Dita e gjykimit të madh, sot Brazil-Gjemani

465
Sigal

E gjithë bota është me sytë nga “Belo Horizonte”, atje ku do të përcaktohet finalisti i parë

 Sot bota e futbollit do të mbajë sytë nga Brazili, atje ku në Belo Horizonte do të përballen në gjysmëfinalen e parë vendi organizator me Gjermaninë. Në fakt, “Brazil 2014” nuk mund të dhuronte dy gjysmëfinale më të bukura, se Brazil-Gjermani dhe Argjentinë-Holandë, me katër gjigandë të futbollit botëror që do të luajnë tashmë për një vend në finalen e “Maracana”-s me njëri-tjetrin e miliarda sy në mbarë globin që do të presin të shohin magjinë e radhës nga kampionët e tyre. Plot 10 tituj botëror do të jenë në fushë në këto dy sfida, më shumë se gjysma e kompeticioneve të luajtura deri tani, dhe tre kampionë bote, me Holandën, e cila nga ana e saj kërkon të shkruajë emrin për herë të parë në histori. Dy amerikano-jugore përballë dy skuadrave europiane, një barazpeshë e plotë mes dy kontinenteve që në futboll rivalizojnë për gjithçka. Takimi i parë gjysmëfinal do të luhet në Belo Horizonte, mes Brazilit organizator dhe Gjermanisë, dy skuadra që pothuajse kanë qenë të barabarta në gjithçka deri në këtë fazë. Fati megjithatë duket sikur është rreshtuar kundër “Selesaos”, që në sfidën më të rëndësishme në këtë Botëror deri në këto momente nuk do të ketë shërbimet e Nejmar që e mbylli Botërorin e tij, por gjithashtu dhe të Villian, që pësoi një dëmtim në shpinë në stërvitje dhe që shikohej nga të gjithë si zëvendësuesi i tij. Ndërsa në mbrojtje do të mungojë për shkak kartonësh kapiteni Tiago Silva, që konsiderohet nga të gjithë një prej pikave më të forta të “Selesaos”. Në ndeshjen me Kolumbinë Brazili u duk se u rikthye në identitet duke luajtur më në fund një futboll tërheqës ndërsa Gjermania nga ana e saj sfidën më të mirë të këtij Botërori e ka luajtur me Portugalinë, ndërsa me Francën u shfaq shumë pragmatiste. Të dyja ekipet mbërritën në gjysmëfinale me gola të lojtarëve mbrojtës, Brazili me ato të Thiago Silvës e Luiz ndërsa gjermanët me atë të Mat Hummels. Statistikat flasin ndjeshëm në favor të Selesaos që ka fituar 12 nga 21 përballje, pesë kanë përfunduar në barazim ndërsa katër janë fituar nga gjermanët. Janë dy përfaqësueset e vetme që kanë arritur tre herë radhazi në finale, Gjermania nga 1982 deri në vitin 1990 duke ja lënë më pas stafetën Brazilit nga 1994 deri në 2002. Deri në këto momente kanë gjithçka të barabartë në shifrat e fushës, duke realizuar të dyja nga 10 gola, e duke pasur një saktësi në goditjen e portës në 70 për qind. Në një Botëror janë ndeshur vetëm njëherë në vitin 2002 dhe asokohe “Selesao” fitoi 2-0 me dy gola të Ronaldos duke rrëmbyer dhe titullin e pestë. Pavarësisht mungesave vështirë se mund të japësh një parashikim se cila prej këtyre dy përfaqësueseve do të jetë në finalen e Maracanas. Në gjysmëfinalen tjetër do të përballen dy skuadra që vuajtën shumë për të arritur aty, Argjentina dhe Holanda. Te “La Selecion” më në fund u zhbllokua Higuain, ndërsa Mesi sërish u shfaq vendimtar dhe mund të jetë futbollisti që mund të vendosë një sfidë të madhe. Skuadra e Sabellas i ka fituar të gjitha takimet deri në këto momente me diferencë të vetëm një goli. Mungonte në një gjysmëfinale që prej vitit 1990 dhe në tre rastet e fundit që kishte kaluar grupin ishte eliminuar

Bastet, Gjermania favorite

 Gjermania është favorite i kompanive të basteve në ndeshjen kundër Brazilit, duke paralajmëruar kështu vendin organizator. Fitorja e Gjermanisë është kuotuar 2.74, ndërsa ajo e Brazilit 2.76. Barazimi është 3.14. Argjentina është favorite ndaj Holandës: 2.40 kundrejt 3.19 (barazimi 3.14).

Bilanci thotë “samba”

 Brazili dhe Gjermania janë ndeshur 21 herë midis tyre, me brazilianët që dominojnë dukshëm: 12 fitore për Brazilin, 5 barazime dhe vetëm 4 fitore për gjermanët. Edhe përsa u përket titujve të fituar, Brazili ka 5, ndërsa Gjermania ka fituar 3. Në finalen e Botërorit 2002 fitoi Brazili 2-0.

Rikupereohet Vilain

 Mesfushori i Brazilit, Vilian, i cili u dëmtua në shpinë gjatë stërvitjes të shtunën e kaluar heq çdo dyshim rreth aktivizimit të tij me Gjermaninë në gjysmëfinale  të Botërorit. 25-vjeçari siguron se dëmtimi i tij nuk është aq serioz sa për të rrezikuar aktivizimin ndaj “pancerave”. “Ndihem shumë mirë. U dëmtova në pjesën e majtë të shpinës, por nuk është asgjë për t’u shqetësuar. Unë jam stërvitur rregullisht ndaj do të jem në fushë nëse Scolari mendon të më aktivizojë”. Situata e Villian u jep frymëmarrje tifozëve brazilianë, që vazhdojnë të qajnë dy mungesa shumë të rëndësishme me Gjermaninë, mbrojtësin Tiago Silva dhe sulmuesin Neymar.

  Johakim Lëv: “Gjermania nuk e ka frikë Brazilin”

 Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, e ka të qartë që në gjysmëfinalen e Belo Horizontes formacioni i tij nuk do të ketë përballë një Brazil spektakolar, por një kundërshtar të ashpër dhe të fortë që do të dalë jashtë traditës së tij.

“Brazili nuk luan futbollin e tij tradicional, me atë stil artistik që të gjithë e njohim. Sigurisht që Selecao ka në përbërje lojtarë teknikë, por sot luajnë një futboll më fizik dhe më të fortë. Kërkojnë ta shkatërrojnë sulmin e kundërshtarëve dhe nga ky moment të ndërtojnë”. Tema e arbitrave është ajo që e shqetëson më shumë 54-vjeçarin. “E kam ndjekur me kujdes takimin Brazil–Kolumbi dhe pashë që kishte ndërhyrje  të ashpra nga të dy ekipet. Kishte faulle për të shkatërruar lojën dhe jo dyluftime për të fituar topin. Thjesht synohej të ndërpritej loja. Shpresaj që në gjysmëfinale gjyqtari të jetë më i ashpër duke marrë masat përkatëse. Duke komentuar mungesën e Nejmarit, Lëv kujtoi se mund të jetë edhe më keq për Gjermaninë. “Mendoj se Brazili do të jetë më i vështirë për t’u mundur pa Neymar. Pa dyshim që ai është një lojtar me talent të jashtëzakonshëm, por para kësaj fatkeqësie, shokët e tij të skuadrës do të jenë më të bashkuar”. Ndërsa për mungesën e një stili të qartë loje në skuadrën e tij, Lëv shtoi:

“Asnjë skuadër nuk po zhvillon një lojë spektakolare në këtë botëror, të gjithë po luajnë fort fizikisht për të shkatërruar lojën e kundërshtarit. Asnjë ekip nuk do të mund ta fitojë botërorin duke menduar për lojën e mirë. ‘

Partizani prezanton Fejzullahun

 Partizani prezantoi mbrojtësin Arbnor Fejzullahu, si përforcimin e radhës në kampin e kuq. Një lëvizje kjo që duhet të ndodhte javë më parë, por 21-vjeçari kishte hezituar për të hedhur të zezën mbi të bardhë pasi kërkonte kohë për të shqyrtuar të gjitha ofertat, kryesisht ato nga jashtë. Por tashmë kjo ka pak rëndësi, Fejzullahu është një lojtar i Partizanit, skuadër më të cilën kërkon të bëjë një tjetër hap cilësor në karrierë. Në prononcimin e parë si futbollist i kuq, Fejzullahu u shpreh se ishte bindur për t’iu bashkuar Partizanit nga projekti ambicioz i drejtuesve për t’iu rikthyer trofeve ndërsa prania e Shpëtim Duros dhe Sulejman Starovës ishte një arsye më shumë për të t’i thënë “Po” ofertës së presidentit Gazmend Demi. Fejzullahu ka qenë pjesë e përfaqësueseve U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, ndërsa dy sezonet e fundit është aktivizuar me Besën në Kategorinë Superiore.