Dënohen agresorët, por Gjoka i ka falur: Janë viktima!

764
Moralisht trajneri i Vllaznisë Ernest Gjoka ka falur personin, i cili ka sulmuar dhe tentoi ta godiste me thikë pas stërvitjes, në mbrëmjen e 22 shkurtit në fushën sportive “Reshit Rusi”. Dje, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër dha masë “arrest me burg” për Nehat Fojletën, autorin e dyshuar për sulmin ndaj teknikut Gjoka, e po kështu edhe Sehar Xhenje, i dyshuar si bashkëpunëtor, pasi priti me makinë agresorin. Pas kësaj masë sigurie nga gjykata, tekniku Gjoka ndjen keqardhje, dhe thotë se Nehat Fojleta është viktimë njësoj si ai që ishte viktimë e atij sulmi. “Më vjen shumë keq për atë djalin që më sulmoi. Më vjen keq, sepse ai është një viktimë në këtë rast. Zoti e ruajtë!. S’kam çfarë të them, përveçse më vjen shumë keq dhe s’dua të jem fare pjesë e kësaj pune. Unë uroj që të shkojë sa më mirë për atë, pavarësisht nga ajo që ndodhi”, ka qenë deklarimi i Gjokës dje pas masës së dënimit të dy agresorëve të tij.
Sigal