Dhuna në Elbasan, 7 të shoqëruar për incidentet nga policia

62
Një ditë pas ndeshjes më të rëndësishme të javës së 9 dhe të fundit për fazën e parë, mes Partizanit dhe Skënderbeut, të zhvilluar në “Elbasan Arena” të qytetit të Elbasanit, policia e këtij qarku ka dhënë një deklaratë mbi incidentet para dhe gjatë ndeshjes, që detyruan shtyrjen e takimit për mbi 15 minuta.
Sipas asaj që bën të ditur Policia e Elbasanit, me kërkesë të klubit të futbollit Partizani ishte hartuar plani i masave për sigurimin e rendit dhe të qetësisë dhe për zhvillimin normal të ndeshjes së futbollit mes dy klubeve, masa të cilat ishin bërë publike që përpara se të luhej takimi.
Megjithatë, sërish janë shënuar incidente, përfshi goditjen e një autobusi me tifozë korçarë (KO 1750 B) në hyrje të Elbasanit, në Unazën e qytetit, por fatmirësisht ky incident ka përfunduar vetëm me një thyerje xhami dhe asnjë të lënduar. Për këtë rast, policia bën të ditur se janë identifikuar dy autorë, të cilët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Sipas policisë, shtetasit e proceduar janë E.D, 54 vjeç, R.H, 58 vjeç, F.B, 24 vjeç, A.P, 19 vjeç, F.O, 26 vjeç, M.K, 19 vjeç, dhe SH.M, 43 vjeç.
Por incidentet nuk mbetën vetëm jashtë stadiumit. Vetëm pak pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Kalari të Partizanit, tifozët e Partizanit të vendosur në sektorin C3 të “Elbasan Arena”-s, nisën të hidhnin në fushë sende të palejuara, si fishekzjarre, kapsolla apo lëndë piroteknike, bën të ditur Policia e Elbasanit, e cila shton se pavarësisht njoftimit me foni nga Drejtoria e Stadiumit, këta tifozë nisën shkatërrimin e stolave dhe tentuan të hynin në fushën e lojës.
Ka qenë pikërisht ky moment dhe rreziku, sipas Policisë së Elbasanit, i hyrjes në fushë së tifozëve, që ka detyruar forcat e policisë të veprojë në përputhje me procedurat standarde dhe udhëzimeve të marra. Nga kjo përplasje kanë mbetur të lënduar dy punonjës policie dhe u janë dëmtuar pajisjet mbrojtëse të shërbimit.
Vetëm kaq, pasi në përfundim të takimit, tifozët e të dyja ekipeve kanë dalë pa shkaktuar incidente.
Për gjithçka ndodhi mbrëmë, policia ka kryer veprimet proceduriale dhe janë shoqëruar 7 shtetas në komisariat, ndërsa po punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë. Një qytetar me inicialet F.B., 24 vjeç nga Tirana, është dëmtuar lehtë nga stolat e hedhur nga tifozeria, ndërsa shtetësja T.T., 18-vjeçare, nuk është dëmtuar fare, por pati një gjendje të rënduar emocionale.
Policia gjithsesi ka nisur një hetim për “shkatërrim prone”, “prishje të qetësisë publike” dhe “kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik”, materiale që do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.