Dita e Flamurtarit, i vetmi me shanse reale në Europë

543
Sigal

LIGA E EUROPËS/ Vlonjatët do të luftojnë, për të përmbysur dizavantazhin 0-2 me rumunët e Petrolulit

Në Vlorë janë të bindur se, Flamurtari ka forca për të ndalur sot rumunët e Petrolul Ploieshtit (19:00) dhe arritur kualifikimin për në turin e tretë të Ligës së Europës. Vlonjatëve u duhet minimalisht për të përsëritur suksesin 2-0, për ta çuar ndeshjen në shtesë e më pas me penallti, ndërsa mund të kualifikohet direkt nëse do të fitojë me tre gola në diferencë. Në ndeshjen e luajtur në Ploeisht, Flamurtari rezistoi për 76 minuta, ndërkohë që pësoi dy gola në harkun e tetë minutave të “çmendura” nga Petroluli me kapiten futbollistin e njohur Adrian Mutu. Mesfushori i Flamurtarit, Gjergji Muzaka, mbetet optimist për ndeshjen e dytë kundër Petrolul. Mesfushori mendon se vlonjatet mund të befasojnë në shtëpinë e tyre, duke përmbysur rezultatin 2-0 të takimit të parë. Muzaka theksoi se për të marrë rezultat pozitiv, të kuqtë duhet të përqendrohen te kundërsulmi, mbrojta e mirë dhe goditja në befasi. “Duhet të japim 100% të mundësive që kemi. Duhet të bëjmë një lojë perfekte në të gjitha repartet, pasi vetëm kështu mund t’ia dalim ndaj rumunëve. Këto janë takime delikate, por futbolli ka surpriza nga më të ndryshmet. Nëse shënojmë shpejt, atëherë rrisim presionin ndaj kundërshtarit. Duhet të përsërisim lojën që zhvilluam atje, pastaj rezultati nuk varet nga ne”, – tha Muzaka për mediat, i cili golin e tij të vetëm me Kombëtaren e ka shënuar pikërisht në barazimin 1-1 kundër Rumanisë për Euro 2012 (3 shtator 2010), në kohën kur trajner ishte i ndjeri Josip Kuzhe. Në turin e parë të Ligës së Europës, Flamurtari eliminoi gjeorgjianët e Sioni Bolnisi. Fitoi 3-2 në Gjeorgji dhe humbi 2-1 në Vlorë. Golin vendimtar të kualifikimit e shënoi Ardit Shehaj pesë minuta nga përfundimi i ndeshjes. Flamurtari e ka kaluar tri herë një tur, pikërisht në edicionin 1987-1988 (Kupa UEFA), në sezonin 2011-2012 (Liga e Europës) dhe në kompeticionin aktual (2014-2015). Në 28 ndeshje në Europë, Flamurtari ka regjistruar 6 fitore, 4 barazime e 18 humbje. Pas eliminimit të Kukësit (në turin e parë të Ligës së Europës); Skënderbeut (në turin e dytë të Ligës së Kampioneve) dhe eliminimi të pritshëm të Laçit (humbi 3-0 me Zorja Luhansk  në ndeshjen e parë të turit të Ligës së Europës), Flamurtari është i vetmi ekip shqiptar që ka ende shanse matematikore për të vazhduar më tej. Para nisjes për në Vlorë, trajneri i Petrolul Ploieshtit, Razvan Luçesku, tha për gazetën rumune “Prosport.ro” se në Vlorë e pret një ndeshje shumë e fortë me Flamurtarin, krejt e ndryshme nga ajo që u luajt në Rumani. Luçesku u tregua me stilin e tij karakteristik, tepër i kujdesshëm. “Sigurisht që, pres një ndeshje të madhe. Që të kualifikohesh, ti duhet të jesh i fokusuar dhe shumë mirë i përgatitur, duhet të jesh i freskët. Ne mund të konsiderohemi favoritë, por duhet të tregohemi të kujdesshëm. Akoma s’e kemi siguruar kualifikimin, gabimi i vogël mund të na ndëshkojë e të na rrezikojë”.

6 fitore

ka regjistruar Flamurtari gjatë 29 ndeshjeve të tij në Europë. Në bilanc janë edhe 4 barazime e 19 humbje.

FLAMURTARI KËTË SEZON

2014-2015/ Liga e Europës

Turi i parë

Sioni Bolnisi-Flamurtari 2-3

Flamurtari-Sioni Bolnisi 1-2

Turi i dytë

Petrolul Pl.-Flamurtari 2-0

Flamurtari-Petrolul/Sot, 19:00

Kompanitë e basteve kundër vlonjatëve

 Kompanitë kryesore të basteve në Europë nxjerrin fitues Petrolul edhe ndeshjen e dytë, pavarësisht se takimi luhet në Vlorë. Kështu, fitorja e rumunëve kuotohet 1.67, ndërkohë që ajo e Flamurtarit është 4.60. Barazimi është vendosur në 3.55. Flamurtari duhet të dëshmojë më lojën e tij se, është i aftë të dalë kundër parashikimeve të gjigantëve të basteve.

 Flamurtari-Petrolul

1    X    2

4.60 3.55 1.67

Humbje, dy ndeshjet e fundit në shtëpi

 Flamurtari i ka humbur dy ndeshjet e fundit në shtëpi në Ligën e Europës. Kështu, vlonjatët humbën 1-0 me Honvedin e Budapestit në sezonin 2012-2013, përpara se të humbitnin në Hungari me rezultatin 2-0. Kuqezinjtë dështuan 2-1 edhe ndaj Sioni Bolnisit gjatë edicionit aktual, por falë fitores 3-2 në transfertën e Gjeorgjisë u kualifikuan për më tej.

 Kualifikimet kuqezi

 Flamurtari e ka kaluar tri herë një tur, pikërisht në edicionin 1987-1988 (Kupa UEFA), në sezonin 2011-2012 (Liga e Europës) dhe në kompeticionin aktual (2014-2015).

FLAMURTARI NË EUROPË

1985-1986/ Kupa e Kupave

Flamurtari-HJK Helsnki 1-2, 1-3

1986-1987/Kupa UEFA

Flamurtari-Barcelona 1-1, 0-0

1987-1988/Kupa UEFA

Flamurtari-Partizan Beograd 2-0, 1-2

Flamurtari-Vismute Aue 2-0, 0-1

Flamurtari-Barcelona 1-0, 1-4

1988-1989/ Kupa e Kupave

Flamurtari-Leh Poznan 2-3, 0-1

1990-1991/ Kupa e Kupave

Flamurtari-Olimpiakos 0-2, 1-3

1991-1992/ Kupa UEFA

Flamurtari-Goteborg 1-1, 0-0

1996-1997/ Kupa e Kupave

Flamurtari-Humene 0-2, 0-1

2009-2010/ Liga e Europës

Flamurtari-Madhëruell 1-0, 1-8

2011-2012/ Liga e Europës

Flamurtari-Buduçnost 1-2, 3-1

Flamurtari-Jablonec 0-2, 1-5

2012-2013/ Liga e Europës

Flamurtari-Honved 0-1, 0-2

2014-2015/ Liga e Europës

Flamurtari-Sioni Bolnisi, 3-2, 1-2

Flamurtari-Petrolul Ploieshti 0-2

Bilanci: 29 ndeshje, 6 fitore, 4 barazime, 19 humbje

Kurbinasasit nuk kanë fituar asnjë nga shtatë ballafaqimet e tyre në Ligën e Europës

 Laçi, për dinjitet kundër Zorjas

 Laçi do të mjaftohet këtë sezon me kënaqësinë e kalimi të turit të parë të Ligës së Europës – një arritje historike për klubin. Humbja 3-0 në shtëpi me ukrainasit e Zorja Luhanskut nuk u jep asnjë shpresë për kualifikim kurbinasve, vetëm në rastin se në Ukrainë do të ndodhë një mrekulli në stadiumin “Obolon Arena” të Kievit, atje ku do të luhet edhe ndeshja duke u nisur nga ora 19:30. Formacioni i presidenti Pashka Laska e trajnerit Stavri Nicës mbërriti në Kiev për të mbyllur me dinjitet aventurën europiane, pasi në historikun e tij të shkurtër në arenënë ndërkombëtare – vetëm tri paraqitje – Laçi ka humbur edhe me rezultatin e thellë 7-1 ndaj bjellorusëve të Dnjepri Mogilevit.

Gjithsesi, barazimi 1-1 në Slloveni me Rudar Velenjën, jep shpresa për një paraqitje të mirë të kurbinasve në ndeshjen e tyre të tetë ndërkombëtare në Europë. Të çliruar psikologjikisht, pasi nuk u kërkohet të bëjnë të pamundurën, futbollistët laçianë janë të motivuar për të zhvilluar një ndeshje dinjitoze, pse jo për të marrë një rezultat pozitiv përballë një kundërshtari shumë më të fortë si nga cilësia ashtu edhe nga buxheti. Gjithsesi loja e formacionit të Stavri Nicës do të ketë karakter mbrojtës, pasi diferencat janë të ndjeshme. Në mbyllje të eksperiencës europiane, Presidenti Pashk Laska do të ulët në tryezë me lojtarët që nuk kanë kontratë për sezonin e ardhshëm, për të parë më pas mundësinë e përforcimeve me elementë të tjerë cilësorë, pasi Laçi synon të futet në garë me pretendime serioze.

Bardhezinjtë kurbinas zhvilluan dje seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Obolon Arena” të Kievit në orën 19:30. Trajneri Nica zhvilloi një seance me karakter atletik, e shoqëruar kjo edhe me anën taktike. Skuadra nuk do të ketë asnjë mungesë për shkak kartonësh apo dëmtimesh, duke qenë e plotë kundër Zorias.

 0 fitore

ka regjistruar Laçi nga 7 ndeshjet e tij në Europë. Bilanci i kurbinasve është 3 barazime e 4 humbje.

 7-1

Kjo është humbja më e thellë e laçjanë në Ligën e Europës, të pësuar nga Dnepër Mogilev i Bjellorusisë.

 LAÇI NË EUROPË

Sezoni 2010-2011/ Liga e Europës

Laçi-Dnepër Mogilev 1-1, 1-7

Sezoni 2013-2014/ Liga e Europës

Laçi-Diferdanzh 1-2, 1-3

Sezoni 2014-2015/ Liga e Europës

Laçi-Rudar Velenje 1-1, 1-1 (3-2p)

Laçi-Zorja Luhansk 0-3

Bilanci: 7 ndeshje, 0 fitore, 3 barazim, 4 humbje<

Bastet “dërmojnë” Laçin

 Kushdo që do të guxojë të vendosë paratë për fitoren e Laçit mund të shndërohet në milioner, pasi skuadra shqiptare kuotohet me koeficinetin 10.53 nga kompanitë e basteve. Fitorja e ukrainasve të Zorja Luhansk kuotohet në shifra shumë të ulëta 1.26, ndërsa barazimi 4.76.

 Zorja-Laçi

1    X    2

1.26 4.76 10.53

Lika: “Dua të fitoj Kupën me Teutën”

Hasan Lika e ka të qartë misionin e tij tek Teuta. Trajneri i “djemve të detit” dëshiron të fitojë Kupën e Shqipërisë, një trofe të cilin ai e ka fituar në vitin 2000, por me durrsakët. Ai është i kënaqur nga paraqitja e Teutës në katër ndeshjet miqësore që ka zhvilluar deri tani. Edhe pse durrsakët nuk kanë fituar asnjë takim kundër Botosanit (Rumani), Eintraht Braunshvajgut (Gjermani), Kardif Sitit (Uells) dhe Torpedo Moskë (Rusi), trajneri mendon se këto përballje i kanë dhënë mësime për të ardhmen. Lika i ka të qarta synimet për sezonin e ri futbollistik. Ish-trajnri i Partizanit pohoi se kërkon të fitojë Kupën e Shqipërisë si dhe të çoj në Europë durrsakët.

MIQËSORET E TEUTËS

NË AUSTRI

21.07.2014

Torpedo Moskë-Teuta 2-0

19.07.2014

Kardif Siti-Teuta 3-0

15.07.2014

Teuta-Eintraht Braunshvajg 0-3

13.07.2014

Botosani-Teuta 6-0