Dënimet “gjeopolitike” të FSHF-së

547
Sigal

Ndëshkime me “zemër në dorë” pas incidentit “Dede-Roshi”. Besa do të luajë një ndeshje pa tifozë

 Trajneri Dede pezullohet dy javë; Daiu “paguan” dyfishin

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare tregoi se është një institucion që di ta luajë “politikën”, duke marrë një vendim me ngjyra “gjeopolitike”, pas incidentit “Roshi-Dede” që, për fat të keq mori përmasa dhe nuanca politike me rrjedhën që pati, nisur edhe nga arrestimi i paligjshëm i kryebashkiakut të Kavajës dhe dhuna e ushtruar ndaj tifozëve verdhezinj nga forcat “RENEA”. Kështu, Besa do të luajë një ndeshje pa tifozë në shtëpi (atë me Luftëtarin) dhe do të paguajë një gjobë prej 200 mijë lekësh, për shkak të mosmarrjes së masave të domosdoshme në përmbushjen e përgjegjësive. Kavajasit ruajtën fitoren 2-1 ndaj Tiranës, çka ishe dhe rezultati zyrtar i 90 minutave lojë. Trajneri i Besës, Përparim Daiu, i cili u përfshi në një debat me lojtarin e Tiranës, Gentian Muça, dhe u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari i takimit, u pezullua katër javë nga drejtimi zyrtar i skuadrës. Kjo është hera e dytë që, një trajner i Besës, pezullohet nga Disiplina, më parë këtë dënim e kishte marrë Ilir Daja, i pezulluar dy javë e shoqëruar edhe me një gjobë prej 100 mijë lekësh (më 6 nëntor 2012). Edhe për klubin e Besës ky është dënimi i dytë për këtë edicion, më parë skuadra kavajase ishte ndëshkuar më 6 nëntor 2012, me gjashtë ndeshje në fushë asnjanjëse, por falë pagesës së bërë nga Bashkia e Kavajë dënimi u reduktua në vetëm katër jave. Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, përveç shuplakës që mori në pushimin mes dy pjesëve të lojës nga kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi (kjo e konfirmuar publikisht nga vëzhguesi i federatës, Dhori Prifti), por dhe nga vetë trajneri tiranas në kallëzimin e tij në Prokurorinë e Kavajës, u pezullua dy javë. Shkak për këtë, sipas Disiplinës, është provokimi që ka bërë trajneri i Tiranës, duke “nderuar me grusht” karshi tifozërisë kavajase. Sulmuesi i Besës, Sokol Cikalleshi, autori i golit të parë të kavajasve (me penallti) u pezullua një javë nga Disiplina dhe do të mungojë ndaj bluzinjve gjirokastritë. Në fakt, Tirana nuk bëri një kërkesë zyrtare në FSHF për të kërkuar fitoren në tavolinë ndaj Besës. “Synimi ynë nuk është domosdoshmërish ndëshkimi i skuadrës së Besës. Ne nuk kemi asgjë kundër ekipit, por besojmë dhe këtë e shpreha edhe në stadium në dhomat e zhveshjes me delegatin e FSHF-së se Tirana ka luajtur një ndeshje nën presion, pra jo në kushte normale”, – pohoi për mediat dy ditë më parë, administratori bardheblu Salih Tagani. Ndërsa vetë trajneri Nevil Dede, në një letër të hapur pranoi se “incidenti i tij me kryebashkiakun Roshi u përdor nga politika”. Dede nuk kërkoi në asnjë rast fitoren në tavolinë të skaudrës së tij.

  60 lojtarë të ndëshkuar

 Nga fillimi i sezonit dhe deri tani janë ndëshkuar me pezullime 60 lojtarë, 25 prej të cilëve i përkasin skuadrave të Kategorisë Superiore.

 Hera e dytë e Besës

 Kjo është hera e dytë që, një trajner i Besës, pezullohet nga Disiplina, më parë këtë dënim e kishte marrë Ilir Daja, i pezulluar dy javë, më 6 nëntor 2012. Tani, Përparim Daiu u dënua me katër javë pezullim.

  VENDIMET E DISIPLINËS

 1. Trajneri i KF “Besa“, Përparim Daiu, për sjellje josportive ndaj lojtarit kundërshtar dënohet me 4 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

 2. Trajneri i KF “Tirana“, Nevil Dede, për provokim të publikut dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

 3. KF “Besa“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dënohet me zhvillimin e 1 ndeshjeje pa spektatorë dhe me 200.000 lekë gjobë.

 4. Lojtari i KF “Besa“, Sokol Cikalleshi, për sjellje josportive dënohet me 1 ndeshje pezullim.

Kosovari 15-vjeçar luan me Hamuburgun dhe është pjesë e Kombëtares U-17

 E bujshme, Bajerni kërkon Dan Frekën!

 Gjigandi i futbollit Bajern Munih ka nisur negociatat për ta marrë telentin shqiptar që luan te Hamburgu, 15-vjeçarin me origjinë nga Vushtrria, Dren Feka. Dje mediat gjermane kanë publikuar lajmin se paraqitjet e shkëlqyera të Fekës në fanellën e Hamburgut, kanë zgjuar kureshtjen e skauteve të skuadrës bavareze. Feka është lojtar i Hamburgut U17, gjithashtu edhe anëtar i rregullt i Kombëtares Shqiptare U17. Sipas këtyre burimeve, Feka se bashku me menaxherin dhe prindin e tij, kanë qenë të ftuar për një vizitë në ambientet e klubit gjerman.

Këto burime i ka konfirmuar për të përditshmen Express edhe babai i Drenit i cili ka thënë se Bayern Munich e ka vëzhguar për katër muaj me radhë Drenin dhe tani ka shprehur interesim që ta transferojë në ekipin U17. Drejtuesit e ekipit bavarez për ta bindur Fekën që të transferohet në ‘Allianz Arena’, javën e kaluar i kanë bërë ftesë që së bashku me babanë dhe menaxherin e tij, ta vizitojnë klubin nga afër. “Te enjten e kaluar, drejtori sportiv i ekipit të të rinjve, Michael Tarnat na ka ftuar në klub. Gjatë kësaj vizite kemi pasur një drek pune me drejtuesit e ekipit, të cilët kanë dashur ta njoftojnë Drenin me ambientin dhe me kushtet që ka ky ekip”, ka theksuar Feka. “Bayern, i ka ofruar kontratë trevjeçare Drenit, por rreth kësaj ende nuk është biseduar asgjë gjatë takimit, pasi ende nuk kemi vendosur a do të largohet Dreni nga Hamburug apo jo”, thotë ai. Dreni me Hamburgun ka kontratë deri me 30 qershor të këtij viti dhe nëse nuk e vazhdon atë mund të transferohet në Bayern si lojtar i lirë. Por sipas Fekës, Hamburgu po bën përpjekje që mos ta humbë talentin 15 vjeçar. “Skuadra e Hamburgut i ka ofruar Drenit kontratë dyvjeçare, por ende nuk e kemi nënshkruar. Ne do t’i shikojmë dy opsionet dhe pastaj do të zgjedhim më të mirën”, ka përfunduar Feka.

Gramshi, “emigranti” i futbollit

Ndërsa Komisioni i Disiplinës nuk dha asnjë masë për kryebashkiakun e Gramshit, Dritan Bici, pas dhunimit të fushës që ky i fundit bëri më makinën e tij pas përfundimit të ndeshjes Gramshi-Mamurrasi, skuadra gramshake do të luajë gjatë ndeshjet e mbetura të këtij sezoni në fushë asnjanëse. Kryebashkiaku Bici ishte ndëshkuar më parë me një vit pezullim, pas incidenteve gtë tij tetorin e kaluar në ndeshjen Partizani-Gramshi (në kryeqytet). “KF ‘Gramshi për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dënohet me zhvillimin e ndeshjeve të mbetura të këtij sezoni në fushë asnjanëse”, – thuhej në vendimin e Komisionit. Lojtari i Tërbunit, Klodian Sulollari u pezullua katër ndeshje, ndërkohë që ai Lushnjës, Erdis Metushi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit u pezullua me një ndeshje. Besfor Laçi i Korabit me katër, ndërsa Denis Musai i Skraparit,  për goditje me grusht të lojtarit kundërshtar dënohet me 6 ndeshje pezullim nga aktiviteti.