Dhuna në futboll, një histori që përsëritet

137

Në Asamblenë e FSHF-së të gjithë heshtën për problemet e dhunës, ndërkohë që, ajo ka arritur kulmin

Dhuna e ushtruar ndaj zëvendëssekretarit të Federatës Shqiptare të Futbollit, njëherësh edhe shef i Sektorit të Garave, Besnik Çela, në përfundim të ndeshjes Bylisi-Laçi tregoi edhe njëherë “anën e zezë” të futbollit shqiptar, krejt të ndryshme nga “torta” që ofroi Asambleja Zgjedhore e FSHF-së, ku asnjë nga presidentët apo drejtuesit e klubeve nuk ngriti asnjë problematikë, vetëm e vetëm për t’i bërë qejfin presidentin Armand Duka, në ditën, kur ai fitoi mandatin e tij të katërt. Dhunën në futbollin shqiptar nuk mund ta fshehësh, pasi ajo ka qenë prezente çdo fundjavë, qoftë në Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë dhe atë të Dytë. “Kronika e zezë” e ngjarjeve të dhunshme futbollistike është e gjatë dhe spiralja e saj shtrihet në kohë, madje në vite, ku gjatë çdo sezoni ka ndodhur diçka ekstreme. Ngjarja e rëndë e 15 marsit në stadiumin e qytetit të Ballshit, gjatë ndeshjes së Kategorisë Superiore Ballshi-Laçi, kur z.Çela, është goditur me dru në kokë nga Presidenti Besnik Kapllanaj, pas përfundimit të ndeshjes ishte e fundit për nga radha. Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit. Kjo e fundit, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka saktësuar se, shtetasi i mësipërm akuzohet për dy vepra penale: “Goditje për shkak të detyrës” dhe “plagosje e lehtë me dashje”. Presidenti i Bylisit ishte pezulluar më parë me tetë javë për shkak të sjelljes josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes Bylisi-Vllaznia. Numri një i klubit ballshiot pati pështyrë gjyqtarin kryesor të takimit, Blerim Ziri.Federata Shqiptare e Futbollit e dënoi ashpërsisht këtë akt të rëndë dhe të dhunshëm, që kërkon të prishë bukurinë dhe imazhin e futbollit, por aktorët dhe faktorët që shtyjnë klubet dhe drejtuesit e saj të degjenerojnë deri në ekstrem në jo pak raste lidhen me vetë kupolën e FSHF-së dhe interesat e vogla e lokale të drejtuesve. “Këto incidente të dhunshme ndaj zyrtarëve të FSHF, që dëmtojnë rëndë lojën dhe prekin thellësisht të gjithë opinionin futbolldashës, do të jenë objekt i ndëshkueshmërisë së të gjitha Komisioneve tona, sipas rregulloreve dhe dënimeve më ekstreme, që përcaktojnë ato”, – thuhej në reagimin e FSHF-së, duke kërkuar edhe ndëshkimin e autorëve. Në fakt, ditari i dhunës është i gjatë. Ia vlejnë të sjellim disa raste gjatë këtij edicioni. Pas përfundimit të ndeshjes Laçi-Kastrioti 1-1, zyrtarët kurbinas (Pashk Laska, Ardian Laska, Dodë Laska) u futën në fushë dhe dhunuan arbitrin Lorenc Jemini. Një tifoz goditi me një send të fortë presidentin e Skënderbeut, Adrian Takaj, gjatë ndeshjes Flamurtari-Skënderbeu, çka solli edhe zbritjen e tri pikëve të skuadrës së Flamurtarit dhe zhvillimin e katër ndeshjeve pa shikues. Pas ndeshjes Mamurrasi-Albpetrol 1-1 e vlefshme për Kategorinë e Parë, gjyqtarët I.Zhuli, E.Barushi dhe F.Mata janë goditur me grushte e shkelma në momentin kur sapo kishin dalë nga stadiumi, ndërkohë që dhunuesit u shpallën në kërkim nga policia. Në Kukës, u sulmuan nga punonjës të Bashkisë së qytetit gjyqtarët e ndeshjes Kukësi- Skënderbeu. Koret ofenduese në “Niko Dovana” të Durrësit mes mbështetësve të Teutës dhe Partizanit ishin ana e errët e një sfide emocionuese mes dy rivaleve për një vend në Kupat e Europës. Për fat të keq ofendimet me fjalor vulgar degjeneruan edhe në përplasje fizike apo hedhje të sendeve të forta ndaj kundërshtarit, që fatkeqësisht rrezikoi edhe jetën e një të riu – tifoz i Partizanit – i cili u shtrua në spital me fraktura në kokë. Komisioni i Disiplinës e dënoi me 50 mijë lekë gjobë klubin e Teutës.

Dënimet e fushave

Pa spektatorë

Besa             2 ndeshje

Vllaznia 2 ndeshje

Bylis            2 ndeshje

Skënderbeu  1 ndeshje

Laçi              1 ndeshje

Partizani       1 ndeshje

Lushnja 1 ndeshje

Këlcyra 4 ndeshje

Himara 4 ndeshje

Burreli   1 ndeshje

Luftëtari       1 ndeshje

Përmeti 2 ndeshje

Egnatia  2 ndeshje

Jashtë fushe

Kukësi 8 ndeshje

Flamurtari    4 ndeshje

Mamurrasi  1 sezon

Erzeni   4 ndeshje

Vetëm këtë sezon janë ndëshkua me pezullime me afat të ndryshëm 17 drejtues dhe trajnerë

  Zyrtarë të lartë të dënuar

 Përfshirja e zyrtarëve të lartë në akte tërësisht antiligjore dhe josportive nuk është një gjë e jashtëzakonshme, madje është shndërruar në një fenomen “normal”. Vetëm këtë sezon janë ndëshkua me pezullime me afat të ndryshëm 17 drejtues dhe trajnerë. Altin Keci, një nga zyrtarët e Erzenit të Shijakut u ndëshkua me 48 muaj pezullim (praktikisht 4 vjet), për të mos shoqëruar ekipin e tij, kjo për shkak të sulmit dhe dhunës së shkaktuar ndaj një lojtar kundërshtar në takimin me Shënkollin, një ndeshje e përfunduar me rezultatin e bujshëm 5-3, e që i përket grupit A të Kategorisë së Dytë. Më parë, me 18 muaj pezullim ishte ndëshkuar presidenti i Mamurrasit, Dedë Ndreca. Duke parë një historik të shkurtër të përfshirjes së tyre, rastet janë jo të pakta. Në Fushë-Krujë në prill 2008, ish -deputeti republikan Hajrulla Paturi rrahu gjyqtarin e takimit Iliria-Albpetrol, Shkëlqim Guce, por ai nuk u dënua, pasi kuvendi nuk ia hoqi imunitetin të zgjedhurit. Gjatë ndeshjes Shkumbini–Flamurtari, në maj 2012, u akuzua nga palët, deputeti i zonës Dashnor Sula, madje, deri për kërcenim me armë, por askush nuk u penalizua dhe rezultati ishte, se zoti Sula kishte pasur në dorë një pistoletë-lodër. Dënimet e zyrtarëve, pra të presidentëve, trajnerëve apo zëvendëstrajnerëve janë të shumta, teksa nuk mungon rasti kur brenda një sezoni, ku i njëjti zyrtar është dënuar dy herë, siç është rasti i Drilon Skurës së Burrelit: i dënuar me tetë ndeshje, më 12 shtator 2012, por atëherë u shoqërua edhe me një gjobë prej 250 mijë lekësh, dhe për herë të dytë më 20 shkurt 2013, po me tetë ndeshje. Kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici, njëherësh edhe presidenti i ekipit u pezullua një vit për të qenë i pranishëm në stadium, kur luante skuadra e tij. Bici hyri në fushë me makinë pas përfundimit të të ndeshjes, pasi sipas tij, ai ishte i pakënaqur me gjykimin e Gramshi-Mamurrasi. Bici ishte pezulluar me një vit nga Dispilina, për të mos qenë i pranishëm në stadium, pas incidenteve të këtij të fundit në takimin Partizani-Gramshi, tetorin e vitit 2012. Presidenti i Adës, Lazër Matija, u pezullua me 8 javë, ndërkohë që ai i Besëlidhjes me 16 muaj, ndërsa ai i Kamzës, Naim Qarri (2 ndeshje). Në listën e dënimeve janë dhe zëvendëspresidentë (Alfred Pjetri), Anesti Lito (Pogradeci, 8 ndeshje), Edi Shehu (Korabi, 8), Bujar Mehja (Tërbuni, 8), Gëzim Zogu (Iliria, 8), Arben Laze (Elbasani, 8). Ish-aksionari i Partizanit, Paro Laçi u ndëshkua me një vit, por më pas vendimi u ri pa nga Komisioni i Apelit, duke iu hequr.

  Zyrtarët e dënuar këtë sezon

 Altin Keci (Erzeni)    48 muaj

Dedë Ndreca (Mamurrasi) 18 muaj

Besnik Kapllanaj (Bylis) 8 ndeshje

Armir Grima (Vllaznia) 2 ndeshje

Jorgaq Morava (Tomori) 2 ndeshje

Anesti Lipo (Pogradeci) 2 ndeshje

Gani Spahiu (Shkumbini) 2 ndeshje

Ardi Behari (Flamurtari) 8 ndeshje

Luan Birçe (Flamurtari) 8 ndeshje

Johan Driza (Flamurtari) 2 ndeshje

Shpëtim Imeraj (Himara) 2 ndeshje

Sami Qari (Kamza) 4 ndeshje

Saimir Xhetani (Laçi) 2 ndeshje

Shaban Myftiu (Besa) 2 ndeshje

Erblin Laci (Korabi) 12 ndeshje

Ilir Dervishi (Këlcyra) 8 ndeshje

Armando Loka (Shënkolli) 2 ndeshje

Përjashtimet për jetë

 Në futbollin shqiptar spikasin pesë pezullime përjetë. Para tre sezonesh katër futbollistë të Gramozit: Ervis Peçi, Renato Saliko, Hyserion Shupe dhe Efiliano Liço, të cilët rrahën dhe gjakosën pa mëshirë gjyqtarin Gentjan Nora, gjatë ndeshjes Gramozi-Memaliaj, u përjashtuan përjetë nga futbolli i luajtur.

 PEZULLIME PËRJETË

Ervis Peci           Gramozi

Renato Saliko     Gramozi

Hyserion Shupe  Gramozi

Efiliano Liço      Gramozi

Donald Harizi     Memaliaj