Dështimi i paralajmëruar i Panuçit apo gjetja e gabuar e Federatës

Largimi i mistershëm i trajnerit më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar Xhani De Biazi u dhe zëvendësimi i tij me një “trajner “ anonim kërkon pa diskutim një analizë të hollësishme. Ndoshta qëndrimi prej xhentëlmeni i De Biazit dhe mbyllja e gojës për ato që ai pa dhe përjetoi në kazanin e futbollit shqiptar kërkojnë përtej respektit për këtë figurë shqiptaro-italiane, edhe një lloj hetimi të ngjashëm me vettingun që njerëzit po e presin çdo ditë dhe në çdo aspekt të jetës politike, shoqërore pse jo edhe atë të sportit. Xhani De Biazi do të mbahet mend gjatë, pasi arriti, jo vetëm të dërgonte shqiptarët në një kompeticion sikurse është ai i Evropianit, por edhe tregoi se loja e kombëtares sonë dhe psikologjia e brumosur tek lojtarët nuk i trembeshin as ekipeve më të mëdha të Evropës dhe botës. Të mos harrojmë se tronditëm bindshëm Francën, Italinë, Portugalinë, Danimarkën e kështu me radhë. Ndoshta me pak fat mundet që edhe të kishim kaluar edhe fazën e parë në Evropianin e Francës. Po përse u katandisëm në këtë situatë? Sigurisht që kjo kërkon analizë të thellë, të ftohtë në arsyetim dhe investigim të shumë çështjeve që nisin nga futbollistët, menaxherët e lojtarëve, një pjesë e të cilëve flirtojnë në dyert e FSHF, por edhe vetë vendim-marrjen e institucionit më të lartë të futbollit në vend. Ndërprerja e marrëveshjes së De Biazit si drejtues i kombëtares menjëherë pas fitores 3 me 0 ndaj Izraelit dhe thirrja e një futbollisti që ka qenë në nivele të kënaqshme në karrierë, por jo si trajner, lë shumë për të dëshiruar. Dhe këto dobësi Panuçi i tregoi që në ndeshjen e parë më Litehshtejnin dhe i reflektojë çuditërisht për keq, kuptohet, në takimin me Spanjën. Ndeshja me Litehshteinin që ishte e para për Panuçin tregoi se ai kishte shumë herë më shumë dobësi se sa vetë grupi që ai grumbulloi. Masat drastike që ai mori ndaj futbollisteve për të ashtuquajturën “disiplinë” më shumë se sa në të mirë të ekipit apo grupit ishte një kapriçio e tij personale dhe ndoshta e njerëzve që e rrethojnë nga pas. Nga ana tjetër ndeshje me Letehshtenjnin tregoi se problemet fillojnë dhe duan zgjidhje nga koka dhe pastaj të shkojmë tek bishti. Ne sot kemi lojtarë sa për dy apo edhe tre kombëtare, dhe kjo, falë emigrimit të gjysmës së popullsisë nga viti 1990 kur u hapën ambasadat dhe deri më sot. Fëmijët e emigrantëve shqiptarë janë rritur dhe edukuar në shkollat perëndimore ashtu sikurse edhe vetë perëndimorët dhe sot ne kemi këtë mundësi dhe luks që trajnerët të kenë vëmendjen, përqendrimin dhe nivelin e përzgjedhjes së tyre. Po t’i shtojmë këtu edhe futbollistët e shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera, përzgjedhja bëhet edhe më e vështirë pasi edhe numri sikurse theksuam është jo më për dy por për tre kombëtare. Ndeshja e dytë pas asaj me Letehshtejnin ishte me Maqedoninë dhe përsëri ekipi ishte i papozicionuar, i paorganizuar,pa vizion, pa strategji dhe zoti na ndihmoi nga humbja e sigurt pasi rastet e ekipit Maqedonas dhe loja e tij meritonte shumë herë më shumë respekt e, pse jo edhe rezultat në favor të tyre. Paralajmërimi i këtyre ndeshjeve dhe dobësia reflektoi edhe në takimin me Spanjën e cila u tregua bujare dhe nuk u impenjua në pjesën e dytë, pasi rezultati do ishte turpërues për Kombëtaren Kuq e Zi. Sot kombëtarja jonë luan me Italinë dhe të gjithë dëshirojmë për një ndeshje dinjitoze dhe ndoshta pozitive. Por ,nëse ekipi ynë dështon atëherë ky do ishte një turp për futbollin tonë dhe mbi të gjitha për ata që sollën në krye të bankinës Kuq e Zi, një trajner modest dhe të nivelit të dobët, si në imazh ashtu edhe në profesion. Ndoshta pas kësaj Panuçi duhet të bëhet burrë dhe të kërkojë dorëheqjen, pasi si niveli i tij, por edhe më të mirë se ai, në Shqipëri ka shumë dhe që janë modestë edhe në shpenzime. Federata duhet të shkundet dhe nuk ka pse të ndihet e fyer nga gjetja e gabuar. E rëndësishme është të korrigjosh në kohë gabimin dhe jo të flirtosh me të. Në të kundërt do të mendonim, gjykonim dhe aludonim se këto zgjedhje janë të qëllimshme dhe se pas tyre ndoshta fshihen të tjera gjëra.