Dinamo: “Partizan, na shpëto nga rënia!”

66

Trajneri i bluve, Dalipi, u bën thirrje të rivalëve të kuq, për ndihmë për të mos rënë nga Kategoria e Parë

Partizani u rikthye pas një mungese katërvjeçare në Kategorinë Superiore, duke u bashkuar me 11 ekipet e tjera që do të formojnë Superligën edicionin e ardhshëm (Skënderbeu, Kukësi, Teuta, Flamurtari, Tirana, Laçi, Kastrioti, Bylisi, Besa, Vllaznia, Lushnja), ndërkohë që Dinamo rrezikon të bjerë në Kategorinë e Dytë, atje ku të kuqtë ishin në sezonin 2010-2011. Blutë ndodhen në vendin e 10-të me 36 pikë, por nga vendi i 13-të, pozicion që të çon në Kategorinë e Dytë e ndajnë vetëm 2 pikë, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga përfundimi i sezonit. Sipas trajnerit të bluve, Edmond Dalipi, ky fundsezoni nuk po vendoset në fushën e blertë, atje ku çdo skuadër duhet të japi maksimumin e saj dhe të tregojë vlerat futbollistike, por në tavolinë në bazë të marrëveshjeve të skuadrave.

THIRRJA – Trajneri i Dinamos, Edmond Dalipi, bëri thirrje të hapur ndaj të kuqve, duke shpresuar se Partizani do të luajë me formacionin me të mirë ndaj Besëlidhjes, të fitojë takimin ndaj lezhjanëve, çka do të ndihmonte indirekt blutë. Trajneri dinamovit thekson gjithashtu se skuadra e tij e meriton qëndrimin në Kategorinë e Parë jo thjesht nga emri dhe tradita, por edhe nga cilësia. Partizani dhe Dinamo janë dy nga ekipet që, kanë fituar më shumë trofe në vend, me të kuqtë që kanë koleksionuar 32 të tilla në kampionat, Kupë dhe Superkupë dhe blutë, që kanë grumbulluar 33 në tria kompeticionet. Marrëdhëniet e dy klubeve kanë qenë historikisht të mira, përfshirë dhe në rastin e fitimit të Kupës së Shqipërisë, nga ana e Partizanit në vitin 2004, kur mposhti 1-0 Dinamon, në një ndeshje të lehtë nga ana e bluve, që atëherë ishin nën presidencën e Delijorgjit. Partizani e ka siguruar ngjitjen në Superligë dhe në dy takimet e fundit do të përballet me Besëlidhjen në kryeqytet dhe Lushnjë në transfertë, në një takim që ka me shumë nuanca festive, pasi dhe lushnjarët janë ngjitur të Superligë, madje janë kampionët e Kategorisë së Parë. Këtë sezon, Dinamo i humbi të dyja takimet me Partizanin: 3-2 në fazën e parë dhe 1-0 në të dytën.

SITUATA – Me humbjen 2-1 që pësoi në Lezhë ndaj Besëlidhjes në minutat e fundit të takimit, një rivali direkt për mbijetesë, qëndrimi i Dinamos në Kategorinë e Parë është vënë seriozisht në dyshim. Kjo dhe për faktin se, nga vendi i 10-të, Dinamo dhe deri të vendi i 14-të, Besëlidhja, diferenca është vetëm dy pikë: Dinamo 36, Himara 36, Iliria 36, Burreli 36 dhe Besëlidhja 34. Një diferencë e ngushtë që, mund të ndryshojë pamje në varësi të rezultateve direkte që kanë disa prej ekipeve.

KALENDARI – Aleancat e fundsezonit si dhe llogaritë matematikore i detyrojnë blutë të marrin të paktën katër pikë në dy ndeshje. Në javën e 29-të, Dinamo do të luajë me Ilirinë në Fushë-Krujë, me këtë të fundit të rrezikuar, pasi ndodhet në vendin e 12-të po me 36 pikë. Në javën e fundit, Dinamo pret Pogradecin që nuk ka asnjë motiv për të luajtur. Besëlidhja do të luajë në Tiranë kundër Partizanit dhe në javën e fundit do të presë në Ilirinë në një ndeshje për “jetë a vdekje”. Himara nga ana e saj, do të luajë me fqinjin e saj, Butrintin, me të cilin nuk ka shkuar dhe aq mirë, ndërsa në javën e fundit do të luajë në Elbasan.

SKENARËT – Në Kategorinë e Parë Lushnja dhe Partizani kanë siguruar ngjitjen në superiore, Naftëtari ka rënë matematikisht nga kategoria, ndërsa mbeten për t’u përcaktuar tri skuadrat që do të ndjekin kuçovarët në të dytën. Nuk duhet të harrojmë se nga vendi i 6-të dhe deri te i 14-ti ekipet ndahen me vetëm tri pikë, pranë janë të paktën 9 ekipe në lojë, ose që rrezikojnë rrënien, pra ende jo të sigurt e kanë dhe Butrinti (37), Ada (37), Elbasani (37), Kamza (37), Dinamo (36), Himara (36), Iliria (36), Burreli (36) dhe Besëlidhja (34).

RENDITJA

 1    Lushnja         28   +28  65

2    Partizani       28   +6   54

3    Pogradeci       28   +7   42

4    Tërbuni         28   +9   40

5    Mamurrasi       28   +3   40

6    Butrinti        28   +3   37

7    Ada             28   +1   37

8    Elbasani        28   -4   37

9    Kamza           28   -11  37

10   Dinamo          28   +2   36

11   Himara          28   +1   36

12   Iliria          28   +0   36

13   Burreli         28   -1   36

14   Besëlidhja      28   -4   34

15   Gramshi         28   -20  31

16   Naftëtari       28   -20  20

Java 29/ 04.05.2013

Partizani-Besëlidhja

Kamza-Lushnja

Naftëtari-Ada

Himara-Butrinti

Gramshi-Elbasani

Mamurras-Tërbuni

Pogradeci-Burreli

Iliria-Dinamo

Java 30/ 11.05.2013

Besëlidhja-Iliria

Dinamo-Pogradeci

Burreli-Mamurrasi

Tërbuni-Gramshi

Elbasani-Himara

Butrinti-Naftëtari

Ada-Kamza

Lushnja-Partizani

Aleancat e pista, akuza edhe nga kryebashkiaku i Himarës

 Akuzat e trajnerit të Dinamos, Edmond Dalipi, për alenca të pista midis disa skuadrave në kurriz të tjerave nuk janë të vetmet, pasi dhe presidenti i Himarës, kryebashkiaku Gjergji Gore, foli me të njëjtat terma, madje akuzoi se, ka ekipe që po punojnë për rrëzimin me çdo kusht të skuadrës himariote. Sipas kryebashkiakut Gore, ky fundsezoni nuk po vendoset në fushën e blertë, atje ku çdo skuadër duhet të japi maksimumin e saj dhe të tregojë vlerat futbollistike, por në tavolinë në bazë të marrëveshjeve të skuadrave.

  Liga e Kampioneve/ Murinjo: “I dështuar, po s’arrita finalen”

  Reali i Madridti dhe trajneri i tij, Zhoze Murinjon, janë para provës së të vërtetës, kur të përballen sot në mbrëmje me Borusian e Dortmundit, në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Gjermanët mbërrijnë në “Santiago Berbaneu” me avantazhin e tre golave, pasi fituan 4-1 në ndeshjen e parë në Dortmund, një rezultat befasues ndaj gjigantëve spanjollë. Zhoze Murinjo kërkon revansh në fushën e lojës. Trajneri i Realit të Madridit po mendon vetëm për sfidën e së martës në “Santiago Bernabeu”, duke u shfaqur disi kritik me gazetarët përpara sfidës që në kryeqytetin spanjoll po e presin me padurim prej një jave, madje duke publikuar edhe dhjetra video me kryetitull “remuntada”. Gjithsesi, “Special One” nuk preferon të trazohet me ambientin merengues jashtë dhomave të zhveshjes. “Çfarë videosh? Unë i besoj vetëm futbollit. Gjithçka është e mundur sepse futbolli është futboll”. I qeshur por edhe polemizues. Jose Zhoze Murinjo thumbon në distancë drejtuesin bavarez, Franc Bekenbauer, i cili dha një deklaratë të fortë duke paralajmëruar skuadrën të tregohet e kujdesshme në Barcelonë, sepse sipas tij, katalanasit do të përdorin çdo mënyrë për të fituar. “Kam lexuar deklaratat e një personazhi të madh të historisë së kësaj loje. i lejon vetes të thotë se një skuadër do të përdorë çdo mjet të ligjshëm apo të paligjshëm për të ndalur kundërshtarin dhe asgjë nuk ndodh. Gjatë vitit tim të fundit te Interi dhe në vitin e parë në Madrid thashë të njëjtën gjë dhe e gjithë bota m’u hodh sipër. Ndoshta sot disa gjëra mund të thuhen më lirshëm”. Dhe duke qëndruar në këtë çështje, Murinjo thumbon rivalët. “Skuadra ime bën vetëm veprime të ligjshme. Levandovski shënoi katër gola pa pësuar asnjë faull, ndërsa pas 5 minutave lojë, Ronaldo pësoi 4 të tillë”. Trajneri luzitan kërkon të ulë presionin ndaj skuadrës duke pohuar se një dështim i mundshëm do të ishte vetëm përgjegjësia e tij. “Në çdo klub dhe jo vetëm te Reali, suksesi është meritë e të gjithëve, ndërsa e njëjta gjë ndodh edhe për dështimin sepse përgjegjësitë i merr vetëm trajneri. Rrini të qetë, dështimi bie vetëm mbi supet e trajnerit. Rekordi i 100 pikëve është i Realit të Madridit dhe nëse nuk presim biletën e finales ky do të ishte një dështim.

  Pak ditë më parë, Platini i bëri thirrje FSHF-së të çojë në Prokurori të gjitha ndeshjet e dyshuara si të fiksuara

 UEFA: “Shqipëri, lufto trukimet!”

  UEFA është e përqendruar në mbrojtjen e futbollit nga fenomeni shkatërrues i ndeshjeve të fiksuara dhe është e gatshme të dënojë këdo që do të gjejë fajtor. Qëndrimi zyrtar i qeverisë së futbollit europian u ritheksua gjatë një seminari të mbajtur në Shkup të Maqedonisë, pas hapjes së Zyrës së Integritetit. Në këtë seminar shumë të rëndësishëm morën pjesë përfaqësuesit e zyrës së Integriteti pranë federatave të futbollit të Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë, Maqedonisë, Rumanisë, Serbisë dhe Sllovenisë, ku fokusi ishte progresi në fushatën e kundër fiksimit të ndeshjeve, punën e bërë në vende të ndryshme dhe ndërtimi i strategjive për të arritur rezultate në ato vende. Vendimi për të përfshirë “oficerë” të integritetit të lojës është marrë para dy vjetësh nga UEFA. Koordinatori i shërbimit “inteligjent” të UEFA-s. Graham Piker, u tha të pranishmëve se, “UEFA duhet të mbrojë futbollin nga fiksimi i ndeshjeve”. “Tolerancë zero ndaj këtij fenomeni. Të gjitha ndeshjet duhet të luhen në respekt të shpirtit dhe lojës së ndershme, me rezultatin që duhet të vijë si meritë ekipeve që luajnë, dhe jo si rezultat i shkaqeve te tjera”. Piker tha se, UEFA i monitoron të gjitha ndeshjet dhe i investigon aty të dyshimta, ndërkohë që ata që gjenden fajtorë do të marrin dënime shembullore, përshirë pezullime përjetë apo përjashtimin e klubeve nga kompeticionet e UEFA-s. “Nëse lojtarët, trajnerët apo zyrtarët do të gjenden fajtorë për fiksimin e ndeshjeve, apo do të përpiqen të fiksojnë një ndeshje, – tha Piker, – do të marrin një karton të kuq për të gjithë jetën”. Zyrtari i lartë i Integritetit në UEFA, Urs Kluser, transmetoi mesazhin e Presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, se fiksimi i ndeshjeve përbën krimin më të madh në futboll. Pak ditë më parë, Platini i bëri thirrje FSHF-së të çojë në Prokurori të gjitha ndeshjet e dyshuara si të fiksuara. Pak ditë më parë, Prokuroria shqiptare hapi një hetim ndaj presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, për trukimin e katër ndeshjeve.

   Shqipëri-Norvegji, 360 milionë lekë nga biletat

 Shqipëri-Norvegji pritet të jetë ndeshje më e shtrentjë që do të luhet në “Qemal Stafa”, në termat financiarë të parave të grumbulluara nga shitja e biletave, pikërisht në sfidën e fundit ndërkombëtare që të luhet në impianin mitik të hapur në vitin 1946, me rastin e Kampionatit Ballkanik. Duke iu referuar edhe çmimeve të vendosura nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, për ndeshjen e 7 qershorit, ku në një farë mënyre do të përcaktohet edhe e ardhmja e Kombëtares sonë përsa i përket finaleve të Botërorit “Brazil 2014”, priten të futen në arkat e FSHF-së, një shumë rreth 360 milionë lekë të vjetër, nësë biletat do të shiten plotësisht për një kapacitet prej 16.130 vendesh të ulura. Sipas çmimeve të publikuara, një biletë në tribunat qendrore A dhe B, pra në vendet e zgjedhura, kushton 80 mijë lekë të vjetra, çka do të thotë se për ato 500 vende do grumbullohen 40 milionë lekë të vjetër. Në 650 vendet e tjera të këtyre tribunave, pra ato që janë më larg qendrës dhe që janë me çmim 50 mijë lekë të vjetër do të arkëtohen 36.5 milionë lekë të vjetër. Tribuna qendrore përkarshi, apo D2, ka 3980 vende dhe një biletë kushton 30 mijë lekë të vjetër, çka do të thotë rreth 119 milionë lekë. Nga tribunat D1 dhe D3 priten të arkëtohen rreth 116 milionë lekë, pasi çmimi i një bilete është 20 mijë lekë të vjetra Nga tribunat prapa portave, C dhe E, me një çmim prej 5 mijë lekë të vjetra për një biletë, priten të grumbullohen 26 milionë lekë të vjetër.

Stadiumi “Qemal Stafa”

16 130 vende

Tribuna A dhe B (pjesa e zgjedhur)

500 vende x 8000 = 4 000 000 lekë

Tribuna A dhe B (vendet e largëta)

650 x 3000 = 3 650 000

Tribuna D2

3980 vende x 3000 = 11 940 000 lekë

Tribuna D1 dhe D3

5800 vende x 2000 = 11 600 000 lekë

Tribunat C dhe E (prapa portave)

5200 vende X 500 = 2 600 000 lekë

Total: 36 790 000 lekë