Sigal

Sezoni i ri futbollistik ka nisur me disa surpriza, për sa i përket formës dhe rezultateve të arritura nga ekipet elitare të futbollit evropian. Më konkretisht bëhet fjalë për 3 ekipet ndër më të titulluarat dhe më të njohura të këtij sporti, Barcelona, Bajerni i Mynihut dhe Reali Madridit. Aktualisht këto tre skuadra kryesojnë renditjen e klubeve të UEFA-s, me tre herë fituesen radhazi të Ligës së Kampionëve, Realin e Madridit në kryesim e ndjekur nga rivalët spanjollë të Barcelonës dhe kampionët e Gjermanisë, Bajernin. Mirëpo kjo renditje nuk përkon me ecurinë që po kalojnë këto skuadra në sezonin aktual. Reali i Madridit po has më tepër vështirësi se sa mendohej, pas largimit të lojtarit të saj më të mirë Kristiano Ronaldo, pasi momentalisht ekipi ka 3 ndeshje radhazi pa fituar, dhe po kaq ndeshje pa shënuar. Edhe pse momentalisht madrilenët kryesojnë La Ligën së bashku me Barcelonën, ata nuk kanë bindur në sfidat e luajtura së fundmi. Reali i Madridit pësoi humbjen e parë në ligën e kampionëve për këtë sezon duke u mundur nga CSKA e Moskës me rezultatin 1-0, dhe duke e çuar minutazhin pa shënuar gol në 320 minuta. Para sfidës së Ligës së Kampionëve, Reali barazoi pa gola në “derbin” me Atletikon dhe u mund 3-0 nga Sevilja. Këtyre rezultateve negative i shtohet edhe humbja në finalen e superkupës së Evropës përballë Atletikos, në ndeshjen hapëse të sezonit të ri. Nga ana tjetër rivalët historikë të Realit, katalanasit e Barcelonës po kalojnë ndoshta periudhën më të keqe të 5 viteve të fundit. Ashtu si Reali edhe Barça ka tre ndeshje pa arritur të gjejë fitoren. Katalanasit e nisën mjaft mirë këtë sezon duke arritur të ngrenë trofeun e superkupës së Spanjës, duke mundur Seviljan, dhe duke arritur disa fitore në kampionat, të cilat i dhanë kreun e renditjes. Megjithatë në ndeshjet e fundit gjithçka ka shkuar keq për kampionët në fuqi të Spanjës, pasi kanë tre ndeshje radhazi pa fituar në La Liga, duke barazuar me Gironën e Bilbaon, dhe duke u mundur nga Leganesi. Rezultateve të dobëta i shtohen dhe problemet brenda skuadrës, ku marrëdhënia mes lojtarëve është mjaft e tensionuar. Lideri i skuadrës, Lionel Mesi ka akuzuar mbrojtjen katalanase se pësojnë shumë gola, ndërsa nga ana e tij, mbrojtësi Pike ka thënë se Mesi asnjëherë nuk merr përgjegjësi kur skuadra humbet. Për sa i përket gjermanëve të Bajernit, bavarezët nuk po arrijnë të japin më të mirën e tyre nën urdhrat e trajnerit të ri, Niko Kovaç. Bajerni i Mynihut ka humbur kryesimin e Bundesligës duke u kaluar nga rivalët e Dortmundit dhe duke zbritur në vendin e dytë në renditje. Bavarezët nuk arritën të fitojnë as në Ligën e Kampionëve pasi u ndalën në një barazim në shtëpi 1-1 me Ajaksin, ndërsa në kampionat kanë dy ndeshje radhazi pa fituar duke barazuar me Augsburgun dhe duke u mundur nga Hertha e Berlinit me rezultatin 2-0.

Renditja e UEFA për klube

Real Madrid 133.000 Pikë

Bajern Mynih 115.000 Pikë

Barcelona 114.000 Pikë

Atletiko Madrid 113.000 Pikë

Juventus 111.000 Pikë

Sevilja 93.000 Pikë

PSG 88.000 Pikë

Mançester Siti 87.000 Pikë

Arsenal 77.000 Pikë

10. Shaktar 76.000 Pikë