Dënimi ekstrem i Bylisit, hakmarrje e pastër e FSHF-së

603
Sigal

Federata e Futbollit kurrë nuk ka marrë penalizime të tilla, në raste me të rënda në Kukës e Laç

Kategoria Superiore ka hyrë në pikën më të nxehtë të saj, ky dy blloqet e skuadrave luftojnë për zonën europiane dhe atë të mbijetesës. Vetëm Skënderbeu, i sigurt drejt titullit dhe Bylisi nuk janë kapur nga ethet e lojës më të bukur në botë dhe të adhuruar nga të gjithë. Korçarët kryesojnë bindshëm, ndërsa ballshiotët nuk janë më pjesë e Superligës. Dy javë më parë, Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit përjashtoi nga kampionati i Kategorisë Superiore dhe zbritjen e një kategorie më poshtë skuadrën e Bylisit dhe humbjen e ndeshjes 3-0 në tavolinë me Laçin, me argumentin “për dështim në organizimin e ndeshjes dhe përmbushjen e përgjegjësive bazuar në nenet 29, 64 dhe 65.2 të Kodit të Drejtësisë Sportive”. Një dënim ekstrem, i ardhur kryesisht për dhunën e ushtruar në fund të ndeshjes Bylis-Laçi nga ana e ish-Presidentit të klubit, Besnik Kapllanaj ndaj shefit të Sektorit të Garave të FSHF-së, Besnik Çela. Ngjarja e shëmtuar ndodhi pasditen e 15 marsit, kur Kapllanaj goditi me Çelën, me këtë të fundit që mori ndihmën mjekësore në spitalin e Fierit, duke mos pasur asnjë qoftë dhe problemin më të vogël në lidhje me shëndetin e tij. Por, tej sfondit të ngjarjes, për të cilën ish-presidenti Kapllanaj u ndëshkua përjetësisht nga çdo aktivitet sportiv, përjashtimi i Bylisit, finalist i sezonit të kaluar të Kupës së Shqipërisë dhe para disa vitesh edhe pjesëmarrës edhe në aktivitetet ndërkombëtare, ishte tepër i rëndë dhe absolutisht i pajustifikuar për të merituar dënimin me përjashtim nga aktiviteti elitar i futbollit shqiptar. Nëse shqyrtojmë dënimet e dhëna gjatë këtij sezoni nga ana e Komisionit të Disiplinës, do të verifikonim lehtësisht se të 12 skuadrat e Superligës janë dënuar të paktën nga një herë me gjobë, ku kulmin e mban Tirana me pesë të tilla, ku 200 mijë lekë janë për shkatërrimin e stolave nga ana e tifozëve bardheblu të stadiumit të Korçës. Nëse, Tirana është dënuar me 600 mijë lekë, Kukësi me 250 mijë, Bylisi është dënuar vetëm me 100 mijë lekë. Duke para dënimet e Disiplinës ndaj klubeve për zhvillimin e ndeshjeve në fushat e tyre pa praninë e shikuesve apo dhe jashtë stadiumet të tyre, do të kishim këtë panoramë: Kukësi, 8 ndeshje jashtë fushës së tij dhe Flamurtari, 4 ndeshje jashtë fushës së tij, ndërkohë që Bylisi është dënuar me dy ndeshje pa shikues, ashtu sikundër Vllaznia dhe Besa. Por, kur në Laç pas ndeshjes me u dhunua gjyqtari Lorenc Jemini (më 4 dhjetor 2011), mes një breshërie grushtesh, shqelmash, çadrash koke, kjo nuk u konsiderua aspak si një ngjarje aq e rëndë sa për t’i rrëzuar kurbinasit një kategori më poshtë. Këtë sezon, të gjithë i mbajmë mend pamjet në stadiumin “Zeqir Imeri”, gjatë ndeshjes Kukësi-Skënderbeu, ku pas pas incidenteve të disa zyrtarëve bashkiakë me gjyqtarin Enea Jorgji dhe dhunimit të trajnerit të Skënderbeut, Mirel Josa, Kukësit iu zbritën tri pikë nga klasifikimi i përgjithshëm, të cilat më iu rikthyen më pas nga Komisioni i Apelit. Madje ky është rasti i dytë brenda këtij sezoni, kur Flamurtarit u dënua heqjen e tri pikëve nga klasifikimi i përgjithshëm, pas incidenteve të tifozëve me presidentin e Skënderbeut, Adrian Takaj, por Kukësit iu rikthyen pikët, ndërkohë që edhe pse Flamurtari u ankua zyrtarisht, kërkesa e vlonjatë nuk u morr në konsideratë. Por, nëse Kukësi u dënua dhe më pas iu anulua vendimi për një ndeshje, për shkak se e konvertoi në gjobë dënimin, Bylisi u përjashtua nga kampionati, edhe pse futbolli është i vetmi argëtim në atë qytet tepër pasionant pas tij. Vendim i ekzagjeruar dënoi edhe grupin e lojtarëve ballshiotë, pasi u morr në një kohë, kur asnjë prej tyre nuk pati mundësinë për t’u sistemuar në një skuadër tjetër. Federata i pati të gjitha mundësitë alternative, për ta dënuar Bylisin me zhvillimin e të gjithave ndeshjeve si organizator jo më në stadiumin e vet, por në një fushë asnjanëse, ashtu sikundër veproi edhe me Mamurrasin e Kategorisë së Parë, që për shkak të dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Zhuli në ndeshjen Mamurrasi-Albpetroli. Presidenti i Mamurrasit, Dedë Ndreca u pezullua 18 muaj 18 muaj nga aktivitetet (më 5 shtator 2013), për dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes, kjo e shoqëruar edhe me një gjobë prej 250 mijë lekësh, por skuadra e tij nuk u përjashtua nga Kampionati i Kategorisë së Parë, por vetëm zbritjen e 6 pikëve dhe zhvillimin të gjitha ndeshjeve të mbetura jashtë shtëpisë. Pra, janë të paktën katër precedentë në këtë kampionat, që nuk kanë rezultuar me përjashtim nga kampionati, pavarësisht se janë dhunuar gjyqtarët apo zyrtarët në Vlorë, Kukës, Laç dhe Mamurras. Kështu, që në Ballsh, përjashtimin e Bylisit nga kampionati me të drejtë e konsiderojnë një hakmarrje të pastër të Federatës Shqiptare të Futbollit. Tepër të rëndë!

  PRECEDENTËT PA DËNIME

 4 dhjetor 2011 – Arbitri ndërkombëtar Lorenc Jemini është rrahur barbarisht nga drejtues dhe tifozë të klubit të Laçit, në përfundim të ndeshjes Laçi-Kastrioti. Pas golit të barazimit të shënuar në kohën shtesë nga krutanët, në fushë ka hyrë gjithë bankina e Laçit, përfshi edhe drejtuesit, të cilët kanë goditur gjyqtarin e FIFA-s. Ndeshja mes Laçit dhe Kastriotit ka përfunduar në barazim 1-1, ndërsa goli i barazimit është shënuar në kohën shtesë. Pas golit, arbitri e ndërpreu lojën dhe mesa duket ka qenë ky shkaku i dhunës ndaj tij. Gjyqtarët bojkotuan një javë kampionatin, ndërkohë që u ndaluan nga policia  Ardian Laska, zëvendëstrajner i ekipit të Laçit dhe Dod Laska, vëllai i presidentit të Laçit, Pashk Laska. Laçi u dënua me zbritjen e 6 pikëve nga klasifikimi, ndërsa ndeshjet shtëpiake i zhvilloi në fushë asnjanëse pa praninë e shikuesve. Pra, nuk u përjashtua nga kampionati.

 15 shtator 2013 – Kukësi u dënua me katër ndeshje jashtë fushe, për shkak të hedhjeve të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerje përfundimtare të ndeshjes Kukësi-Vllaznia (java e 2-të). Gjyqtari kryesor u detyrua ta mbyllë lojën pa u konsumuar 90 minuta të plota. Tifozët vendës të irrituar me lojën e skuadrës kanë nisur të ofendojnë lojtarët dhe hedhin sende në fushë. Pra, Kukësi u dënua vetëm me katër ndeshje jashtë fushe dhe nuk u përjashtua.

 15 shtator 2013 – Flamurtari, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar, goditjen e Presidentit të Skënderbeut, Adrian Takaj, dhe përgjegjësi për sjelljen e spektatorëve në takimin Flamurtari-Skënderbeu (java e 2-të) u dënua me 4 ndeshje jashtë fushe, e shoqëruar kjo edhe me heqjen e tri pikëve nga klasifikimi, por në fuqi mbeti rezultati i ndeshjes 2-1 për vlonjatët. Pra, Flamurtari u dënua vetëm me katër ndeshje jashtë fushe dhe nuk u përjashtua.

 7 dhjetor 2013 – Në fund të sfidës së javës së 14-të të Kategorisë Superiores, Kukësi-Skënderbeu në “Zeqir Ymeri”, nga punonjës së Bashkisë së Kukësit pati tentativa të qarta për të dhunuar arbitrin kryesor, Enea Jorgji, i cili e mbylli sfidën disa sekonda para se duhej, apo goditja e ndonjë lojtari korçar në mjediset e brendshme të stadiumit. Komisioni i Disiplinës vendosi që Kukësi t’i luajë katër ndeshjet e ardhshme si pritës jashtë stadiumit të vet, ndërkohë që trajneri Shensoi u pezullua 12 javë. Pra, Kukësi, edhe pse e kishte rast të përsëritur brenda një sezoni, nuk u përjashtua, por u mjaftua të luante katër ndeshje jashtë fushës së tij.

EKIPET E GJOBITURA

 Tirana  600 000 lekë

Kukësi 250 mijë lekë

Partizani     200 mijë lekë

Vllaznia 175 000 lekë

Skënderbeu 150 000 lekë

Teuta            150 000 lekë

Laçi              100 000 lekë

Bylis     100 mijë lekë

Flamurtari 100 000 lekë

Kastrioti       50 mijë lekë

Besa             50 mijë lekë

Lushnja 30 mijë lekë

 DËNIMET E FUSHAVE

Pa spektatorë

Besa             2 ndeshje

Vllaznia 2 ndeshje

Bylis            2 ndeshje

Skënderbeu  1 ndeshje

Laçi              1 ndeshje

Partizani       1 ndeshje

Lushnja 1 ndeshje

Jashtë fushe

Kukësi 8 ndeshje

Flamurtari    4 ndeshje

Mamurrasi  1 sezon

Erzeni   4 ndeshje

 Çfarë ndodhi në Ballsh

 Bylisi-Laçi u kthye në një kaos të vërtetë të shtunën e kaluar, edhe pse u luajt pa praninë e spektatorëve për shkak të dënimit të fushës së klubit ballshiot. Kulmi i tensionit arriti në minutën e 89-të, kur gjyqtari Olsi Sokoli akordoi një penallti në favor të Laçit. Në këtë moment takimi u ndërpre 7 minuta. Lojtarët e Bylisit, stafi teknik dhe tifozët që qëndronin jashtë stadiumit, u irrituan pa masë me këtë vendim të arbitrit. Gjatë kësaj ndërprerjeje, tifozët në shenjë proteste dhe inati kanë hedhur në fushë gurë, banane, vezë dhe çakmakë. Zona në portën e mbrojtur nga Frashëri, ku dhe do të goditej 11-metërshi, ishte e mbuluar nga sende të ndryshme. Më pas, në tunelin e dhomave të zhveshjes, presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, goditi Besnik Çelën, teksa më pas zëvendëssekretari i FSHF-së mori ndihmën mjekësore në spitalin e Fierit. Tri ditë më pas, Besnik Kapllanaj dha dorëheqjen si presidenti i Bylisit.