Dështimi i paralajmëruar i Ministrisë së Sporteve

589
Sigal

Demagogjia e MTKRS-së dhe varfërimi i sportit shqiptar. Gjithnjë e më pak financime

Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve është përgjegjëse për politikat sportive në vendin tonë. Por, influenca e saj është periferike, fondet grant për federatat për zhvillimin e kampionateve, përfaqësimeve ndërkombëtare, apo masivizimin gjithmonë e më shumë po zvogëlohen nga viti në vit, ndërkohë që nuk mund të flasim kurrë për investime në infrastrukturë. Në 22 vitet e fundit nuk është ndërtuar qoftë dhe një pallat sporti, ndërkohë që mund të flasim vetëm për “arnime”, ndërkohë që periudha më e varfër është ajo 2009-2012.

 MË PAK FINANCIME

Edhe pse “Londër 2012” përkoi me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe pritej që fondi ndaj sportit të kapte një shumë më të madhe, përkundrazi ai u zvogëlua me të paktën 20% nga një vit më parë, duke ulur kështu numrin e aktiviteteve, e deri te anulimi i disa prej tyre. Sa për ilustrim: vetëm për atletikën në katër vitet e fundit, Ministria e Sporteve ka dhënë këto fonde: 9.5 milionë lekë në vitin 2009, 6 milionë lekë në vitin 2010, 6.6 milionë lekë në vitin 2011 dhe 6 milionë lekë në vitin 2012. Për qitjen, një tjetër sport i përfaqësuar në “Londër 2012”, kemi këto fonde: në vitin 2009, 3 milionë lekë, ndërkohë që në tre vitet e fundit: 2010, 2011 dhe 2012, shuma është përgjysmuar në 1.5 milionë lekë. Fondet për basketbollin kanë pësuar një reduktim gati me 25% në harkun e katër viteve të fundit: 12 milionë lekë në vitin 2009, 12.5 milionë lekë në vitin 2010, 12 milionë lekë në vitin 2011 dhe 9 milionë lekë në vitin 2012. Vetëm për Federatën e Peshëngritjes janë shtuar fondet, nga 12 milionë lekë në vitin 2009, në 17 milionë lekë për vitin 2012. Sporti nuk mund t’i shpëtojë realitetit të shoqërisë shqiptare, ashtu sikurse edhe efekteve të krizës (të papranuar) financiare. Fondi-grant është zvogëluar, ndërkohë që keqmenaxhimi (për të mos thënë abuzimet) dhe paaftësia deri tani nuk kanë prodhuar rezultate. Më shumë zyrtarët shpenzojnë kohën duke lexuar gazetat sportive, sesa u japin udhë problemeve që ka sporti ynë, në një ministri ku sporti ndihet tërësisht i “persekutuar”. Për vitin 2012, u dhanë nga MTKRS për federatat sportive vetëm gjysmëmilioni euro, pra e barabartë më pak se 300 metra rrugë e superstradës Levan-Vlorë, që ka një kosto për 1km rrugë, 2.7 milionë euro. Investimet në sport nga vendet tona fqinje, edhe më të vogla se ne, si Mali i Zi apo Maqedonia, janë disa herë më të mëdha, çka reflekton dukshëm edhe në rritjen e këtyre të fundit. Tej frazave të fryra demagogjike kur marrim ndonjë medalje të shkëputur dhe kur bëjmë fushata elektorale, përfundimi i kësaj Olimpiade na dha mesazhin e qartë, se pa investime serioze, pa përgjegjshmëri dhe dashuri për sportin gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në ditë të caktuara, sporti shqiptar nuk do të arrijë kurrë rezultate të nivelit ndërkombëtar. Deputeti i PS-së, Fidel Ylli, gjatë një interviste për “Sport Ekspres” (9 nëntor 2012), në lidhje me buxhetin e sportit tha: “MTKRS, ka 4 vjet që buxhetet e sportit i ka në ulje në masën 20-30%. Për sportin, në vitin e fundit janë akorduar 234 milionë lekë të reja, që janë përafërsisht 2 milionë dollarë, për të gjitha federatat, në formën e GRANT-it, ku përfshihen rroga sekretarësh, siguracione për administratën, qera të ndryshme, ujë, drita, aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Çfarë mund të bëjë një federatë me një GRANT që ndahet nga shteti në 25 Federata? Asgjë. Ne bëjmë sikur bëjmë sport elitar dhe qeveria bën sikur na paguan. Në vitin që jemi, Federata Greke e Peshëngritjes e ka buxhetin e saj 2 milionë euro, me krizën që ka pllakosur atë vend. E imagjinoni sa mund ta ketë pasur më parë? Si mund të kërkojmë ne kampionë Europe apo Bote, apo Medalje Olimpike, kur nuk kemi buxhete, nuk ka trajtime, kualifikime, pa mjekësi sportive, kushte stërvitore, pa vëmendjen e MTKRS? Imagjinoni, kjo qeveri akordon 34 milionë lekë të vjetra për Olimpiadën e Londrës për sportistët që do të përfaqësonin Shqipërinë në këtë aktivitet botëror dhe këto para lëvrohen në 20 gusht, kur i gjithë aktiviteti kishte përfunduar në 8 gusht. E kuptoni këtë paradoks se në çfarë situate dramatike ndodhet sporti sot?”.

 MUNGESA  E INVESTIMEVE

Pompoziteti i “triumviratit”: Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe të pesë federatave të shumpësportëshit që kishin përfaqësues të tyre në Olimpiadë, se do të synonin rezultate të larta në Olimpiadën, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, rezultuan një propagandë dhe demagogji, nga drejtuesit dhe sportistët. Ka një mori faktorësh për dështimin e delegacionit shqiptar në Lojërat e 30-ta Olimpike, objektivë dhe subjektivë, por që përmblidhen në një të vetme, dështimin e politikave sportive, mungesës së strategjisë të institucioneve përgjegjëse, degradimit total të infrastrukturës sportive, mungesës së theksuar të investimeve, fondi-grant gjithmonë më i pakët për sportin.

Gjatë një interviste të ish-trajnerit të ekipit Kombëtar, Bejkush Birçe, dhënë për gazetën “Telegraf” (1 gusht 2012), në lidhje me investimet e shtetit në sport, ai e shprehu qartë: “Dua ta theksoj me forcë, se shteti te ne është inekzistent, përsa i përket sportit dhe investimet për të. Madje në disa raste, si ato të Partizanit dhe Dinamos, elita politike e ka dëmtuar atë, boll të shohësh se çfarë po ndodh me dy klubet legjendë në Shqipëri. Shteti duhet të ndihmojë në krijimin e kushteve. Do të doja të dëgjoja në Parlamentin shqiptar që, të diskutohej qoftë dhe një herë të vetme një debat serioz për sportin. Janë 22 vjet, që nuk flitet për të. Nuk ka një ministri për sportin, por ai është pjesë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kur Turizmi duhet të kishte një ministri më vete, ndërkohë që për sportin jepen shumë të vogla. Sporti duhet të ketë një ministri më vete”. Edhe trajneri i njohur Faruk Sejdini, po në një prononcim të tij për “Telegraf”, bëri fajtore Ministrinë e Sporteve, në lidhje me shkatërrimin e Dinamos. “Ministria e Sporteve duhet të kujdeset për klubet, jo të kthehet në ‘vrasëse’ të ekipit të Dinamos. Ta lërë atë pa fushë ku të stërvitet. Ajo ka rol negativ. Ata drejtues nuk kanë dashuri për futbollin”, – tha ai gjatë një interviste (4 gusht 2012).

 INFRASTRUKTURË E VARFËR

Infrastruktura e mirë është një faktor kryesor në përgatitjen e sportistëve cilësorë. Tirana është motori i lëvizjes sportive. Kryeqyteti kishte para viteve 1990, më shumë se tre komplekse sportive të mirëorganizuara, ato të Dinamos, Partizanit dhe Tiranës, ndërkohë që në qytet ekzistonin gati 25 fusha futbolli dhe terrene sportive, poligone qitjeje, të standardeve normale, pra ishin fusha me përmasa optimale, ndërkohë që sot mund të themi se te kompleksi i famshëm “Partizani, që përfshinte përveç godinës ku kishte salla të forcës dhe për stërvitje individuale, disa fusha basketbolli, volejbolli, u shkatërrua tërësisht dhe sot në vend të kompleksit të dikurshëm po ngrihen ndërtime luksoze. Edhe kompleksi “Dinamo”, i ndërtuar në vitet 1980, e që dikur ishte krenaria e infrastrukturës sportive shqiptare, madje në të kishte dhe fushë tenisi, sot është thuajse i degraduar, pasi në të nuk ka më investime serioze, përveç fushës me bar sintetik. Mungesa e infrastrukturës është përkthyer në mungesën e ekipeve. Dikur kampionë të padiskutueshme, Partizani, në basketboll për meshkuj dhe Dinamo, në volejboll për femra, sot thuajse nuk ekzistojnë. Nuk ekzistojnë më skuadrat e famshme të të volejbollit e basketbollit të Partizanit. Nëse do të hidhnim sytë te ekipet kombëtare të basketbollit apo volejbollit, do të konstatonim një fakt të thjeshtë, por kuptimplotë për cilësinë e dobët: i kemi humbur të gjitha takimet ndërkombëtare, duhet të kërkosh në vite që të gjesh qoftë dhe një fitore. Lojërat me dorë kanë pësuar dhe dëmin më të madh në këta vitet e fundit, pasi kampionatet nuk kanë cilësi, skuadrat po pakësohen përditë dhe mungesa e një infrastrukture bazë ka sjellë një degradim të skajshëm. Situata duket alarmante në kryeqytet, ku është përqendruar dhe pjesa më e madhe e skuadrave.

 DEMAGOGJIA ME DHUNËN

Dhuna vazhdon të jetë një prej problematikave më të mëdha në futbollin shqiptar. Për të parandaluar fenomenin negativ që pushton vazhdimisht stadiumet e të gjitha niveleve në vend, Ministria e Sportit, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Policia e Shtetit kanë nisur bashkëpunimin. Gjatë një takimi të zhvilluar në ambientet e MTKRS-së (3 tetor 2012), ku të pranishëm ishin ministri Aldo Bumçi, kreu i federatës, Armand Duka dhe nën/drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe zëvendësministri i Sporteve, Bajaziti u fol për një plan masash për  eliminimin e dhunës. Shkak për marrjen e masave u bënë ngjarjet në stadiumin e Ersekës, rreth dy javë më parë, ku është kanë rrahur barbarisht gjyqtari i ndeshjes, ndërsa FSHF vendosi që të përjashtonte përjetë trajnerin-lojtar dhe tre futbollistë të Gramozit. Por, ai takim më shumë pati vlera progandistike televizive dhe demagogjike, sesa dha efekt, pasi aktet e dhunës në stadiume vazhdojnë dhe sot e kësaj dite. Themi demagogji dhe një ricklim takimesh pa bereqet, pasi dhe më 26 janar 2010, gjatë një takimi në MTKRS, pas ngjarjeve të dhunës, të shfaqura në disa stadiume të vendit tonë, duke marrë shkas në dy takimet e futbollit, Flamurtari-Besa dhe Tirana -Dinamo, nën drejtimin e zv. Ministrit të TKRS-së, Dashnor Bajaziti, dhe ku morën pjesë zv.Ministri i Ministrisë së Brendshme Avenir Peka, Drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, përfaqësuesi i KOKSH –it, Vojo Malo dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduart Prodani, Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës thuajse doli me të njëjtat terma në deklaratën për shtyp, pra të mos ketë tolerancë për gjyqtarë, futbollistë e drejtues, shkaktarë të dhunës. Për ironi të rastit, edhe më 8 maj të vitit 2009. Por, asnjë efekt në këto tre vjet.

 HESHTJA PËR TRUKIMET

Shqipëria e futbollit mori notën më negative, duke u vlerësuar si vendi me futbollin më të korruptuar në botë. Sipas një analize të kryer nga “Sportradar’, shoqëria lider në botë për monitorimin e parave të vendosura gjatë një ndeshjes, Shqipëria, me 97 ndeshje të dyshuara si të trukuara, është numri një në planet, duke lënë pas Italinë në këtë klasifikim special. Analiza është kryer në bashkëpunim me më shumë se 400 kompani bastesh ndërkombëtare, duke marrë për bazë të dhënat e dy viteve të fundit, duke u nisur nga qershori i vitit 2009 dhe deri në nëntor të vitit 2012. Por, ajo që habiti të gjithë ishte heshtja thuajse totale e Ministrisë së Sporteve, pasi nuk u pa një qëndrim i qartë i saj, apo të kërkonte me forcë nisjen e hetimeve. Shqipëria me 97 ndeshje të manipuluara, midis Kategorisë Superiore, Kupës së Shqipërisë dhe Kategorisë së Parë, është në krye të listës. Italia është e dyta me 70 ndeshje, që përfshijnë gjashtë kampionate, përfshirë Serinë A, B  dhe LegaPro. Moldavia plotëson podiumin me 66 ndeshje. Në “Top-10” të korrupsioni në futboll janë dhe Estonia (46), Greqia (45), Rusia (42), Maqedonia (37), Bullgaria (35), Letoni (31) dhe Lituania (po 31). Kampionati belg vlerësohet si më i pastri, me vetëm një sinjalizim trukimi, duke lënë pas Holandën dhe Francën, në kuotën dy.

Shpërndarja e granteve për vitet 2009-2010-2011-2012

Federata       2009       2010       2011       2012

1. Atletika     9.500.000  6.000.000  6.600.000  6.000.000

2. Gjimnastika  4.500.000  2.000.000  2.300.000  1.000.000

3. Karate       1.500.000  1.000.000  700.000    500.000

4. Mundja       7.000.000  6.000.000  7.300.000  8.000.000

5. Xhudo        1.000.000  1.500.000  2.300.000  2.000.000

6. Shah         2.100.000  1.200.000  1.700.000  700.000

7. Basket       12.000.000 12.500.000 12.000.000 9.000.000

8. Noti         2.300.000  2.500.000  2.000.000  1.500.000

9. Bodybuilding 500.000    Projekt    300.000    Projekt

10. Çiklizëm    7.500.000  7.500.000  8.200.000  5.500.000

11. Volej       12.000.000 12.500.000 10.500.000 9.000.000

12. Shtangë     12.000.000 15.000.000 15.000.000 17.000.000

13. Qitje       3.000.000  1.500.000  1.500.000  1.500.000

14. Boksi       7.300.000  7.500.000  7.000.000  6.000.000

15. Alpinizëm   1.500.000  800.000    900.000    1.500.000

16. Taekë.ITF   700.000    Projekt    300.000    Projekt

17. Taekëondo Ë 700.000    Projekt    300.000    500.000

18. Ski         1.500.000  2.500.000  1.900.000  1.500.000

19. Radioamato. 500.000    Projekt    300.000    Projekt

20. Hipizëm     700.000    850.000    850.000    Projekt

21. Boëling     500.000    Projekt    300.000    Projekt

22. Loja Brixh  200.000    Projekt    350.000    Projekt

23. Bilardo     2.000.000  2.500.000  2.500.000  1.500.000

24. Ping Pong   1.300.000  1.300.000  1.350.000  1.000.000

25. Tenis       1.300.000  850.000    500.000    200.000

26. Hendboll    800.000    Projekt    300.000    Projekt

27. Danci Sport.     800.000    Projekt    500.000    200.000

29. Automobilizëm    –    –    300.000    –

30. Aeronautika –    –    200.000    500.000