Dritan Bici: “Si do të veproja me gjyqtarin kryesor”

456
Sigal

Është shndërruar në legjendë thënia se “dhuna në stadiumet shqiptare vjen nga tribuna VIP”. Pas rastit të Gramshit, ky kryebashkiaku i atij qyteti, Dritan Bici, hyri me makinë në fushën e lojës, duke pohuar më pas me gojën e tij se do ta vriste gjyqtarin e ndeshjes Gramshi-Mamurrasi po të ballafaqohej me të, dje ishte radha e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, të ishte autori i një gjesti të shëmtuar dhe të dënueshëm, madje tepër të rrezikshëm ndaj trajnerit të Tiranës, Nevil Dede.

 NGJARJA – Incidenti i pazakontë ndodhi në pushimin e ndeshjes Besa-Tirana (kur rezultati ishte 1-0 për kavajasit), ndërkohë që takimin në fund e fitoi Besa me rezultatin 2-1. Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, sipas burimeve të brendshme pranë bardhebluve, hyri në dhomat e zhveshjes së kryeqytetasve dhe pa iu dridhur aspak dora goditi me grusht trajnerin Nevil Dede, duke i lënë të gjithë të befasuar. Sipas 24-herë kampioneve, Roshi i kërcënoi hapur lojtarët bardheblu: “Ju nuk do ta fitoni ndeshjen, se nuk dilni të gjallë nga fusha”. Presioni i fortë dhe i hapur psikologjik, e shoqëruar kjo me gjendjen e rënduar emocionale të lojtarëve futbollistët e Tiranës nuk kanë pranuar të dalin në fushë pjesën e dytë, por ka qenë një insistim i trajnerit Nevil Dede, që ata të luanin, për të shmangur edhe ndonjë penalizim të mundshëm të skuadrës, kjo për shkak të rregullores së qartë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në stadium mbërritën edhe forcat RENEA, por Elvis Roshi në ato momente ishte larguar nga stadiumi. Ai është shpallur tashmë në kërkim. Ky është veprimi i radhës i dhunës që vjen nga tribuna, teksa një ditë më parë ishte një tjetër kryebashkiak, ai i Gramshit, Dritan Bici, që hyri me makinë në fushën e lojës, ndërkohë që pohoi me gojën e tij se do ta vriste gjyqtarin po të ballafaqohej me të. Tensioni i mbijetesës sa vjen dhe rritet, ndërkohë që veprime të tilla të zyrtarëve të qyteteve përkatëse jo vetëm e shëmtojnë futbollin, por e kërcënojnë seriozisht atë për t’u luajtur në kushte normale. Goditja e një trajneri është diçka e paimagjinueshme në futbollin evropian, por në vendin tonë përditë e më shumë po instalohet jo vetëm kultura e trukimeve, por edhe e dhunës me kollaro, e më të fortëve. Pas ndeshjes, trajneri Dede ka bërë kallëzim penal për kryebashkiakun e Kavajës. Kryebashkiaku Elvis Rroshi, sikundër është publikuar e konfirmuar nga vetë ai, kishte premtuar se do të jepte një milion lekë shpërblim për këtë fitore me bardheblutë, dhe kjo mesa duket ka ndezur edhe adrenalinën e tij.

 NDESHJA – Fitore dramatike 2-1 e Besës ndaj Tiranës, të sigluar me një gol të realizuar nga Idriz Batha në minutën e 91-të, teksa vetëm 60 sekonda më parë kishtë barazuar 1-1 Gilman Lika për Tiranën. Një fitore tepër e çmuar e kavajasve, që tashmë e shohin veten paksa më të larguar nga katër vendet e fundit, ndërkohë që formacioni i presidentit Xhat Bizhdili dhe trajnerit Përparim Daiu mori fitoren e parë pas dhjetë javësh. Sulmuesi kavajas, Sokol Cikalleshi, i rikthyer së fundi Koreja e Jugut, shënoi golin e parë të kavajase me penallti në minutën e 30-të. Mbrojtësi veteran Arjan Pisha pengoi në zonën Cikalleshin, i cili më parë ka luajtur për Tiranën, duke fituar edhe penalltinë të shndërruar në gol dhe mbyllur pjesën e parë në 1-0. Në fraksionin e dytë, ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Klodian Duro u vendos përballë portierit Alban Hoxha, por mesfushori bardheblu, një mjeshtër i goditjeve standarde gaboi. 24 herë kampionët sulmojnë fort për të gjetur golin e barazimit, të cilin e arritën në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur mesfushori i Kombëtares, Gilman Lika, realizoi një eurogol në të 90’, duke i nxehur edhe më shumë gjakrat në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Por, sapo është vënë topi nga mesi i fushës për vendësit, Besa ka arritur të bëjë një përmbysje rrokamboleske dhe të sigurojë fitoren tepër të cmuar. Kombinimi i Mihanit me Bathën përfundon në rrjetën e Ilion Likës, që detyrohet ta nxjerrë “sferën” për herë të dytë nga kuadrati i tij në këtë ndeshje. Tirana del duarbosh nga Kavaja dhe tashmë humbet dukshëm terren në raport me zonën europiane. Tre pikë shprese dhe frymëzimi për mbijetesë në Superiore për kavajasit, që javën e ardhshme do të luajnë sërish në shtëpi, ndaj Luftëtarit. Plot 10 javë pa fitore e kishin rënduar së tepërmi situatën e verdhezinjve. Vetëm 3 pikë në 10 ndeshje radhazi (tre barazime të arritura) e detyronin formacionin e Daiut që të bënte autokritikën, pasi rreziku i rënies duket shumë pranë.

 Arrestohet kryebashkiaku,protestojnë tifozët

 Pak minuta pas ngjarjes, me të marrë vesh se ishte shpallur në kërkim, kreu i Bashkisë së Kavajës u vetëdorëzua në polici. Roshi u morr në pyetje lidhur me skandalin në stadium dhe denoncimin e bërë për të nga trajneri i Tiranës, Nevil Dede, i cili ka deklaruar se është goditur nga Elvis Roshi. Kryebashkiaku Roshi dha versionin e tij në ambientet e komisariatit të policisë së Kavajës, në lidhje me skandalin e ndodhur me futbollistët e trajnerin e Tiranës, jashtë ambienteve të komisariatit janë mbledhur disa qytetarë që kërkuan lirimin e tij, por deri në orët e vona të ditës së diel, kryebashkiaku ishte në ambientet e policisë së qytetit të Kavajës. Elvis Roshi u padit nga trajneri i Tiranës Nevil Dede për goditje, kërcënim me jetë dhe fyerje. Ngjarja ndodhi në pushimin e pjesës së parë të ndeshjes mes Besës e Tiranës, ku Roshi hyri në dhomën e zhveshjes së futbollistëve të Tiranës dhe i kërcënoi ata se nuk do dilnin të gjallë nga fusha nëse fitonin ndeshjen. Po aty ka goditur dhe kërcënuar edhe trajnerin Nevil Dede.

 Kryebashkiaku i Gramshit: Si po degjeneron gjykimi i arbitrave

 Pas ndeshjes Gramshi-Mamurrasi (0-0, të luajtur të shtunën, ë gjykuar nga Servet Bogdani), kryebashkiaku i Gramshit dhe njëkohësisht president i skuadrës, Dritan Bici, i nervozuar nga rezultati dhe nga gjykimi i arbitrave, pasi kishte hipur në makinën e tij tip “Mitsubishi”, i është drejtuar derës kryesore të stadiumit duke e rrëzuar në tokë. Kreu i klubit është afruar me makinë deri te dhomat e zhveshjes së gjyqtarëve. Burime nga policia bënë të ditur se kryebashkiaku kishte si qëllim të ndërhynte drejt dhomës së arbitrave. Por në këtë moment është ndaluar prej policëve, të cilët gjendeshin para portës së dhomës së gjyqtarëve. Në këto momente është rrezikuar edhe jeta e disa punonjësve të rendit, të cilët gjendeshin përballë makinës së kryebashkiakut. Ndërhyrja e forcave të rendit ka qenë e menjëhershme duke marrë në zotërim makinën e Bicit dhe e shoqëruar kryebashkiakun në komisariat, i cili ka qëndruar aty për rreth një orë. Procedimi penal Pas kësaj ngjarjeje jo të zakonshme, Policia e Gramshit ka nisur menjëherë procedim penal ndaj kryetarit të bashkisë, Dritan Bici. Një lajm të tillë e konfirmon vetë shefi i Komisariatit të Gramshit, Lulëzim Shala.  Precedenti Ndërkaq Bici ka edhe një tjetër precedent për sa i përket shoqërimit në polici për çështje të futbollit. Në sfidën e fazës së parë, Partizani-Gramshi, kreu i klubit gramshak ofendoi dhe u konfliktua verbalisht me gjyqtarët e ndeshjes dhe, pas përfundimit të takimit, u shoqërua në një prej komisariateve të kryeqytetit ku qëndroi për disa orë. Kryebashkiaku i Gramshit dhe njëkohësisht president i skuadrës, Dritan Bici, i kontaktuar nga mediat tha:  “Nuk është e vërtetë që kam hyrë me makinë në stadium. Unë jam drejtuar për te dhoma e gjyqtarëve duke ecur më këmbë.