grek. Kaçe pritet të rikthehet në Kombëtare për dy ndeshjet e radhës në muajin qershor, të cilat do të luhen ndaj Luksemburgut dhe ndaj Izraelit.
Lista e Kombëtares
Portierë: Thomas Strakosha, Alban Hoxha, Orges Shehi
Mbrojtësa: Naser Aliji, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Frederik Veseli.
Mesfushorë: Migjen Basha, Ergys Kaçe, Ledian Memushaj, Odise Roshi, Andi Lila, Ermir Lenjani, Burim Kukeli, Amir Abrashi,
Sulmuesa: Azdren Llullaku, Sokol Çikalleshi, Armando Sadiku, Liridon Latifi, Eros Grezda, Jahmir Hyka
Kupa e Botës Rusi 2018 
Grupi G-Ndeshjet
Ndeshja e luajtura
Datë 5 shtator 2016
Shqipëri-Maqedoni 2-1
Datë 6 tetor 2016 
Lihteshtein-Shqipëri 0-2
Datë 9 tetor 2016
Shqipëri-Spanjë 0-2
Datë 12 nëntor 2016
Shqipëri-Izrael 0-3
Datë 24 mars 2017
Itali-Shqipëri 2-0

RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanjë 5 13
2.Itali 5 13
3.Izrael 5 9
4.Shqipëri 5 6
5.Maqedoni 5 3
6.Lihtenshtein 5 0
Do të luhen
Datë 11 qershor 2017
Izrael – Shqipëri
Datë 2 shtator 2017
Shqipëri – Lichtenstein
Datë 5 shtator 2017
Maqedoni – Shqipëri
Datë 6 tetor 2017
Spanjë – Shqipëri
Datë 9 tetor 2017
Shqipëri- Itali
Sigal