Deni Baholli, “peshkaqeni” që s’u “ngop” me fitoret

165
Nga Agron KAJA
KUPA “PAVARËSIA”/ Akademia e Notit “Te Stela”, “padrone” e dyfishtë e veprimtarisë, në pishinën e mbyllur të Resortit garuan rreth 150 notarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia 
Kupa “Pavarësia” që u zhvillua në pishinën e mbyllur të Akademisë së Notit “Te Stela”, edhe pse nuk njohu rekorde të rinj kombëtarë, në ritmikën e zhvillimit të garave, tregoi se notarët e trajnerët e tyre kanë vazhdueshmëri e progres. Duke e vlerësuar këtë veprimtari të organizuar nga AN “Te Stela”, si një start për vitin pasardhës, nga rreth 150 notarë (14 nga Kosova, 1 nga Maqedonia dhe 135 nga Shqipëria), aty nuk munguan edhe të veçantat. Notari me aftësi të kufizuar, Gresi Troka dhe Stemat e reja të gjyqtarëve Ndërkombëtarë, i dhanë kësaj Kupe ndryshimin e munguar në gara të tilla.
Zhvilluat katër gara, në të gjitha fitues, ishit përgatitur për këtë sukses?
Patjetër që po, këto janë gara që unë i preferoj. Jo vetëm se janë në distancën 25 m, por se vlerësimi im për çdo garë më ka sjellë këto suksese me fitore. Edhe te Kupa “Pavarësia”, e mbajta fjalën ndaj vetes, për të fituar në të gjitha garat që do të bëja.

Fjalën ndaj vetes e mbajtët, po ndaj rekordeve mendoni se jeni i “mangët”?
Patjetër që ndjehem i mangët te rekordet, por kjo është një periudhë që nuk të jep shumë mundësi për thyerje rekordesh, apo edhe për rekorde të reja. Nga shtrirja gjithëvjetore e veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare ku kam marrë pjesë, besoj se kështu jam në formën time më të mirë në këtë periudhë.

E kishte një sekret kjo fitore në katër gara prej jush?
Kam vite që unë përgatitem nga një trajner i madh në notin shqiptar, Sadik Mema, dhe me stërvitjen që ai organizon, na ka mbajtur të mirë gjendjen fizike, njëherësh na ka dhënë edhe moralin për të qenë fitues në gara.

Po të quaj “peshkaqen që nuk ngopesh me fitore”, nëse do të garoje në gara të tjera te kjo Kupë, mendon se do ti fitoje?
Kam dëgjuar se “peshkaqen” është quajtur një notar shumë vite më parë (Ilir Gjebrea), dhe duke qenë se është një krahasim që ka të bëjë me notimin, por jo si “grabitqar”, unë ndjehem mirë, si do të më quani. Mjafton që të kem fitore dhe rekorde.

Jemi në muajin e 11-të të vitit, paralelisht me garat, po procesin mësimor si e ndjek?
Rregullisht, madje po them se më shumë kohë i kushtohem mësimeve. Është e pamundur të ndodhë ndryshe me mua, por stërvitshmëria dhe garat e notit më ndihmojnë shumë për të qenë kështu edhe me mësimet.

Mendoni se të gjitha rezultatet që keni arritur gjatë këtij viti do të jenë trampolinë për vitin e ardhshëm?
Në fakt kështu duhet të jetë, edhe pse ne gjatë muajit dhjetor 2017 kemi një veprimtari të fundit për ta zhvilluar, dhe nuk i dihet se mund të “kapim” ndonjë rekord të ri. Ajo quhet Kupa “Perspektiva”, e cila më shkon shumë për ta fituar.

Kësisoj, kërkon të bësh “bis” me fitoret, pas Kupës “Pavarësia”?
Pse jo, unë nuk bëj dallime në fitoret që arrij. Si Kupa “Pavarësia”, ashtu edhe ajo “Perspektiva” që zhvillohet në fundin e muajit dhjetor, të njëjtin vlerësim kanë prej meje. Nisur nga ky vlerësim, unë kërkoj maksimumin për arritjen e rezultateve, sikundër deri më tani.

Aktualisht, si i mendoni kushtet stërvitore, dhe ato garuese këtu në AN “Te Stela”?
Për deri sa zhvillohen shumë veprimtari, në çdo stinë të vitit, i mendoj si më të mirat në Shqipëri. Një pishinë me përmasa 50 m, besoj se do të na jepte më shumë frymëmarrje e rezultate më të mira. Gjithsesi, edhe kështu, kushtet tona janë komode, në raport me gjendjen.

Duke qenë në muajin e parafundit të vitit 2017, çfarë synime mendoni për vitin 2018?
Ndoshta është shpejt, por një synim e kam: Do synoj që gjatë viti 2018 të thyej rekordet në tre garat e mia të preferuar 50 m, 100 m dhe 200 m stil bretkosë. Por nuk do anashkaloj edhe pjesëmarrjen në gara e stile të tjera notimi.
Kam dëgjuar se “peshkaqen” është quajtur një notar shumë vite më parë (Ilir Gjebrea), dhe duke qenë se është një krahasim që ka të bëjë me notimin, por jo si “grabitqar”, unë ndjehem mirë, si do të më quani. Mjafton që të kem fitore dhe rekorde
4 gara
Notari i AN “Te Stela” Deni Baholli, i fitoi të katër garat ku ai morri pjesë, fatkeqësisht pa asnjë rekord të ri kombëtar