Dr. Robert Gjedia: Rritja e cilësisë në Edukimin Fizik e Sportet, prioriteti ynë

1225
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Sociale dhe Edukimit në UMB “Marin Barleti”
Si u mbyll viti akademik në UMB “Marin Barleti”?
Në fakt, viti akademik vazhdon. Në datën 15 qershor mbyllim semestrin e parë të Bachelor-it, ndërsa nga data 17 qershor e deri më 10 korrik, provimet. Ndërsa në Master, sipas grafikut, mbyllja bëhet në mesin e muajit korrik 2017. Duhet thënë se është një vit akademik i ngarkuar, ku mbi të gjitha, do ta quaja edhe një vit të suksesshëm me plot risi.

Cila është hapësira që zë sporti në Universitetin “Marin Barleti”?
Programi i Edukimit Fizik e Sportet, ka vendin e vet në zhvillimin e sektorit të sporteve. Ky është një program i licencuar dhe i akredituar edhe në kuadrin e vlerësimit të jashtëm, i cili është bërë nga ekspertët anglezë..

Sa vend zë në këtë program edhe përvoja e brendshme në edukimin fizik e sportet te UMB-ja?
Kurrikula e programit të Edukimit Fizik e Sporteve, është hartuar e mbështetur fort edhe në përvojën shqiptare të arsimit të lartë. Në fillesat e saj para 7 apo 8 viteve, është bashkëpunuar me kolegë nga UST-ja (ish-Instituti i Kulturës Fizike e Sporteve “Vojo Kushi”), sikurse janë shqyrtuar edhe kurrikula të vendeve evropiane, si Itali, Gjermani, Angli, etj, duke dalë me programe të edukimit origjinal, në krahasim me programet e tjera të kësaj fushe.

Te UMB-ja, si bëhet formimi i studentëve të kësaj dege?
Bëhet nëpërmjet leksioneve, seminareve, praktikave e laboratorëve, të cilët zhvillohen në mjediset e Kampusit 2 të UMB-së, por edhe në mjedise të tjera sportive të Tiranës. Ne këtu, kemi sportistë shqiptarë të shquar në sporte individuale e kolektive, të cilët kanë nxitur e promovuar sportin në kryeqytet, por kemi edhe ekipin e volejbollit të të Rriturave, Kampion për të gjashtë herë radhazi, e fitues të disa trofeve në këto vite. 

Për degën e sporteve, në UMB “Marin Barleti”, në edukimin e Master-it Profesional marrin pjesë edhe studentë qe kanë kryer Bachelor-in në universitete të tjera, pse ndodh kështu?
Në UMB “Marin Barleti”, bëhet Master Profesional në mësuesi si në të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë. Por, ne jemi i vetmi institucion jopublik arsimor që ofrojmë Master-in tonë, konform udhëzimeve ligjore. Aty regjistrohen studentë që kanë kryer Bachelor-in në fushën e Edukimit Fizik e Sportet, si edhe në degë të përafërta me të, të cilat bazohen tek udhëzimi i MAS-it.

Ka ndonjë të veçantë tjetër Master-i në UMB “Marin Barleti”?
Niveli Master tek ne afron disa lëndë, si: metodologji e përgjithshme e mësimdhënies, didaktikë e edukimit fizik, metodologji të lojrave individuale, metodologji të lojërave kolektive, si dhe mjaft lëndë të tjera të formimit të edukimit profesional, të cilët mundësojnë kualifikim të vlefshëm me kompetenca profesionale në edukimin fizik e sportet. Përmend këtu, praktikat e integruara e profesionale në çdo lëndë si fushë më vete në sport.

Në të dy nivelet, si ka qenë cilësia nga studentët që kanë studiuar në UMB për Sportet?
UMB-ja është një shkollë e lartë, ku cilësia është një nga kriteret kryesore të mësimdhënies. Ne kemi studentë të shkëlqyer, por kemi edhe studentë të tjerë që duan të jenë pjesë e edukimit të arsimit të lartë. E përgjithshmja është se kanë rezultate mesatarisht të mira, të cilat i kanë përmirësuar vit pas viti.

Çfarë keni menduar ju në UMB për ta bërë sportin sa më të pranishëm në komunitet?
Edhe për këtë, jo vetëm që është menduar vite më parë, por edhe është punuar për zgjerimin e bashkëpunimit me shkollat e Tiranës. Kjo bëhet për ta nxitur edukimin fizik e shëndetësor, për ta bërë sportin sa më të pranueshëm në komunitet. Kemi praktika të tilla me gjimnazet “Petro Nini”, “Besnik Sykja”, “Çajupi”, etj.

Si ka qenë bashkëpunimi i UMB-së me homologët në rajon, e më gjerë?
Në Shqipëri, në fushën e sportit, ne kemi bashkëpunim të ndërsjellë me UST-në, ku në institucionin tonë shumica e pedagogëve të jashtëm janë nga ky universitet. Një dëshmi e gjallë e bashkëpunimi rajonal për sportet, ishte edhe Konferenca Ballkanike për Sportin, që Universiteti “Marin Barleti” organizoi dy javë më parë. Aty patëm të pranishëm partnerë që zhvillojnë edukimin fizik e sportet nga Kosova, Greqia, Maqedonia, Italia e Bullgaria, dhe kjo i dha impakt arritjeve sportive në Ballkanin Perëndimor. 

Do ta vazhdoni më pas këtë bashkëpunim rajonal për sportin?
Natyrisht që po, sepse aty u vendos që, çdo dy vite të organizohet një Konferencë Ballkanike për Sportet, njëherësh u propozua që të zhvillohen kampionate sportive në nivel ballkanik. Njëherësh, në këto bashkëpunime vëmendje i kushtohet edhe nxitjes së vëmendjes nga ana e institucioneve shtetërore, për të ruajtur e memorizuar kujtesën (historinë) e zhvillimit të sporteve, nëpërmjet krijimit të Muzeut Kombëtar të Sportit.
Ajo që e bën më besimplotë punën tonë me sportet, është kujdesi e vëmendja e posaçme që Administratori Gafurr Dudaj ka për këtë program të Edukimit Fizik e Sporteve, dhe jo vetëm
Sigal