Dopingu i sportit shqiptar

404

Viti i zi i peshëngritjes sonë, katër sportistë të dopuar. Pulaku u përjashtua nga “Londër 2012”

Paraqitjet e varfra të sportistëve shqiptarë në Lojërat Olimpike “Londër 2012” – ku vendi më i mirë i arritur deri tani është i 9-të, i peshëngritësit Briken Calja (69 kg), –  si dhe skandali i dopingut i shtangistit Hysen Pulaku, largimi i të cilit nga Fshati Olimpik bëri ndërkombëtare, vetëm një ditë para nisjes së zyrtare të Olimpiadës, për përdorim substance të ndaluar “stanozolol”, ka prodhuar situatën më të keqe që ndoshta është ndodhur sporti ynë në arenën ndërkombëtare. Duke shtuar edhe akuzat midis shefit të misionit të delegacionit shqiptar, Viron Bezhani, ndaj Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, si dhe kundërakuzat e sekretarit të FSHP-së, Ilir Kraja, por edhe të kreut të Agjencisë së Kontrollit Antidoping në Shqipëri, Mel Ostrenit, atëherë e kupton se sporti në vendin tonë nuk ka vetëm problemet e mosarritjeve të rezultateve ndërkombëtare, por kriza e tij është shumë e thellë, madje edhe institucionale, dhe reflekton ngërçin që ekziston midis Ministrisë të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, si dhe federatave sportive.

 VITI I ZI

Kur duhej të ishte një “vit i lumtur” për sportin më elitar në vendin tonë, peshëngritja shqiptare përjetoi një nga vitet me të zeza të saj. Në harkun e një viti, katër shtangistë u kapën me doping: Shqiponja Brahja, pas Botërorit të Parisit (tetor 2011); Ilirjan Suli (shkurt  2012) gjatë një kontrolli rutinë jashtë kompeticionit; Erkand Qerimaj (maj 2012), gjatë Kampionati Europian të Antalias, ku peshëngritësit më me shumë trofe në Shqipëri, iu hoq edhe titullin e kampionit të Europës, së bashku edhe me medaljet, por dhe e drejta për të marrë pjesë në “Londër 2012”, dhe tani, rasti më i rëndë, i Hysen Pulakut (korrik 2012), në prag të Lojërave Olimpike. Katër raste që, e kanë kompromentuar rëndë peshëngritjen shqiptare dhe integritetin e saj ndërkombëtar, duke mos harruar rastet e mëparshme me Ilir Kafaranit (të përjashtuar përjetë) apo Fetije Kasajt (të rehabilituar). Nga një sport elitar, që ka bërë krenar të gjithë shqiptarët, peshëngritja jonë ka marrë namin e keq. Kuptohet, jo për të gjithë.

 AKUZAT

Shefi i ekipit olimpik shqiptar në “Londër 2012”, Viron Bezhani,  akuzoi publikisht përmes mediave Federatën Shqiptare të Peshëngritjes se, është fajtore në rastin e pezullimit për doping të sportistit tonë Hysen Pulaku nga Olimpiada britanike. Bezhani e tha haptazi se, Federata nuk ka vepruar për të parandaluar këtë rast, pasi nuk ka bërë kontrollet e duhura para Olimpiadës, duke u mjaftuar thjesht me një pyetje-përgjigje me sportistin, dhe jo ta ketë detyruar atë të kryejë kontrollin antidoping. Sipas Bezhanit, Pulaku ka 1 vit e gjysmë që nuk ka bërë asnjë kontroll antidoping, duke qenë i vetmi si i tillë. Bezhani, dikur një ish-sekretari i Federatës Shqiptare të Mundjes, theksoi se ky ishte rasti i tretë i dopingut në peshëngritjen shqiptare vetëm në vitin 2012 dhe ftoi drejtuesit e saj të jepnin dorëheqjen. Në qendër të akuzave “Bezhani” përfundoi edhe Romela Begaj, vendi i 11-të në “Londër 2012” (vendi i 6-të në “Pekin 2008”). Në fakt, Begaj nuk stërvitet më me trajnerin e saj të mëparshëm, Hektor Shaqiri, por nga trajneri bashkëshort i saj, Gazmend Hakcani. Bezhani tha se, Begaj nuk dha rezultatin e saj më të mirë, pasi nuk stërvitet më nga ish-trajneri i saj.

 KUNDËRAKUZAT

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes,  Ilir Kraja, me deklaratat e tij në media, deklaroi një version të tijin për rastin “Pulaku”, duke ia hedhur “topin e fajit”, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Sipas Krajës, KOKSH-i duhet të kishte bërë kontrollin antidoping të shtangistit Hysen Pulaku, të cilin e zhvilloi edhe me sportistët e tjerë në hotel “Rogner” përpara se delegacioni të nisej për në Londër (më 17 korrik).

Sekretari Kraja ka mbrojtur edhe faktin që Romela Begaj nuk ka më trajner Hektor Shaqirin, por të shoqin duke thënë se ajo ka pasur rritje në rezultate pasi në Olimpiadë ngriti 1 kg më shumë sesa në Europianin e Antalias, ku doli nënkampione e Europës. Gjithashtu Kraja bëri akuza direkte për Agjencinë e Kontrollit Antidoping, të drejtuar nga mjeku Mel Ostreni.

 ANTIDOPINGU

Rreth skandalit të dopingut me peshëngritësin Hysen Pulaku, mjeku Ostreni, duke folur nga Londra, hodhi poshtë pretendimit e Sekretarit të Federatës së Peshëngritjes, Ilir Kraja.  “Nuk është e vërtetë që qendra dhe Komisioni Antidoping në Tiranë nuk vepron. Vepron, por njësia kohore që mbështetemi ne në Tiranë jashtë gare është e tillë që brenda 20-30 ditëve të jepet rezultati. Sportisti në fjalë nuk ka qenë fare në Tiranë dhe ka ardhur tre ditët e fundit. Në momentin që erdhi ia morëm analizat. Nuk e ka fajin komiteti por e ka fajin Federata e Peshëngritjes. Federata në qoftë se do grumbullonte ekipin nuk dihet ta linte njërin në Amerikë, njërin në Bullgari dhe tjetrin në Greqi, por duhet t’i grumbullonte të gjithë bashkë. Pulaku nuk ka qenë prezent dhe ka munguar në dy kontrolle që janë zhvilluar në Tiranë me justifikimin që ka qenë në Kaliforni. Ne i sugjeruam Federatës së Peshëngritjes që të kontaktonte me sportistin dhe të paraqitej në Los Anxheles, ku është qendra e antidopingut për Kaliforninë, dhe ta bënte atje kontrollin, gjë që se bënë”, tha Ostreni.

 PROBLEMET

Komiteti Olimipik Kombëtar Shqiptar, dashur pa dashur është përgjegjës për imazhin negativ ndërkombëtar, të sportistëve tanë. Ai është organizatori në vendin tonë, për të gjitha masat organizative të delegacionit në Tiranë, e deri në përcjelljen dhe qëndrimin në “Londër 2012”, gjatë së cilës u vizitua edhe nga kryeministri Sali Berisha dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Problemet janë të shumta. Shqipëria mund të vendoste një rekord të sajin në “Londër 2012”, përsa i përket numrit të sportistëve, me 12 të tillë, një më shumë se në “Pekin 2008”, por një mungesë koordinimi midis Federatës Shqiptare të Atletikës dhe një trajneri, bëri që rekordmenia shqiptare në 1500 metra, Luiza Gega, të mos regjistrohej dot për në “Londër 2012”, kjo për shkak të paaftësisë së institucioneve sportive në menaxhimin e sportistëve. Me largimin e Hysen Pulakut për doping, numri i sportistëve u reduktua në dhjetë, dhe me mospjesëmarrjen e Klodiana Shalës (për shkak të dëmtimit), numri i sportistëve që do të garojnë në kryeqytetin britanik zbret në nëntë. Ngjarja e dytë ka të bëjë më dorëzimin e flamurit në prag të nisjes delegacionit sportiv. Sipas protokollit, atë e dorëzon Presidenti i Republikës, por Romela Begajt, ia dorëzoi ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi. Po kaq e shëmtuar është dhe nisja pjesë-pjesë e sportistëve tanë në Olimpiadë.

 Aventurë zhgënjyese

Rezultatet tona kanë qenë zhgënjyese. Të vetmit, që mund të mburren, janë dy notarët Noel Borshi dhe Sidni Hoxha, që thyen rekordet Kombëtare në garat e tyre. Qitësi Arben Kuçana u rendit i 20-ti nga 44 sportistë, por shumë afër me sportistët që u kualifikuan në finale, ndërkohë që dështimi më i madh sportiv ishte xhudistja Majlinda Kelmendi, që nga pretendente medalje u eliminua që në fazën e 1/8. Romela Begaj nuk mundi të arrinte objektivin e saj për të hyrë në zonën e medaljeve, ndërsa Brigen Calja zhvilloi një garë të mirë në peshën 69 kg, duke u renditur i 9-ti. Zhgënjen më shumë Daniel Godelli, që u skualifikua nga gara pasi nuk mundi të realizonte asnjë provë në shkëputje, ndërkohë që në peshëngritje pritet vetëm gara e Endri Karinës në peshën 94 kg, që gjithsesi nuk futet në grupin e pretendentëve.

Nuk besohet se do të lërë shenjë në këtë Olimpiadë Adriatik Hoxha i hedhjes së gjyles.

 Shala tërhiqet nga Olimpiada

 Atletja shqiptare, Klodjana Shala tërhiqet nga Lojërat Olimpike të Londrës. Lajmin e konfirmon për “Top Channel”, mjeku i ekipit olimpik, Mel Ostreni, sipas të cilit dëmtimi i vjetër i saj e bën të pamundur garimin në 200 metra. “Është e vërtetë ka një dëmtim i cili është një dëmtim i vjetër që herë pas here i rishfaqet. Iu rishfaq në stërvitje, iu bënë të gjitha ekzaminimet në fshatin Olimpik nga mjekë anglezë, e  shoqërova edhe unë. Iu bë dhe rezonanca magnetike me disa mënyra që ne nuk i bëjmë dot në Tiranë, kështu që rezultoi e dëmtuar. Menjëherë pas kësaj të nesërmen u gdhi me temperaturë dhe në këto kushte vendosëm që ajo të mos marrë pjesë në garë”, tha mjeku Mel Ostreni.