Disiplina lë Partizanin pa shikues

530
Sigal

Protestat ndaj gjyqtarit Cjapi. Të kuqtë do të luajnë pa lojtarin e 12-të kundër Besës

Partizani është i ndëshkuari i radhës i Komisionit të Disiplinës. Të kuqtë do të luajnë një ndeshje pa shikues (atë me Besën), për shkak të sjelljes së gabuar dhe në raste të përsëritura të spektatorëve gjatë ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia. Dënimi i Partizanit e çon në 15 numrin e klubeve të dënuara në të gjithë kompeticionet dhe në shtatë të atyre të Superligës. Nuk mungon në listën e dënimeve edhe lideri i kampionatit, Skënderbeu u dënua nga Komisioni Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, për të zhvilluar një ndeshje pa praninë e shikuesve, për shkak të sjelljes së tifozerisë së kuqe në ndeshjen e fundit kundër Partizanit. Kampionët në fuqi luajtën  pa praninë e “ujqërvë” ndeshjen me Flamurtarin (të fituar 2-0). Me një ndeshje pa shikues është dënuar edhe Laçi pas incidenteve në takimin me Kukësin. Pra, më shumë gjysma e ekipeve të Kategorisë Superiore (7 nga 12) janë dënuar ose zhvillimin e ndeshjeve pa shikuese (5 skuadra: Besa, Vllaznia, Skënderbeu, Laçi, Partizani) ose jashtë fushe (Flamurtari, Kukësi). Në fakt, dhuna e tribunave, gjithmonë e pranishme në stadiumet tona, i jep një tjetër imazh të dobët futbollit tonë, tepër të varfër në cilësi. “Rekordin” në këtë fillim sezoni e mbajnë stadiumet e Kukësit dhe të Flamurtarit, të cilat janë ndëshkuar shumë ashpër nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Kukësi, që bëri histori në Ligën e Europës, duke qenë skuadra e vetme që kaloi tre tyre eliminatore në kompeticionet europiane, u dënua me katër ndeshje jashtë fushe, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerje përfundimtare të ndeshjes Kukësi-Vllaznia (Vendimi: 17 shtator 2013). Gjyqtari kryesor u detyrua ta mbyllë lojën pa u konsumuar 90 minuta të plota. Në listën e ndëshkimeve është dhe Besa, e dënuar me dy ndeshje pa spektatorë, për sjellje të gabuar të spektatorëve në takimin Besa-Teuta, java e 2-të (Vendimi: 17 shtator 2013). Vllaznia u dënua me dy ndeshje pa spektatorë në “Loro Boriçi”, për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushën e lojës, gjatë takimit Vllaznia-Skënderbeu (java e 6-të), në momentin e festimit të golit të lojtarit të Skënderbeut, Gjergji Muzaka. Deri tani janë dënuar me gjobë nëntë klube, ku pesë prej tyre janë nga Kategoria Superiore, përkatësisht Vllaznia (50 mijë lekë), Laçi (50 mijë lekë) dhe Tirana (dy herë nga 50 mijë lekë), Skënderbeu (50 mijë lekë) dhe Teuta (50 mijë lekë).

Dënimet e fushave

Pa spektatorë

Besa       2 ndeshje

Vllaznia   2 ndeshje

Skënderbeu 1 ndeshje

Laçi       1 ndeshje

Partizani  1 ndeshje

Këlcyra    4 ndeshje

Himara     4 ndeshje

Burreli    1 ndeshje

Luftëtari  1 ndeshje

Përmeti    2 ndeshje

Egnatia    2 ndeshje

Jashtë fushe

Kukësi     4 ndeshje

Flamurtari 4 ndeshje

Mamurrasi  1 sezon

Erzeni     4 ndeshje

Agim Canaj ndëshkohet sërish

 Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, u dënua sërish me dy ndeshje pezullim nga aktivitetet nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së. Vlonjati u ndëshkua, për shkak të protestave të tij ndaj delegatit të ndeshjes Partizani-Vllaznia (0-0), të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, pas një vendim të gjyqtarit Kreshnik Cjapi. Canaj do të mungojë dy javë nga drejtimi i skuadrës së tij, por do të paguajë edhe një gjobë prej 100 mijë lekësh. Kjo është hera e dytë që trajneri i Vllaznisë dënohet në këtë sezon. Për herë të parë, Canaj u dënua me dy ndeshje pas protestave të tij ndaj gjyqtarëve në barazimin 1-1 me Bylisin.

FSV Frankfurti: “Mos u largo Kapllani!”

 Pas interesimit të fortë të Arminia Bielefeldit, FSF Frankfurti mund t’i ofrojë rinovimin Edmond Kapllani. Sulmuesit shqiptar i skadon kontrata në fund të sezonit dhe ai do të jetë një lojtar i lirë. 31-vjeçari, autor i shtatë golave këtë sezon me FSV Frankfurtin, u pezullua katër ndeshje nga klubi, për shkak se gjuajti një penallti pa miratimin e trajnerit. Lajmi për nisjen e mundshme të bisedimeve të FSV Frankfurtit me Kapllanin u dha nga mediat gjermane. Të hënën, FSF Frankfurti, ku aktivizohet edhe mesfushori shqiptar Odise Roshi, humbi 2-1 me Arminian e Bielefeldit, duke e përkeqësuar situatën dhe tani ndodhet shumë pranë zonës së rënies, nëse do të humbasë në transfertë kundër Këlnit.

 Valmir Berisha në shënjestrën e Liverpulit

 Liverpuli kërkon shërbimet e yllit kosovar të Kombëtares suedeze, Valmir Berisha, i konsideruar edhe si një “Zlatan Ibrahimoviç” i ri. Sulmuesi 17-vjeçar shkëlqeu në Kampionatin Botëror U-17 ku u shpall dhe fituesi i “Këpucës së Artë” me shtatë golat e shënuar në gjashtë ndeshje. Berisha ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane, por Liverpuli është seriozisht i interesaur për të bërë të vetin kosovarin. Përveç Liverpulit, një interesim të vazhdueshëm për sulmuesin ka shfaqur edhe Interi.

Berisha, grushte me Stafën

Sulmuesi i Besës, Bernard Berisha është përfshirë në një situatë aspak të denjë për një futbollist. Në stërvitjen e fundit stërvitore, sulmuesi kosovar është dukur i acaruar me shokun e skuadrës Stafa, aq sa ka përdorur grushtet dhe shkelmat. Për të qetësuar situatën ka ndërhyrë trajneri Mërgjyshi që ka nxjerrë jashtë stërvitjes të dy futbollistët. Ecuria e mirë në javët e fundit për skuadrën e Besës pritet të sillte qetësi në ambientin verdhezi, por suksesi duket të ketë dehur futbollistët, dhe në veçanti njërin nga protagonistët e skuadrës Bernard Berisha.

  Rezultati i hetimeve disa mujore: “57 ndeshje të trukuara me siguri, 150 takime të dyshuara”

 “Federbet”: “10 për qind e ndeshjeve në Europë të trukuara”

 “Janë 57 ndeshje të trukuara me siguri, 150 takime të tjera dyshohet se janë manipuluar. Gjithsej më tepër se 200 gara të manipuluara vetëm në katër muajt e fundit në gjithë botën. Dhjetë për qind e ndeshjeve në Europë janë të manipuluara”. Ky është përfundimi i një raporti të “Federbet”, agjencisë së specializuar që lufton kundër manipulimit sportiv. Raporti u prezantua në Bruksel gjatë audicionit “Match Fixing, Match Lost”, (Ndeshje e fiksuar, ndeshje e humbur), të organizuar nga Eurodeputetët Salvatori Iakolina Mark Tarabella, ku morën pjesë dhe prokurorët e Kremonas dhe Barit që janë përgjegjës për dy nga hetimet më të mëdha të skandalit të basteve në Itali. Nga 57 ndeshjet që jepen me siguri të trukuara bëhet fjalë për 51 ndeshje futbolli (përfshirë edhe një ndeshje për femra në Spanjë) ndërsa aktivitetet e tjera i përkasin volejbollit, tenisit dhe basketbollit. Mes takimeve futbollistike 9 prej tyre i përkasin  paraeliminatoreve të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës, ndërsa garat e tjera i përkasin kampionateve të Qipros, Lituanisë, Letonisë, Uzbekistanit dhe Ukrainës. Trukimi i takimeve po shndërrohet në një armik të vërtetë për futbollin.

 Shorti i Botërorit 2014, priten grupe “ferri”

 Sot, në orën 17:00 në resortin Kosta do Sauipe Resort, në Mata de Sao Zhoa në Bahia Brazilit, skuadrat pjesëmarrëse të Kampionatit Botëror të vitit 2014 do të njohin kundërshtarët e tyre në edicionin e 20-të, ku ekipet e vazove 2, 3 e 4 duan të shmangin Brazilin, pesë herë kampion i Botës dhe organizator i finaleve, për herë të dytë pas atij në vitin 1950. Skuadrat përfaqësuese janë seleksionuar ashtu si edhe në edicionin e fundit me një “kokë serie”, ku sigurisht kuptohet ky privilegj i takon vendit organizator Brazilit, si dhe 7 ekipeve më mira në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Por dilemat ekzistojnë për një nga skuadrat evropiane që nuk janë kokë serie, për një nga përfaqësueset amerikano-veriore dhe aziatike, si dhe një ekip tjetër që do të jetë i listuar me pesë skuadrat afrikane si dhe dy amerikanolatine, që edhe këto nuk konsiderohen si koka serie. Pikërisht këtu qëndron edhe fakti më interesant, sepse në zonën evropiane skuadrat janë 9 ndërsa në bashkimin dysh Afrikë – Amerikë e Jugut ekipet përfaqësuese janë 7.

Vazo 1: Brazili, Kolumbia, Argjentina, Uruguai, Gjermania, Spanja, Belgjika dhe Zvicra

 Vazo 2: Bregu i Fildishtë, Gana, Algjeria, Nigeria, Kameruni, Kili dhe Ekuadori

 Vazo 3: Japoni, Iran, Koreja e Jugut, Australia, Shtetet e Bashkuara, Meksika, Kosta Rika dhe Hondurasi

 Vazo 4: Bosnja, Kroacia, Anglia, Greqia, Italia, Holanda, Portugalia, Rusia dhe Franca

 Testi i FIFA-s, ja si u ndanë grupet

FIFA bëri një prove teknike të rezultateve të shortit të Kupës së Botës, kjo për të testuar gjithë teknologjinë për transmetimin real e direkt që të do hidhet sot. Ja dhe grupet sipas eksperimentit të FIFA-s.

Grupi A: Brazili, Franca, Italia, Australia

Grupi B: Uruguai, Nigeria, SHBA, Kroacia

Grupi C: Argjentina, Gana, Kosta Rika, Rusia

Grupi D: Zvicra, Kili, Japonia, Greqia

Grupi E: Spanja, Bregu i Fildishtë, Koreja e Jugut, Anglia

Grupi F: Kolumbia, Kameruni, Hondurasi, Holanda

Grupi G: Gjermania, Ekuadori, Irani, Portugalia

Grupi H: Belgjika, Algjeria, Meksika, Bosnja