Dhjetë vende të përcaktuara, Zidan ka vetëm një dyshim për Bajernin

512
Pas ndeshjeve kundër Malagës dhe Bilbaos dhe vetëm me Naçon në infermieri, Reali ka nisur përgatitjet për transfertën e parë gjysmëfinale të Champions-it në Mynih. Dy ndeshjet e fundit nuk i kanë hapur probleme me dëmtimet Zidanit dhe ai do luajë kundër Bajernit me skuadrën më të fortë të mundshme në dispozicion. “Marca” shkruan se formacioni titullar nuk është ende i qartë, por nuk e përjashton mundësinë që të luajë 11-shja që mposhti Juven në Torino, me Navasin në portë, Karvahalin, Varanin, Ramosin dhe Marselon në mbrojtje, Kasemiron, Modriçin, Krosin dhe Iskon në mesfushë dhe Ronaldon dhe Benzemanë në sulm. Kjo skuadër siguroi fitoren 3-0 në çerekfinalen e parë në Itali, e cila garantoi biletën e kualifikimit pavarësisht ndeshjes horror të kthimit, e cila vuri gjithçka në dyshim.
Zizu nuk ka dyshime për portën: atje do të jetë sërish Navas, duke qenë se ai nuk ka zgjedhje tjetër, sepse refuzoi shansin për të firmosur me Kepa Arrizabalagan. Mbrojtësit e krahut Hakimi dhe Hernandez nuk ofrojnë konkurrencë për Karvahalin apo Marselon në një ndeshje të kësaj stature dhe reparti duket i pandryshueshëm. Në mesfushë ka disa dyshime përveç se Kasemiro, Modriç dhe Kros e kanë të sigurt vendin.
Zidan e ka ndërtuar mesfushën e tij rreth kësaj trioje dhe do t’i propozojë sërish në fushë ndaj Bajernit. Por francezi do i shtojë një mesfushor të katërt dhe skenari më i mundshëm është Isko, i cili u la pushim ndaj Bilbaos. Në sulm është edhe dyshimi më i madh. Kush do të jetë partneri i Kristianos? Në Torino, Zidan vendosi për Benzemanë, por francezi nuk e justifikoi me paraqitjen e asaj mbrëmjeje. Megjithatë, ai mbetet favorit përpara Bejlit. Por as Vazkez dhe Asensio nuk duhen përjashtuar si alternativa.
Sigal