Dinamo pa trajner dhe pa “shpresë”, Superliga duket shumë larg

564
Sigal

Kategoria e Parë është kthyer në një kampionat që dalëngadalë po vendosen “kufijtë” se cili ekip do të vazhdojë në luftën për titull dhe cili ekip jo.

Dinamo-Bylis 1-2

Java që lamë pas dha një panoramë më të gjerë të renditjes dhe shpresave për fitore të kampionatit, sidomos për ekipin e Dinamos që edhe pse cilësohej si ekipi kryesor për të fituar në ndeshjen ndaj Bylisit, nuk ia dolën dot, duke rënë kështu pre edhe e një humbjeje tjetër, humbje që i lë shumë pas në renditje duke marrë parasysh edhe 3 pikët e hequra në renditje, diçka që e ka degdisur aktualisht në vendin e 5-të, me plot 8 pikë diferencë me vendin e parë. Humbja me Bylisin ishte një humbje që tronditi ekipin kryeqytetas, duke u bërë kështu edhe arsyeja e largimit të trajnerit Dritan Mehmeti. Një situatë aspak e mirë për Dinamon tani, që tani janë shumë herë më larg kryesimit, duke humbur shanset edhe për këtë vit që të rikthehen në Superligë.

Luftëtari-Lushnja

Një fitore mes hallit kjo e lushnjarëve, që gjithsesi arritën që të shënonin një gol, duke arritur kështu fitoren e radhës, për të qëndruar edhe një herë në krye, e këtë herë duket se pas çdo ndeshjeje e vendosin edhe më shumë veten në pozita shumë të favorshme, duke shmangur gabimet e duke fituar pikë dhe avantazh ndaj ekipeve të tjera. Ndjekësja më e afërt është Butrinti, e ndeshja e javës së 17-të e vë përballë Sopotit, sigurisht një ekip i vështirë dhe që ka shfaqur pretendime të mëdha gjatë këtij sezoni, duke u bërë edhe një rrezik konkret, e ky takim ka vlerën e vazhdimësisë në krye të Lushnjës, apo ndryshimit në renditje, duke sjellë në fron tjetër ekip, e në këtë rast mund të jetë vetëm Butrinti duke parë edhe golavarazhin.

Fitore për Butrintin dhe Tomorin, barazim i Sopotit

Një fitore e vyer ajo e Butrintit ndaj Shkumbini, edhe pse vetëm 1-0, duke u vënë në ndjekje të drejtpërdrejtë të Lushnjës, me vetëm tre pikë diferencë dhe ndeshja e kësaj të mërkure mund të hedhë më shumë dritë në fatin e këtij kampionati, pasi kujtojmë që Butrinti pret në shtëpi Dinamon, duke pasur vështirësi që në emër, sa i përket kundërshtarit, pastaj se çfarë do të paraqesë takimi i plotë, kjo është diçka tjetër.  Nga ana tjetër, Tomori fitoi ndaj Pogradecit për të mbajtur sado pak gjallë shpresat për një fitore të mundshme, në tërësi, por diçka e tillë aktualisht duket e largët, por gjithsesi rezultatet e mira nga kjo skuadër nuk mungojnë. Sopoti hodhi një hap flas në këtë javë, ku barazoi me Naftëtarin, në një kohë kur kishte më shumë nevojë për një fitore, pasi tashmë është 6 pikë larg vendit të parë, Lushnjës, që përsëri ka mundësinë të fitojë në ndeshjen direkt, falë edhe takimit të ditës së mërkurë.

Grupi A

Në grupin A vazhdojnë udhëheqjen ekipet e fillimit, duke mos ndryshuar aspak renditjen, por janë përsëri Tërbuni, Mamurrasi dhe Besëlidhja që prijnë, e duke shënuar edhe numrin e njëjtë të golave, nga 2, por me ndryshimin e vetëm që Tërbuni pësoi një ndaj Veleçikut. E këto rezultate janë paraprita e takimit më të fortë të këtij grupi, ku Tërbuni pret në shtëpi ndjekësen më të afërt, Mamurrasin.

Tërbuni-Veleçiku

Një skuadër që nuk të lë vend për dyshime, pasi gëzon në kampionat fitore pas fitoresh, duke u bërë kështu tmerri i secilit ekip dhe skuadra që cilësohet si potenciale për të qenë prezente në kampionatin e ardhshëm të Superligës. Një fitore që vetëm i rregullon punë pukjanëve që përsëri nuk i druhen kërcënimit të ndjekësve më të afërt.

Mamurrasi-Iliria

Një fitore e pastër 2-0, fitore që tregon edhe një herë se nuk ekziston vetëm Tërbuni në këtë kampionat, duke treguar se mes këtyre dy ekipeve çdo gjë do të luhet vetëm në ndeshjen direkte të kësaj të mërkure, duke vënë pikat mbi “i” për të dy këta ekipe, e çdo rezultat do të ishte i pranueshëm, përveç barazimit, që nuk do i jepte dot zgjidhje situatës së krijuar me vetëm një pikë diferencë.

Kamza-Besëlidhja

Nuk e humbi rastin Besëlidhja për të qëndruar gjithmonë sa më pranë të jetë e mundur me dy ekipet para, ku i ndajnë vetëm pak pikë. Në ndeshjen e ardhshme, Besëlidhja do të presë në shtëpi Ilirinë e Fushë Krujës, ku fitorja është një detyrim, duke parë edhe ndeshjen direkte që kanë mes tyre Tërbuni dhe Mamurrasi.

Dorëhiqet Dritan Mehmeti, Dinamo është në hall

Sikur të mos mjaftonin rezultatet e këqija të Dinamos, sikur të mos mjaftonte dënimi i -3 pikëve, Dinamo këtë herë duhet të përballet edhe me mungesën e trajnerit pasi Mehmeti ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i kampit blu të kryqytetit. Ky vendim erdhi si pasojë e humbjes me Bylisin dhe mungesës së rezultateve që kishin “pushtuar” blutë, por duhet thënë se trajneri Mehmeti ka bërë një punë shumë të mirë me dianmovitët, edhe pse nuk arritën që të përmbushnin synimet dhe detyrimet, duke rrëshqitur kështu në renditjen që tashmë kryesohet bindshëm nga Lushnja. Sigurisht, tani, me ndeshjen e ardhshme të dinamovitëve vetëm pas dy ditësh, gjendja nuk është aspak e mirë, e duke parë që kundërshtari i radhës është Butrinti, situata rëndohet edhe më shumë.

Derbi, Shkëndija e Tetovës fiton ndaj Teteksit

Shkëndija vazhdon të shkëlqejë në kampionatin maqedonas, ku dje arritën që të merrnin një fitore të vyer ën derbin me Teteksin, duke ruajtur kështu të njëjtin hap me Vardarin e Shkupit dhe me Rabotnickit, që edhe këto dy ekipe fituan në sfidat e tyre përkatëse. Një ndeshje e bukur e fituar 3-0, falë dy penalltive dhe një golit të shënuar gjatë aksionit. Ajo që u vu re ishte edhe prania e madhe e tifozëve të Shkëndijës, e këta të fundit shpalosen edhe simbolet kombëtare, duke krijuar kështu një atmosferë mbresëlënëse në shkallët e stadiumit. “Ballistët” treguan një mbështetje maksimale ndaj skuadrës së tyre, duke e fituar këtë derbi edhe mes tifozëve. Ballistët e kanë treguar gjithmonë mbështetjen për ekipin e tyre, por ndërkohë edhe për Kombëtaren Shqiptare, ku shumë përfaqësues të tyre nuk mungojnë në pothuaj asnjë takim të Kuq e Zinjve.

Luftohet për Parmën të mos shpërbëhet, rënia nga kategoria e pashmangshme

Kaosi që ka përfshirë Parmën kërcënon Serinë A. Serie A duhet të vendosë të premten e ardhshme në samitin e Milanos se si do të veprojë me klubin emiljan për të mos dëmtuar ecurinë e kampionatit. Një zgjidhje po mendohet që të jetë ajo e dhënies së një granti prej 10 milion eurosh, në  mënyrë që Parma të sigurojë qëndrimin në kampionat, e të luajë gjithashtu të gjitha takimet e parashikuara. Rruga që duhet ndjekur është që të gjitha ekipet të bien dakord mes tyre, unanimisht, favor të kësaj zgjidhjeje në asamblenë e 6 marsit. Ato 10 milionë euro mund të akordohen një pjesë nga fondi i garancisë që Seria A ju jep klubeve kur bien nga kategoria dhe tashmë duket mëse e sigurt se Parma do të bjerë në Serinë B. Ky fond mund të garantojë deri në 4.5 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër duhet të jepet nga klubet e tjera të Serisë A, gjithmonë nëse ato do të bien dakord për diçka të tillë. Pas shtyrjes të dy takimeve të fundit, Parma-Udinese dhe Genoa – Parma që ishte programuar për t’u luajtur këtë të diel, nuk do të ketë shtyrje tjetër, pasi do të kalohet automatikisht në kampionatin me 19 skuadra, me të 15 ndeshjet e mbetura të Parmës që do të akordohen në tavolinë për skuadrat kundërshtare me rezultatin 3-0.