Do garojnë mbi 2500 vrapues, nga 40 shtete të Botës

Nga Agron KAJA

VEPRIMTARIA/ Të dielën më 15 tetor 2017, do të zhvillohet në kryeqytet Maratona e Tiranës, ja plani masave i Bashkisë

Vjeshta erdhi, dhe bashkë me të edhe Maratona e Tiranës, e cila dje ka marrë rikonfirmimin zyrtar nga Bashkia e Tiranës, si organizatore e këtij eventi. Në njoftimin e zyrës së shtypit në Bashki, dje u mësua se, ditën e diel më 15 tetor 2017, kryeqyteti do të mirëpresë e do të ndjekë këtë event, në të cilën janë regjistruar për të marrë pjesë mbi 2500 vrapues nga 40 shtete të Botës. Maratona do të përshkojë disa nga pikat më kryesore të qytetit, e për këtë arsye Bashkia e Tiranës, përmes Policisë Bashkiake dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për organizimin e lëvizjes së automjeteve për mbarëvajtjen e saj. Për ta bërë sa më tërheqëse dhe të ndjekur këtë Maratonë, Bashkia e Tiranës dëshiron të informojë qytetarët në Tiranë, se kufizimi i qarkullimit të automjeteve, por edhe i parkimit të tyre në segmentet ku do të zhvillohet Maratona, do të fillojë më 13-15 tetor 2017, duke nisur nga ora 00:00 e datës 13 tetor, dhe përfundon në orën 14:00 të datës 15 tetor. Për këtë, Bashkia e Tiranës i kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për ndalimin e parkimit në datën 15 tetor që do të zhvillohet Maratona, por i fton gjithë ata që nuk garojnë, të dalin në datën 15 tetor dhe të mbështesin sportistët pjesëmarrës, për ta kthyer këtë garë sportive në një ditë feste. Gjysmë Maratona e Tiranës zhvillohet në 3 kategori: 21 km; 10 km dhe “We too” (gara për persona me aftësi ndryshe).

Ja kufizimet sipas Bashkisë Tiranë, për qarkullimin e parkimin e automjeteve:
1. Ndalohet qarkullimi në sheshin "Nënë Tereza" nga ora 00:00 e datës 13 Tetor 2017, deri në datën 14 Tetor. Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët "Ibrahim Rugova", "Papa Gjon Pali II" dhe në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit"; 
2.Ndalohet qarkullimi në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", Rr. "Lek Dukagjini" dhe sheshin "Nënë Tereza" në datën 14 Tetor 2017, nga ora 08:00 deri në orën 12:30. Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të në rrugën "Ibrahim Rugova", "Papa Gjon Pali II", "Rruga e Elbasanit" dhe "George Bush"; 
3.Ndalohet qarkullimi në segmentet rrugore "Lekë Dukagjini", "Ibrahim Rugova", "Rruga e Kavajës", deri tek rrethrrotullimi përballë "Kishës Ortodokse", "Ded Gjo Luli", Bulevardi "Zogu I", "Urani Pano", "Rruga e Barrikadave", "George W Bush", "Abdi Toptani" dhe dhe Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" në datën 15 Tetor 2017, nga ora 05:00 deri në orën 14:00.