Dhuna si kryefjalë apo kallëzues i futbollit që luhet?!

542
Nga Agron KAJA
KUPA E SHQIPËRISË/ U mbyllën ndeshjet e dyta të turit të dytë, të mëdhatë kualifikohen, në Shkodër ngatërrojnë boksin me futbollin
E gjithë kjo javë, ndoshta si dikur vite më parë në futbollin shqiptar në veçanti, si kryefjalë ka pasur fjalën “Dhunë”. Sepse në fusha e stadiume, duket se ky fenomen ka qendruar në letargji, e ndoshta në këtë zgjim kërkon të kujtojë kohërat kur bënte namin, pse jo, si në vitet 1990 e 1997. Krahasimi mund të duket i tepruar, por janë vetë detajet që e bëjnë diferencën, duke mos na dhënë tjetër hamendësim për gjithçka po ndodh në stadiumet tona të futbollit. Të dielën u dhunua një arbitër në Përmet, në ndeshjen e Kategorisë së Dytë, Përmeti-Këlcyra, ndërkohë që dje, fundi i ndeshjes së turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Tirana, ka rezultuar i tillë, pasi shkodranët duke mos e pranuar eliminimin, kanë iniciuar një përplasje me lojtarët e Tiranës. Pikërisht në momentin kur gjyqtari Enea Jorgji sinjalizoi mbarimin e sfidës, gjatë përleshjes mes lojtarëve të të dyja skuadrave, drejtori i Vllaznisë i është sulur gjyqtarit nga Elbasani, duke i kërkuar llogari për gjykimin. Eh, moj Shkodër, ku je moj Vllazni me atë kulturën që ta kishte zili tan Shqipnia?! Dhe jo vetëm, sepse dje edhe policia në Shkodër ka përdorur shkopinjtë e gomës ndaj futbollistëve të Tiranës, duke treguar se është palë e kësaj situate, dhe është 

dashur ndërhyrja e futbollistëve veteranë si Gilman Lika, që gjendja të qetësohej disi. Por, ata nuk e kanë ndalur hedhjen e sendeve të forta ndaj gjyqtarit Jorgji, kur ai po i drejtohej dhomave të zhveshjes. Tifozët shkodranë, të cilët ndodheshin në tribunën qendrore, nuk i kanë përmbajtur emocionet, duke treguar se edhe në Shkodër kanë efekte elementë të injorancës qytetare. Ndoshta varfëria ekonomike e shoqërisë sonë në përgjithësi, gjendja shpirtërore e sociale e qytetarëve pa punë, pa strehim e jetesë minimale, dukuri këto të sponsorizuara nga politika e ditës me meakulpat e saj, kanë sjellë një terren të favorshëm për elementë dhunues në fusha e stadiume të futbollit. Dhuna si kryefjalë, apo kallëzues i futbollit që duan shkodranët, këlcyriotët, etj?! Jo, Shkodra kulturës, Shkodra e futbollit nuk e meritonte këtë situatë! Edhe futbolli shqiptar nuk e meriton, këtë e dinë mirë profesionistët. Fenomeni luftohet në vatër, nuk delegohet në qendër. Ndërsa në Këlcyrë justifikohen se, arbitri Paço kishte marrë ryshfet dhe ndikoi në rezultatin e ndeshjes. Dakord, por ligjet “gjallë” janë, ato e dënojnë mitmarrjen dhe dhunën. Ndërsa Komisionit të Disiplinës në FSHF, dje i është dashur edhe një provë tjetër (ankesa e Këlcyrës), që gjithsesi, nuk i fshin pamjet skandaloze të së dielës në stadiumin e Përmetit.
Deklarata e FK Tirana
Në përfundim të ndeshjes mes Vllaznisë dhe Tiranës, klubi i Tiranës ka denoncuar për dhunë të ushtruar nga forcat e policisë. Në rrjetet sociale, ata kanë akuzuar forcat e rendit për dhunë fizike e verbale, ndaj lojtarëve, duke postuar edhe një video, në të cilën dallohen gazetarët që nxirren nga korridoret e stadiumit “Loro Boriçi” nga policia, si edhe mbrojtësin e Ueillson të Tiranës, i cili u tregon mjekëve shenjat e dhunës.
Sigal