Dhuna dhe droni, “këstet” që pagoi futbolli

571
Sigal

SPECIALE/ Sezoni 2014-2015 “prodhoi” tregues që e zhvendosin më shumë drejt standardeve pozitivë

Teksa viti 2014 po mbyll fletët e fundit të tij, futbolli i ka “likuiduar” javë më parë veprimtaritë ndërkombëtare, e më pas dy “këstet” e para të Superligës (dy fazat e para). Kjo Superligë na la pas 18 javë të mbushura me dukuri, të cilat me të veçantat e tyre, të japin idenë se ato e kanë zënë “për fyti” futbollin dhe nuk duan që t’i shqiten atij vit pas viti. Kjo është e natyrshme për topkëmbën, por me shumë dhunë, e më tej për një dron që “çmend”  futbollin, këto janë dukuri që kanë të përbashkët një element, ndërsa i ndan gjeografia e zhvendosjes së tyre. Gjithsesi, kur kujton se në 18 javët e  luajtura të Superiores kemi lënë pas një panoramë shumëngjyrëshe me 1620 minutat zyrtare të luajtura dhe me një shportë me 167 gola të shënuar nga 74 futbollistë, 26 prej të cilëve janë futbollistë të huaj, patjetër si fillim duhet thënë një “mirë” që erdhi deri këtu, edhe pse në startin e sezonit dëgjuam e lexuam të tjera objektiva e premtime. Gjithsesi, në vështrimin statistikor duke ecur në këto 18 javë ku kishte edhe dhunë (si zakonisht jashtë fushës), ku kishte shumë kartonë të verdhë e të kuq, aty ku kishte edhe gjykime në nivele pse jo edhe amatore, me këto dukuri të rrokullisura së bashku, e mbyllën edhe tabelën e renditjes. Por, kësaj tabele i duhet kushtuar një vëmendje më e madhe në këndvështrimin e pjesës së parë të sezonit futbollistik në vazhdim 2014-2015, sepse veç të tjerave, si asnjëherë tjetër në krye të renditjes është skuadra e Kukësit. Ky nuk mund të quhet një tregues i befasishëm, kur kujtojmë se skuadra kuksiane në dy sezonet e kaluara ka dalë nënkampione, njëherësh është përfaqësuar me dinjitet edhe në Europë. Nga ana tjetër, ky nuk mund të nënvleftësohet si një sukses i kësaj skuadre, kur shikojmë që poshtë saj në tabelën e renditjes ndodhen Skënderbeu, Partizani e Tirana, të cilët së bashku kanë koleksionuar 44 tituj Kampionë të Shqipërisë në 75 kampionatet e zhvilluara deri më tani dhe 30 Kupa të Shqipërisë. Një tregues tjetër interesant i dy fazave të para të Kategorisë Superiore për sezonin në vazhdim është se golashënuesit më të mirë të saj janë futbollistë të huaj. Golashënuesit nga 10 gola (Pero Pejiç i Kukësit, kroat) në 5 gola, janë 9 lojtarë, nga të cilët vetëm Elis Bakaj i Tiranës është shqiptar. Veçohet ky tregues edhe për faktin tjetër se golashënuesit shqiptarë në sezonet e kaluara, ose janë larguar nga Superiorja, ose po kalojnë gjendje jo fort të mirë, e këtu veçohet Daniel Xhafaj, Migen Memelli, Arbër Abilaliaj, etj. Duke qenë tek golat, le ta veçojmë si interesant edhe faktin që u shënua vetëm 1 autogol nga futbollisti Dushku i Kukësit, në javën e 8-të në takimin Tirana-Kukësi 3-1. Më pak gola gjatë dy fazave të përshkruara, u shënuan në javën e 4-ët, pikërisht 4, ndërsa në javën e 13-të u shënuan më shumë gola, 17. Ky tregues për këtë  luhatje shënimi golash, ndoshta mund të quhet edhe si një moment i imponuar edhe nga formula e re me 10 skuadra në përbërjen e Kategorisë Superiore, por për ta vazhduar idenë me këta tregues interesantë ku Superliga u përfshi në dy fazat e para të saj, veçojmë  gjendjen e dobët të skuadrave si Vllaznia, Flamurtari dhe të Teuta. Kjo është mëse e veçantë për t’u  treguar, pasi në këtë rast kemi të bëjmë me skuadra që së bashku koleksionojnë 11 tituj Kampionë dhe 13 Kupa të Shqipërisë të fituara prej tyre. Pra, thënë ndryshe, në dy fazat e para këto skuadra kanë çaluar, por që fatmirësisht nuk rrezikohen nga një tjetër tregues interesant, ku dy skuadrat e vendeve të fundit në renditje, Elbasani e Apolonia me nga 9 pikë, e kanë prenotuar realisht rënien një kategori më poshtë, ndërsa i mban me shpresë vetëm matematika. Ndërkohë, duhet thënë me shumë forcë se këto dy “këstet” e para të Kategorisë Superiore mbartën edhe një tregues të i zi (nëse do ta quajmë kështu), që ishte dhuna e vazhdueshme e cila u shfaq në shkallët e disa stadiumeve (Shkodër, Tiranë, Korçë, Elbasan, etj). Dhe këtu interesantja është se protagonistë kanë qenë tifozët e Tiranës, të cilët në tre ndeshje treguan një vandalizëm të pa imagjinuar për topkëmbën shqiptare, një dhunë të denjë për një huliganizëm alla-anglez të viteve të shkuara. Veç ndonjë momenti delikat që arbitra të veçantë treguan në disa ndeshje, dhuna ka qenë elementi që e shëmtoi këtë futboll që u luajt në 18 javët e para të Superligës sonë. Këta tregues interesantë në të dy kahet, ndoshta do të minimizohen në dy fazat e tjera që do të luhen nga 24 janari deri në 16 maj 2015, pasi të gjitha skuadrat kanë hapësirat e rikuperimit të tyre stërvitor, të alternuar edhe me merkaton që mund të kryejnë për ato vende ku kanë çaluar në fushën e lojës. Dhe i quajmë këta tregues interesantë, ose jo, rëndësi ka se gjithçka e thënë në këto radhë për Superligën 2014-2015 flet për atë që është parë në fushën e lojës, në shkallët e stadiumeve, por edhe jashtë tyre në 18 javët e para. Tashmë është gjysma tjetër për t’u luajtur, ndoshta edhe më e vështirë, por më parë se të shprehemi për çka mund të riparohet në këtë periudhë, le të urojmë gjithë topkëmbën shqiptare: Gëzuar Vitin e Ri 2015!

KATEGORIA SUPERIORE

Renditja në 18 javë

Skuadrat    Pikë

1.Kukësi  38

2.Skënderbeu          36

3.Partizani               36

4.Tirana                     35

5.Laçi       27

6.Vllaznia                23

7.Flamurtari22

8.Teuta                       16

9.Elbasani                9

8.Apolonia                9

Golashënuesit në 18 javë

10 gola: Pejiç (Kukësi);

8 gola: E. Bakaj (Tirana);

6 gola: Ofoje (Laçi);

5 gola: Cetkoviç (3p) (Laçi), Martins, Olyanika (Skënderbeu),  Ndikumana (Tirana), Souza (Vllaznia), Raçiç (Partizani);

4 gola:Mazrekaj (2p) (Partizani), F. Sefa, Progni (Skënderbeu), Dushku (1aut) (Kukësi), Shtubina (1p) (Vllaznia)

3 gola: Shabani, Dita (Teuta), Muzaka (2p), Abilaliaj (Flamurtari), etj….

, Çota (Elbasani), Lushtaku (Kukësi); 2 gola: Pepa, Rafael, Hyseni (Teuta), Vangjeli, Shkëmbi (2p) (Skënderbeu), Gelashvili, Gilberto, Telushi (Flamurtari), Curri, G. Muça (Tirana), Vila (1p), Nexhipi (Partizani), D. Bylykbashi (1p), Lamçja (Elbasani), Doku, Nimani (Laçi), Hysa (Kukësi); 1 gol: Osmani, Dimo, Shehi (1p), Alikaj (Skënderbeu), Mendez, A. Shehaj (Flamurtari), Peposhi, Krasniqi, Deliallisi, Nika (1p) (Teuta), Hyshmeri, E. Bulku, Bushiç, Taku, Kagere, Morina (1p) (Tirana), Buljan, E. Çela, Memelli (Laçi), Fazlliu, Ibrahimi, Osmanaj (Partizani), Dibra, Kruja, Marku, Hajdari, Kalaja, E. Beqiri, Tafili (Vllaznia), Y. Hoxha, Zeqiri (Kukësi), Canka, Karakaçi, Mitraj, Erkoçeviç (Apolonia), Kaçuli, Musta, Agboy (Elbasani); Autogola:Dushku (Kukësi) në javën e 8-të, Tirana-Kukësi

Kombetarja

Tapeti ku

“gatuhet” futboll

Nëse ka një tregues që duhet veçuar me shumë respekt në topkëmbën shqiptare për vitin 2014, ajo është Kombëtarja e futbollit e drejtuar nga italiani Xhani De Biazi. Jo vetëm për paraqitjen e mirë që ka bërë në ndeshjet eliminatore të Evropianit 2016, por edhe se në miqësoret e luajtura me skuadrat e mëdha si Italia e Franca, kjo Kombëtare tregoi se Shqipëria e futbollit tashmë është bërë faktor pozitiv në Europë. Fitorja në Portugali, barazimi me Danimarkën dhe kulmi në sfidën me Serbinë, e zhvendosin Kombëtaren tonë të futbollit në grupin e atyre skuadrave që kërkojnë më shumë se tradita e mbijetesës në grupet eliminatore. Duke parë vendin e 58-të të renditjes në Botë në mesin e muajit dhjetor, duhet thënë se kjo nuk është pjesa reale e saj, sepse ngjarja që ndodhi në Beograd në ndeshjen e 14 tetorit me Serbinë e uli paksa “bursën” e saj, por jo dinjitetin teknik e moral. Dënimet e dhëna me subjektivitet e njëanshmëri për atë ngjarje, gjobë dhe humbje në tavolinë, më shumë treguan se drejtësia e UEFA-s është në skalionin e albanofobëve e ultranacionalistëve serbë. Kësisoj, gjatë vitit 2014 Kombëtarja shqiptare e futbollit është duke “gatuar” futbollin e kohës, edhe pse standardet e saj në raport me homologet janë në disnivele të dukshme. Ndoshta, kjo është edhe skuadra e vitit 2014, pasi me këtë paraqitje e meriton të jetë e tillë.

Renditja

Grupi I eliminator

“Euro 2016”

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Danimarka        4        7

2.Portugalia          3        6

3.Shqipëria           3        4

4.Serbia (-3)         3        1

5.Armenia                      3        1

Agron KAJA