Dhuna dhe terrori dje në “Elbasan Arena”, shkak, paaftësia e policisë

511
Sigal

Nuk mori asnjë masë para ndeshjes, kurse me nisjen e incidentit, qe e paaftë për të marr situatën nën kontroll

Ndërpritet ndeshja mes Elbasanit dhe Tiranës. Shkaku: Dhuna. Kurse policia, ndonëse në dukje prezent, nuk arriti të mbaj situatën nën kontroll. Për më tepër, jo vetëm që nuk kishte marr masa të plota për mbarëvajtje e siguri të takimit, por dhe kur ndodhën incidentet e dhunshme shoqëruar me djegie të stolave e objekteve të tjera, nuk qe e aftë të mbajë situatën nën kontroll.  Është paradoks dhe e pajustifikueshme, kur dhuna (më parë ishte ajo në Shkodër) po bëhet pjesë e futbollit, duke i kthyer stadiumet në arena gladiatorësh, policia nuk shqetësohet.  Për 10 minuta të ndërprera të lojës sheh të shemben para syve të gjitha kompetencat që mund të gëzojë FSHF si institucioni më i lartë i futbolli në vend. E mund të thuhet: Çfarë mund të bënte FSHF në këtë rast? Në këtë rast asgjë, pasi duhej të bënte policia, që nuk është kompetencë e Federatës në këtë pikë, por ky institucion nuk gëzon respekt, ky institucion nuk vlerësohet e mbi të gjitha nuk është institucion që i zbatohen rregullat e për këtë kemi dalje kaq të shpeshtë të këtyre prototipave që e quajnë veten tifoz, e në fakt vetëm tifozë që nuk janë, por vetëm huliganë që kanë qëllimin të shkatërrojnë çdo gjë që ju del përpara, edhe pse nuk kanë asgjë në pronësinë e tyre në stadium, e përsëri sillen sikur të ishte i tyri.  Në 10 minuta ndërprerje të ndeshjes sheh që të shemben para syve rregullat e krijuara nga FSHF, e për më tepër që ky është një skenar që përsëritet çdo sezon në kampionatin më “elitar” të futbollit, ose më saktë duhet përsëritur çdo sezon në Shqipëri. Ashtu siç ndodhi në fazën e parë mes Vllaznia-Tirana, edhe në të dytën nuk kishte si të mungonte shfaqja e tillë që për këtë sport duhet quajtur e kobshme. E këtu, jo me ndonjë fuqi të veçantë parashikuese, do vërejmë të gjithë se si do të ndiqet kjo ndeshje nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF, do shikojmë se si të gjitha mediat e shkruara ose vizive në Shqipëri do mundohen të gjejnë fajtorin mes tifozerisë së Elbasanit ose Tiranës e do të harrojnë se ky fakt (fatkeqësisht) tashmë shkon shumë më thellë se dhuna dhe shfaqjet huligane të tifozëve gjatë një  ndeshjeje. Dje u luajt takimi mes Elbasanit dhe Tiranës, e përsëri futbolli kaloi në vend të dytë, me përqendrimin maksimal që vinte në shkallët e stadiumit më të ri në Shqipëri “Elbasan Arena” ku nga dje nuk do të dukët më i ri, me gjithë stolat që u shkulën dhe flakadanët që u shkatërruan. Nuk mund të quhet më fenomen dhuna në stadiumet tona, pasi po bëhet gjithmonë  e pranishme në shumë sfida. E përsëri vërejmë se si dështon organizimi i një ndeshje futbolli, ndërkohë që para pak kohësh ishin të gjithë bashkë, edhe ata tifozë-huliganë edhe FSHF, që bërtisnin për mosmenaxhim të mirë të ndeshjes Serbi-Shqipëri, ku dhuna përfshiu stadiumin. Por duket se Federata jonë dështon më shumë, më keq, se në stadium nuk ishin 32 mijë vetë, ishin shumë më pak se aq, në stadium nuk ishin dy skuadra të shteteve të ndryshme, por të dy qyteteve të ndryshme, në stadium nuk kishte masa, në stadium bëhej sehir nga lart tek shihej se si shkatërrohej ajo që po quhej “shtëpia e Kombëtares”. E përsëri duket se dështimi merr përmasa edhe më të mëdha, pasi bashkohen të gjithë në një pikë si pjesëmarrës në dështimin edhe një herë të sportit në përgjithësi.  Specialistë dhe qytetarët pohuan se shkak kryesor i ngjarjes së rëndë dje në Elbasan, është paaftësia e policisë, duke kërkuar nga strukturat përkatëse e ministri Tahiri, ndërmarrjen e masave të menjëhershme në këtë drejtim. Por vështirë se ai e vartësit e tij do e kthejnë qetësinë e humbur dhe në fushat e futbollit.