Donilda Sufaj: Jeta për mua si futbolliste filloi me paragjykimet dhe po mbushet me trofetë

840
Sigal

Intervista/ Flet për “Telegraf”,  futbollistja Donilda Sufaj:

Nëse kthemi disa vite më para në kohë, shohim një hapësirë boshe të futbollit të femrave, por tani në vitin 2015, kjo hapësirë pak e nga pak po mbushet me futbolliste, me ekipe dhe me ekip Kombëtar. Këtë herë në fokus kemi Donilda Sufaj, futbollistja e ekipit të Vllaznisë që aktivizohet si mbrojtëse por nuk ngurron edhe të shënojë gola, madje ka shënuar gola më shumë sesa ka marrë kartonë gjatë karrierës së saj. Çdo gjë nisi në sajë të dëshirës, ku përtej “fjalëve të botës” vendosi të ndiqte pasionin, pasion që i tregonte vetëm një rrugë, atë të futbollit. E pikërisht këtu, ajo u bë ndër të parat futbolliste në Shqipëri, me trofe të shumtë, me grumbullime tek skuadra Kombëtare, ku ishte pjesë edhe e fitores ndaj Greqisë për eliminatore. Nuk ngurron të tregojë diçka nga jeta e saj, që nga vlera që ka futbolli për të e deri tek ëndrra për të vazhduar karrierën si trajnere.

Si filloi çdo gjë për ty, Donilda?

Në fakt unë kam luajtur futboll që kur kam qenë e vogël, me kushërinjtë, e ishte normale që atëherë nuk bëhej fjalë për futboll femrash. Që në momentin që kam dëgjuar për futbollin e femrave më ka pëlqyer si ide, por nuk e mendoja se një ditë do arrija të luaja, deri një ditë kur një shoqe më regjistroi dhe unë e mendova seriozisht si ide.
A ishte familja dakord në lidhje me këtë?
Në fakt kur i pyeta nuk prisja përgjigje pozitive, por çuditërisht ata ishin dakord, (qesh). Me të marrë lejen, pas disa ditësh u paraqita tek The Door Albania, ku pas një seance stërvitore me skuadrën, arrita të bëhesha pjesë e saj pas dy ditësh dhe mbaj mend madje që ndeshja e parë që unë luajta u mbyll me fitoren tonë, 1-0.

Është jeta jote e ndarë në dy pjesë, mes futbollit dhe jetës normale, apo edhe futbolli është “jetë normale” për ty?
Në fakt unë nuk e mendoj jetën pa futboll. Kur nuk luaj futboll më duket sikur diçka më mungon. Unë tashme e kam lidhur jetën me sportin, duke qenë se kam mbaruar studimet për Edukim Fizik e Sporte, kështu që nuk kam sesi ta ndaj futbollin nga përditshmëria.
Po sa çmime keni fituar deri më tani?
Deri tani kemi fituar 4 kampionate (3 me KFF.Ada dhe 1 me KFF Vllaznia), 3 Kupa (1 me KFF.Ada e 2 me KFF Vllaznia) , 2 Superkupa (1 me KFF Ada e 1 me KFF Vllaznia)
dhe jemi në rrugën e duhur për të fituar kampionatin e 5-të.

Po ju paguheni nga klubi?
Duke qenë kampione katër vite rresht, sigurisht që kemi arritur në një stad ku mund të flasim edhe për një farë profesionalizmi, dhe profesionalizmi ka të bëjë edhe me pagesat, përveç të tjerash. Sigurisht që pagat janë modeste por jemi i vetmi ekip që paguhemi në Shqipëri dhe ndër të paktat në Ballkan.
Pra, pagesa është e pakët, që do të thotë se luani vetëm për pasion dhe jo për fitim, apo jo?
Sigurisht! Pa pasion nuk bëhet asgjë, megjithatë te ne mbizotëron pasioni në krahasim me fitimet, prandaj edhe vazhdojmë të jemi pjesë e kësaj loje.

Ke qenë pjesë me Kombëtaren?
Kam qenë e grumbulluar për ndeshjen kundër Norvegjisë në Norvegji dhe ne Shqipëri, Greqisë në Shqipëri, ku kujtoj më së shumti fitoren 1-0 ndaj Greqisë.

Te shijon një fitore më shumë me Kombëtaren apo me klubin?

Në fakt fitorja të shijon gjithmonë me çfarëdo ekipi që të jesh, por fitorja e Kombëtares gjithmonë është ndjesi e veçantë. Unë kur shoh ekipin Kombëtar në TV kam emocione të veçanta dhe kënaqësi të madhe kur fitojnë, jo më ta përjetosh nga afër, pasi në këtë rast është ndjesi e papërshkrueshme.

Grindjet me kundërshtaret në fushë janë të pashmangshme. Ti je grindur ndonjëherë?
Edhe pse jam cilësuar si lojtare ”fair play” mendoj se momente te tilla janë të pashmangshme në futboll, nganjëherë edhe nga trysnia e ndeshjes, emocioni ose edhe kundërshtarja “e bezdisshme”. Mbaj mend gjate një ndeshje për Kupë, para 3-4 vitesh, kam pasur një grindje të vogël me një lojtare, pas një ndërhyrje nga prapa nga ana e saj. Unë reagova pak, ndërsa ajo pas reagimit negativ u ndëshkua me të kuqe

Po me shoqet e skuadrës ka grindje? Apo ruani frymë harmonie?
Me shoqet e skuadrës, në përgjithësi, kam marrëdhënie shoqërore shumë të mira. Ka momente, gjatë stërvitjeve ose edhe ndeshjeve, kur ndoshta “nevrikosemi” për momentin, megjithatë janë gjera normale që zgjidhen në çast.

Po në marrëdhënie me arbitret/arbitrit si jeni, i shani nën zë apo me zë?
Haha, në fakt, fatmirësisht, nuk jam tip që shaj. Normale që ka raste që nevrikosemi me arbitrit, me të drejtë ose pa të drejtë, por vetë fakti që nuk kam marrë ndonjëherë karton të kuq por vetëm 2 të verdhë tregon që nuk kam pasur ndonjëherë probleme me ta.

Je dëmtuar ndonjëherë?
Dëmtimet janë pjesë e futbollit dhe sportit, është shumë e vështirë që një sportist/e të luajë pa u dëmtuar. Sigurisht që edhe unë kam pasur disa dëmtime të zakonshme për futbollistët, megjithatë mendoj se i kam kaluar më së miri, pa probleme serioze.

Do donit të zhvillonit miqësore me skuadrën e meshkujve të Vllaznisë?

Hahaha, nuk mendoj se jemi në nivel për të zhvilluar një ndeshje të tillë në fakt, megjithatë do të ishte eksperiencë e veçantë.

A ke ndeshur me paragjykimin e njerëzve kur ke filluar të luash?

Mendoj se akoma nuk janë shuar paragjykimet. Jetoj në një vend ku paragjykimet janë ushqim i përditshëm për njerëzit, fatkeqësisht. Megjithatë, për fat të mirë këto paragjykime nuk kanë ndikuar tek unë, pasi falë mbështetjes së familjarëve e të afërmve të mi. Me lejen tuaj, do doja të falënderoja pa masë mamanë time që pavarësisht se e vetme, e me gjithë fjalët e njerëzve nuk na ka ndaluar asnjëherë ëndrrat tona, si dhe te gjitha arritjet e mia do doja t’ia dedikoja babait tim që nuk jeton më.

 E sheh veten si trajnere në të ardhmen?

Trajnimi është një ëndërr e imja në fakt, që shpresoj ta realizoj në të ardhmen, megjithatë kam akoma punë për të bërë.

 Një pyetje të fundit, mendon se humbet feminiliteti tek një femër futbolliste?

Jo, nuk mendoj kështu. Edhe pse nuk e vë në dyshim se në sytë e shumicës diçka e tillë merret si bazë. Në fakt, futbolli është pjesë e ditës dhe e jetës, jo e gjithë jeta, kështu që bie poshtë ky “pretendim”.

 Shumë faleminderit!