Dështimi i paralajmëruar i olimpizmit shqiptar

618
Sigal

“Londër 2012” zbulon realitetin e hidhur dhe prapapambetjen e sportit shqiptar: doping dhe demagogji

Aventura shqiptare në “Londër 2012” nisi në mënyrën më të shëmtuar, me përjashtimin e peshëngritësit Hysen Pulaku, si përdorues dopingu, dhe përfundoi para kohe, më vetëpërjashtimin e atletes Klodiana Shala, për arsye të dëmtimit të saj. Pompoziteti i “triumviratit”: Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe të pesë federatave të shumpësportshit që kishin përfaqësues të tyre në Olimpiadë, se do të synonin rezultate të larta në Olimpiadën, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, rezultuan një propagandë dhe demagogji, nga drejtuesit dhe sportistët. Ka një mori faktorësh për dështimin e delegacionit shqiptar në Lojërat e 30-ta Olimpike, objektivë dhe subjektivë, por që përmblidhen në një të vetme, dështimin e politikave sportive, mungesës së strategjisë të institucioneve përgjegjëse, degradimit total të infrastrukturës sportive, mungesës së theksuar të investimeve, fondi-grant gjithmonë më i pakët për sportin. Shqipëria u përfaqësua në “Londër 2012”, zyrtarisht me 11 sportistë, por në fakt në garë morën pjesë nëntë olimpistë: Romela Begaj, Daniel Godelli, Briken Calja dhe Endri Karina, në peshëngritje; Noel Borshi dhe Sidni Hoxha, në not; Arben Kuçana në qitje; Adriatik Hoxha në hedhje gjyleje, si dhe kosovarja Majlinda Kelmendi në xhudo. Rezultati më i mirë i Shqipërisë ishte vendi i 9-të i Briken Caljas në peshëngritje (pesha 69 kg), ndërkohë që Noel Borshi dhe Sidni Hoxha, nuk shkëlqyen në “Londër 2012”, por të paktën thyen (përmirësuan) rekordet kombëtare të tyre, respektivisht në 100 metra delfin dhe 100 metra stil i lirë. Në fakt, një pjesë e mirë e olimpistëve u përgatitën jashtë: peshëngritësja Romela Begaj zgjodhi Greqinë, peshëngritësi Hysen Pulaku, Shtetet e Bashkuara të Amerikës; notarja Noel Borshi, Italinë dhe ku jeton, si dhe Sidni Hoxha, Shtetet e Bashkuara ku studion.

 FINANCIMET

Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve është përgjegjëse për politikat sportive në vendin tonë. Por, influenca e saj është periferike, fondet grant për federatat për zhvillimin e kampionateve, përfaqësimeve ndërkombëtare, apo masivizimin gjithmonë e më shumë po zvogëlohen nga viti në vit, ndërkohë që nuk mund të flasim kurrë për investime në infrastrukturë. Në 22 vitet e fundit nuk është ndërtuar qoftë dhe një pallat sporti, ndërkohë që mund të flasim vetëm për “arnime” bashkiake. Edhe pse “Londër 2012” përkoi me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe pritej që fondi ndaj sportit të kapte një shumë më të madhe, përkundrazi ai u zvogëlua me të paktën 20% nga një vit më parë, duke ulur kështu numrin e aktiviteteve, e deri te anulimi i disa prej tyre. Sa për ilustrim: vetëm për atletikën në katër vitet e fundit, Ministria e Sporteve ka dhënë këto fonde: 9.5 milionë lekë në vitin 2009, 6 milionë lekë në vitin 2010, 6.6 milionë lekë në vitin 2011 dhe 6 milionë lekë në vitin 2012. Për qitjen,

Për qitjen, një tjetër sport i përfaqësuar në “Londër 2012”, kemi këto fonde: në vitin 2009, 3 milionë lekë, ndërkohë që në tre vitet e fundit: 2010, 2011 dhe 2012, shuma është përgjysmuar në 1.5 milionë lekë. Fondet për basketbollin kanë pësuar një reduktim gati me 25% në harkun e katër viteve të fundit: 12 milionë lekë në vitin 2009, 12.5 milionë lekë në vitin 2010, 12 milionë lekë në vitin 2011 dhe 9 milionë lekë në vitin 2012. Vetëm për Federatën e Peshëngritjes janë shtuar fondet, nga 12 milionë lekë në vitin 2009, në 17 milionë lekë për vitin 2012.

Sporti nuk mund t’i shpëtojë realitetit të shoqërisë shqiptare, ashtu sikurse edhe efekteve të krizës (të papranuar) financiare. Fondi-grant është zvogëluar, ndërkohë që keqmenaxhimi (për të mos thënë abuzimet) dhe paaftësia deri tani nuk kanë prodhuar rezultate. Më shumë zyrtarët shpenzojnë kohën duke lexuar gazetat sportive, sesa u japin udhë problemeve që ka sporti ynë, në një ministri ku sporti ndihet tërësisht i “persekutuar”. Për vitin 2012, u dhanë nga MTKRS për federatat sportive vetëm gjysmëmilioni euro, pra e barabartë më pak se 300 metra rrugë e superstradës Levan-Vlorë, që ka një kosto për 1km rrugë, 2.7 milionë euro. Investimet në sport nga vendet tona fqinje, edhe më të vogla se ne, si Mali i Zi apo Maqedonia, janë disa herë më të mëdha, çka reflekton dukshëm edhe në rritjen e këtyre të fundit. Tej frazave të fryra demagogjike kur marrim ndonjë medalje të shkëputur dhe kur bëjmë fushata elektorale, përfundimi i kësaj Olimpiade na dha mesazhin e qartë, se pa investime serioze, pa përgjegjshmëri dhe dashuri për sportin gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në ditë të caktuara, sporti shqiptar nuk do të arrijë kurrë rezultate të nivelit ndërkombëtar. “Londër 2012” na zbuloi edhe njëherë realitetin e hidhur të sportit shqiptar, një sport i prapambetur, me shumë probleme, kur tani kemi edhe sportistë të dopuar (si në rastin Pulaku), me rezultate të dobëta (si Godelli, që nuk realizoi asnjë provë), por dhe tërheqje të paparashikuara (si Klodiana Shala). Duke pasur parasysh kushtet e varfra, ku operon sporti shqiptar, mungesës totale të vëmendjes shtetërore, dështimi në “Londër 2012”, duhet të shërbejë si një sinjal alarmi. Një nga deputetët e njohur të Partisë Socialiste, Fidel Ylli, ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese në të gjithë vendin dhe më gjerë, për problematikën e sportit tonë, dukë bërë një punë vërtet të bukur. Një iniciativë, që padyshim do të gjejë kohën të japë dhe frytet e saj.

 INFRASTRUKTURA

“Noti nuk mësohet në të thatë”, thotë një shprehje e vjetër. Infrastruktura e mirë është një faktor kryesor në përgatitjen e sportistëve cilësorë. Tirana është motori i lëvizjes sportive. Kryeqyteti kishte para viteve 1990, më shumë se tre komplekse sportive të mirëorganizuara, ato të Dinamos, Partizanit dhe Tiranës, ndërkohë që në qytet ekzistonin gati 25 fusha futbolli dhe terrene sportive, poligone qitjeje, të standardeve normale, pra ishin fusha me përmasa optimale, ndërkohë që sot mund të themi se te kompleksi i famshëm “Partizani, që përfshinte përveç godinës ku kishte salla të forcës dhe për stërvitje individuale, disa fusha basketbolli, volejbolli, u shkatërrua tërësisht dhe sot në vend të kompleksit të dikurshëm po ngrihen ndërtime luksoze. Edhe kompleksi “Dinamo”, i ndërtuar në vitet 1980, e që dikur ishte krenaria e infrastrukturës sportive shqiptare, madje në të kishte dhe fushë tenisi, sot është thuajse i degraduar, pasi në të nuk ka më investime serioze, përveç fushës me bar sintetik. Mungesa e infrastrukturës është përkthyer në mungesën e ekipeve. Dikur kampionë të padiskutueshme, Partizani, në basketboll për meshkuj dhe Dinamo, në volejboll për femra, sot thuajse nuk ekzistojnë. Nuk ekzistojnë më skuadrat e famshme të të volejbollit e basketbollit të Partizanit. Nëse do të largoheshim paksa nga optika “Londër 2012” dhe të hidhnim sytë te ekipet kombëtare të basketbollit apo volejbollit, do të konstatonim një fakt të thjeshtë, por kuptimplotë për cilësinë e dobët: i kemi humbur të gjitha takimet ndërkombëtare, duhet të kërkosh në vite që të gjesh qoftë dhe një fitore. Lojërat me dorë kanë pësuar dhe dëmin më të madh në këta vitet e fundit, pasi kampionatet nuk kanë cilësi, skuadrat po pakësohen përditë dhe mungesa e një infrastrukture bazë ka sjellë një degradim të skajshëm. Situata duket alarmante në kryeqytet, ku është përqendruar dhe pjesa më e madhe e skuadrave. Ka mungesë pallatesh sporti dhe fushash për ushtrimin e sporteve të basketbollit e volejbollit, aq sa trajnerë të njohur në jo pak raste akuzojnë në formën e batutave, se tani u ka mbetur të zhvillojnë stërvitje në turnin e tretë, pra natën.

 Shpërndarja e granteve për vitet 2009-2010-2011-2012

Federata       2009       2010       2011       2012

 1. Atletika     9.500.000  6.000.000  6.600.000  6.000.000

2. Gjimnastika  4.500.000  2.000.000  2.300.000  1.000.000

3. Karate       1.500.000  1.000.000  700.000    500.000

4. Mundja       7.000.000  6.000.000  7.300.000  8.000.000

5. Xhudo        1.000.000  1.500.000  2.300.000  2.000.000

6. Shah         2.100.000  1.200.000  1.700.000  700.000

7. Basket       12.000.000 12.500.000 12.000.000 9.000.000

8. Noti         2.300.000  2.500.000  2.000.000  1.500.000

9. Bodybuilding 500.000    Projekt    300.000    Projekt

10. Çiklizëm    7.500.000  7.500.000  8.200.000  5.500.000

11. Volej       12.000.000 12.500.000 10.500.000 9.000.000

12. Shtangë     12.000.000 15.000.000 15.000.000 17.000.000

13. Qitje       3.000.000  1.500.000  1.500.000  1.500.000

14. Boksi       7.300.000  7.500.000  7.000.000  6.000.000

15. Alpinizëm   1.500.000  800.000    900.000    1.500.000

16. Taekw.ITF   700.000    Projekt    300.000    Projekt

17. Taekwondo W 700.000    Projekt    300.000    500.000

18. Ski         1.500.000  2.500.000  1.900.000  1.500.000

19. Radioamato. 500.000    Projekt    300.000    Projekt

20. Hipizëm     700.000    850.000    850.000    Projekt

21. Boëling     500.000    Projekt    300.000    Projekt

22. Loja Brixh  200.000    Projekt    350.000    Projekt

23. Bilardo     2.000.000  2.500.000  2.500.000  1.500.000

24. Ping Pong   1.300.000  1.300.000  1.350.000  1.000.000

25. Tenis       1.300.000  850.000    500.000    200.000

26. Hendboll    800.000    Projekt    300.000    Projekt

27. Danci Sport.     800.000    Projekt    500.000    200.000

29. Automobilizëm    –    –    300.000    –

30. Aeronautika –    –    200.000    500.000

Kuçana i jep fund aventurës

 Qitësi Arben Kuçana ishte sportisti i fundit i delegacionit olimpik shqiptar, që garoi në Lojërat Olimpike “Londër 2012”. Edhe Kuçana nuk i shpëtoi sëmundjes së dështimit, duke u renditur 37-ti nga 38 qitës në garën 50 metra pistoletë, duke grumbulluar 524 pikë, po aq sa dhe malazezi Nikola Saranaviç. Vendi i fundit i kualifikuat për në finale, pra ai i arritur nga italiani Xhuzepe Xhordano ishte 559 pikë. Ky rezultat i Kuçanës, ishte me i dobët se ai që arriti po ky qitës në 10 metra pushkë-ajër, kur u rendit i 20-ti midis 44 sportistëve. Medaljen e artë në 50 metra pistoletë e fitoi koranojugori Jongoh Jin me 662 pikë (562 në kualifikuese, plus 100 pikë në finale), i ndjekur nga bashkatdhetari i tij, Young Rae Choh (661.5 pikë) dhe kinezi Zhivei Vang (658.6 pikë).

 Garat dhe rezultatet e olimpistëve shqiptarë

 NOEL BORSHI

(Not, 100 metra delfin)

Vendi i 40-të nga 42 sportistë

Theu rekordin kombëtar në këtë stil

 ARBEN KUÇANA

(Qitje me pistoletë, 10 m ajër)

Vendi i 20-të nga 44 sportistë

 MAJLINDA KELMENDI

(Xhudo, pesha 52 kg)

U eliminua në 1/16

 ROMELA BEGAJ   

(Peshëngritje, pesha 58 kg)

Rezultati: 216 kg në dygarësh

Vendi i 11-të nga 19 sportistë

 BRIKEN CALJA   

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

Vendi i 9-të nga 24 sportistë

 DANIEL GODELLI 

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

Nuk u klasifikua në dygarësh

 SIDNI HOXHA         

(Not, 100 metra stil i lirë)

Vendi i 37-të nga 60 sportistë

Theu rekordin kombëtar në këtë stil

 ADRIATIK HOXHA 

(Hedhje gjyle)

Vendi i 37-të nga 40 sportistë

 ENDRI KARINA   

(Peshëngritje, pesha 94 kg)

Vendi i 14-të nga 21 sportistë

 ARBEN KUÇANA   

(Qitje, 50 metra pistoletë)

Vendi i 37-të nga 38 sportistë

 KLODIANA SHALA 

(Atletikë, 200 metra)

U tërhoq nga gara për arsye dëmtimi

  HYSEN PULAKU

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

U përjashtua nga Olimpiada pasi rezultoi pozitiv me doping, substancën stanozozol