Disiplina, “grusht” Bylisit, humbje ndeshjeje dhe heqje pikësh

514
Sigal

Skënderbeu fiton 3-0 ndeshjen në tavolinë. Ballshiotët do të paguajnë dhe 600 mijë lekë gjobë

Humbje e ndeshjes 3-0, zbritje e tri pikëve dhe 600 mijë lekë gjobë. Kjo është “fatura” që, Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit i dorëzoi Bylisit. Gjithçka erdhi si pasojë e aktivizimit të gjashtë lojtarëve të huaj në të njëjtën kohë, në ndeshjen Skënderbeu-Bylis (java e 16-të), të përfunduar me rezultatin teknik 2-2, por të homologuar tani 3-0 për Skënderbeun nga Komisioni i Disiplinës. “KF ‘Bylis’, për aktivizim të lojtarit të gjashtë të huaj në ndeshjen me KF “Skënderbeu”, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 128 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike të Kategorisë Superiore të FSHF-së, duke qenë se është e ndaluar aktivizimi në fushën e lojës i më shumë se pesë lojtarëve të huaj njëkohësisht, bazuar në nenin 54 të Kodit Drejtësisë Sportive  dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 në favor të KF ‘Skënderbeu’, zbritjen e tri pikëve nga klasifikimi dhe 600.000 lekë gjobë”, – thuhej në vendimin e Komisionit të Disiplinës. Gjithçka ndodhi në minutën e 64-t. Deri në ato momente, Bylisi kishte në fushë 5 të huaj: Ristevski (Maqedoni), Adebajo, Bola, Izuçuku dhe Piter (Nigeri), pra aq sa lejon rregullorja. Por në minutën e 64-t, trajneri Shensoji e zëvendëson Arifajn me Xhon Huan. Kështu që në fushë shtohet edhe një i huaj tjetër, pra 6 të tillë, dhe deri në minutën e 68-të, kur ballshiotët bëjnë edhe zëvendësimin e fundit (doli nga fusha Piter dhe u fut Kelmendi), kishin në fushë një lojtar të huaj më shumë nga sa e lejon rregullorja. Duhet thënë ndërkaq edhe një gjë domethënëse. Në momentin e ndërrimit të dytë të Bylisit, presidenti Besnik Kapllanaj, i cili ndodhej në tribunë, është çuar në këmbë dhe i ka kërkuar stafit të mos e bëjë këtë zëvendësim.

Pas kësaj fitoreje në tavolinë, Skënderbeu u ngjit në kuotën e 39 pikëve, nëntë më shumë se Teuta e vendit të dytë (30 pikë), duke hedhur një hap më shumë drejt titullit të tretë rresht kampion dhe të katërtin në historinë e klubit të themeluar në vitin 1909.

Bylisi zbriti në kuotën e 19 pikëve, dhe tani ndodhet në vendin e 9-të, me tri pikë më shumë se Luftëtarit i vendit të 11-të, pozicion që të zbret direkt e në Kategorinë e Parë. Në fakt, ka një precedent për Skënderbeun, që fiton pikët në tavolinë për arsye teknike. Kështu, në sezonin 2009-2010 (më 17 prill 2012), Vllaznia fitoi 3- 2 ndaj Skënderbeut në Shkodër, por në përfundim të takimit u vërejt se shkodranët kishin hedhur në fushë një lojtar të paregjistruar në protokoll (Ansi Nika). Kjo bëri që Disiplina t’i jepte fitoren 2-0 në tavolinë Skënderbeut, i cili falë këtij trepikëshi arriti që të mbijetonte në Superiore.

 21.5 milionë lekë gjobë

 Ky është dënimi i dytë i ballshiotëve në harkun e pak ditëve, teksa më parë Bylisi u dënua nga Komisioni i Etikës me 1.5 milion lekë për shkak të “komplotimit dhe influencimit” të rezultatit, në humbjen 3-0 me Flamurtarin në Vlorë. Pra, vetëm për dy ndeshje, Bylisi duhet të derdhë në arkën e Federatës, një shumë prej 2.1 milion lekë.

  Pezullohet Isaji i Shkumbinit

 Zyrtari i Shkumbinit, Astrit Isaj, u pezullua dy ndeshje nga aktiviteti nga Komisioni i Disiplinës, për shkak të protestave ndaj vendimeve të arbitrit, në takimin Besa-Shkumbini (1-1). Isaji është zyrtari i tretë i një ekipi të Superligës që pezullohet gjatë këtij sezoni, më parë ishin pezulluar zëvëndestrajneri Neritan Novi i Luftëtarit (5 shtator 2012, me 8 ndeshje) dhe ish-trajneri i Besës, Ilir Daja (6 nëntor 2012, me 2 ndeshje). Gjithsej, duke përfshirë dhe Kategorinë e Parë dhe të Dytë janë dhënë 26 vendime: 3 nga Kategoria Superiore, 19 nga Kategoria e Parë dhe 5 nga Kategoria e Dytë.

 Po femrat ç’patën?!

 Në Shqipëri është duke u zhvilluar edhe Kampionati i 4-t Kombëtar i Femrave, por në javën e parë të fazës së dytë nuk u zhvilluan tri nga katër ndeshjet. Kështu, Shkëndija D nuk u paraqit për ndeshjen e saj ndaj Dardanisë (humbi në tavolinë 3-0); Tirana AA nuk luajti me Jubanj Danjën (humbi në tavolinë 3-0) dhe FC Kamza s’u paraqit në takimin me The Door (humbi në tavolinë 3-0). Vendimet u morrën nga Komisioni i Disiplinës, në bazë të nenit 55.1 të Kodit Drejtësisë Sportive.

 DOSIER

Dhjetë skuadra të dënuara me heqje pikësh

 Dënimi i Bylisit me heqjen e tri pikëve nuk është një rast pa precedent në Shqipëri. Madje janë të paktën dhjetë raste të tilla të mëparshme, ndërkohë që në total janë dhjetë skuadra që e kanë provuar këtë shije: Vllaznia, Kastrioti, Elbasani, Gramozi, Dinamo, Flamurtari, Laçi, Pogradeci, Shkumbini dhe Bylisi. Sezonin e kaluar (2011-2012), Komisioni i Disiplinës (më 9 maj 2012) ndëshkoi Shkumbinin me heqjen e tri pikëve, pas një ndeshjeje të fituar 1-0 me Flamurtarin në fushë, por më pas të homologuar 0-3 në favor të vlonjatëve. Disiplina e mori vendimin e ashpër të bazuar në relacionin e gjyqtarëve Jubicaj, Dervishi dhe Qeseri, të delegatit Petrit Brahja dhe vëzhguesit Astrit Mema, për shkak të kërcënimeve të zyrtarëve të Shkumbinit ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ku mbizotëroi incidenti i provokimit me një pistoletë lodër nga ana e deputetit të Peqinit, Dashnor Sula. Disiplina u hoqi edhe tri pikë peqinasve nga klasifikimi i përgjithshëm, pikë që i çuan peqinasit në zonën “play-off”, një javë përpara përfundimit të sezonit. Interesant është fakti, se sezoni i kaluar do të mbahet mend si “kampionati i heqjes së pikëve”, pasi katër skuadra u ndëshkuan me heqje të pikëve: Laçi (-6 pikë), Pogradeci (-3 pikë), Shkumbini (-3 pikë), të tri nga Komisioni i Disiplinës, ndërkohë që në listë është dhe Dinamo (me –3 pikë), por kësaj të fundit iu hoqën tri pikë nga FIFA për shkak të mospagimit të ish-lojtarit të saj kroat, Dario Bodrusiç. Kroati ishte pjesë e bluve në sezonin 2007-2008 dhe në fazën e parë të sezonit futbollistik 2009-2010.

   1. VLLAZNIA

U ndëshkua me heqjen e tri pikëve, për shkak të një gabimi teknik në protokoll, gjatë ndeshjesh Vllaznia-Skënderbeu (sezoni 2009-2010).

  2. KASTRIOTI

Krutanëve iu hoqën tri pikë nga Komisioni i Disiplinës (FSHF), për braktisjen e lojës në takimin me Flamurtarin në Vlorë (Superliga 2009-2010).

 3. GRAMOZI

Skuadrës kolonjare iu hoqën pikët, pas incidenteve në ndeshjen Gramozi-Skënderbeu, të mbyllur para kohe (më 27 mars 2010), në sezonin 2009-2010.

 4. ELBASANI

Në sezonin 2010-2011, Elbasanit iu hoqën tri pikë nga FIFA për mospagimin e lojtarit kroat, Darko Periç.

 5. FLAMURTARI

Skuadra vlonjate u ndëshkua me -3 pikë pas braktisjes së ndeshjes me Laçin (1-1) edicionin e kaluar, 2010-2011.

 6. DINAMO

Bluve iu zbriten tri pike nga FIFA, për shkak të mospagimit e të lojtarit kroat Dario Bodrusiç (Superliga 2011-2012).

 7. LAÇI

U ndëshkua me heqjen e gjashtë pikëve nga Komisioni i Disiplinës, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Lorenc Jemini (Superliga 2011-2012).

 8. POGRADECI

U ndëshkua me zbritjen e tri pikëve nga Disiplina, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Enea Jorgji (Superliga 2011-2012).

 FLAMURTARI

U ndëshkua pas refuzimit për të luajtur vazhdimin e ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari 4-1, për Kupën e Shqipërisë (2001-2012). Më pas, vendimi o korrigjua nga Apeli.

 9. SHKUMBINI

Shkumbinit iu hoqën 3 pikë nga Disiplina, për shkak të dhunës psikologjike ndaj arbitrave në ndeshjen Shkumbini-Flamurtari, java e 25-të e sezonit 2011-2012.

 10. BYLISI

Ballshiotëve iu hoqën tri pikë, për shkak të aktivizimit të gjashtë lojtarëve të huaj në ndeshjen Skënderbeu-Bylisi (java e 16-të e sezonit 2012-2013).

 Vllaznia përgatitje për Apoloninë

 Vllaznia vazhdoi edhe dje me përgatitjet për ndeshjen e radhës. Kuqeblutë i pret një transfertë e vështirë në Fier ndaj Apolonisë vendëse. Ekipi zhvilloi dje stërvitjen e radhës, gjatë së cilës të gjithë lojtarët morën ngarkesën e duhur. Një seancë intensive, ku trajneri Artan Bushati dha udhëzimet e rastit. Ekipi do të përqendrohet gjatë këtyre ditëve në korrigjimin e gabimeve që u bënë në sfidën e javës së kaluar ndaj Luftëtarit. Skuadrën e pret sërish një transfertë e vështirë, në fundjavë do të udhëtojë drejt Fierit, ku do të përballet me Apoloninë vendëse. Kuqeblutë në këtë takim synojnë fitoren.