Deni Baholli: Në garë dua të jem fitues, më pas të “rrëmbej” rekordet

598
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” notari i Akademisë “te Stela, mbetet “Bretkosa” që askush nuk e kap në ujë gjatë garimit
Notarin e Akademisë “Te Stela”, Deni Bahollin, në ditën e dytë të garave të Kampionatit Kombëtar që u zhvillua në datat 22 e 23 prill 2017, mund ta dalloje lirshëm, por nëse do ta humbisje nga sytë në njërin ambient, do të duhej ta kërkoje diku tjetër. Dhe në hollin e përgatitjeve pa hyrë në pishinë, Deni tregoi jo vetëm për rekordet e tij në këtë event, por edhe hobin e tij jashtë notit. “Jam në një periudhë të karrierës sime ku duhet të jap më shumë se sa kam dhënë aktualisht. Jam i orientuar pas rezultateve të larta e rekordeve Kombëtare, dhe do të vazhdoj përgatitjet e mia që në garat e ardhshme të kem rezultate më të mira. Unë hobi kam çiklizmin, dhe në fundjavë dal me biçikletë ku bëj rreth 80 km në ditë. Më ndihmon shumë edhe për notin, por që gjithsesi, për momentin janë të dy së bashku, noti dhe çiklizmi”, kështu theksoi midis të tjerave notari Deni Baholli, gjatë bisedës me gazetën “Telegraf”.
Deni Bahollin e kërkuam me “qendër zëri” në ambientet e pishinës, ju ka “humbur” ndonjë rekord dhe po e “kërkoni”?
Në fakt, mua nuk më durohet të qëndroj i ulur në një vend kur nuk kam garë, prandaj edhe ju ndoshta e patët paksa të “vështirë” të më gjenit në këtë ambient. Gjatë gjithë garave të zhvillimit të këtij Kampionati, unë këtu në pishinë kam qenë. Thuajse i kam ndjekur të gjitha garat, por nga pozicione të ndryshme. Gjatë garës sime kam qenë në ujë, të tjerat rreth e qark pishinës.

Jeni notar i Akademisë së Notit “Te Stela”, ju duket se këtu jeni në shtëpinë tuaj?
Natyrisht që po, dhe ky është një detaj që mua nuk më gjeni në një vend të caktuar. Këtu ka ambiente komode, edhe pse në përmasa jo shumë të mëdha, por për ne janë shumë funksionalë dhe ndjehesh mirë, si para, gjatë e pas garës.

Çfarë ndjesie merr për ju në këtë moment që po ju kërkojmë këtë intervistë?
Natyrisht që ju po tregoni respekt për çka unë kam dhënë në këtë Kampionat, por edhe për Notin shqiptar. Sepse ne si sport, pak na afrohen imediat, ato vijnë vetëm kur kemi ndonjë veprimtari të madhe ndërkombëtare. Gjithsesi, do të thosha se sporti i notit në në vitet e fundit po tregon kulturë, nivel e cilësi në hapësirën sportive në vendin tonë. Edhe për në si notarë, ky është respekt.

Po në këto gara të Kampionatit Kombëtar, i arriti synimet notari Deni Baholli?
Unë asnjëherë nuk jam i kënaqur me veten, nga eventi në event. Në këtë Kampionat, nuk prisja që të arrija kohën rekord në 50 m stil bretkosë, sepse në garën e parë nuk jap maksimumin. Në xhiron e parë e bëra 1 sekondë më tepër, por në kthim, e ndjeva që duhet të jepja më shumë, dhe ja arrita.

Në dy ditë gara, dy rekorde personale nga ju, ju “fyej” po tu them se në ujë jeni “bretkosa e pakapshme”?
(Qesh) Do tu tregoj diçka intime për të dy rekordet, por fillimisht për ditën e parë në 50 metra. Në mesditë bisedova me veten dhe u binda se se duhet të vendosja rekord të ri, dhe ashtu ndodhi. Po kështu edhe në rekordin tjetër, çka dua të them se unë jam i sigurt në arritjet, sepse i kam bërë përgatitjet për këto nivele.

Si ka qenë përgatitja juaj për këto rezultate që arrite në garat e këtij Kampionati Kombëtar?
Përgatitjet e mia kanë qenë ritmike e të forta, së bashku me trajnerin Sadik Mema. Më duhet ta falënderoj trajnerin tim, sepse veç kujdesit profesional, ai sillet edhe si një prind i mirë. Sukseset e mia janë edhe pjesë e tij.

Çfarë shprehin në vlerat e notarit Deni Baholli, të gjitha këto rekorde që thyeni në eventet ku merrni pjesë?
Mendoj se shprehin gjithçka që kam arritur, por edhe çka mund të arrij në vazhdimësinë e karrierës sime. Besoj se shprehin pasionin tim për notin, shprehin stërvitshmërinë sistematike, njëherësh edhe programin stërvitor shumë profesionist që trajneri ynë zbaton me në në pishinë e jashtë saj.

Për kaq vite që ushtroheni në sportin e notit, dalloni ndonjë nga viti në vit?
Për moshën që kam, unë them se pak i kam prekur kushtet e kohës së shkuar, të largët e të afërt. Por tani e dalloj faktin, se organizimi i eventeve kombëtare është më profesional në vitet e fundit. Kjo ka sjellë edhe një përfaqësim më dinjitoz të notit shqiptar në veprimtaritë ndërkombëtare.

Për veprimtaritë e tjera ku do të garoni gjatë këtij viti, keni synime që të thyeni rekorde të tjera?
Mendoj se jam në një periudhë të karrierës sime ku duhet të jap më shumë se sa kam dhënë aktualisht. Jam i orientuar pas rezultateve të larta e rekordeve Kombëtare, dhe do të vazhdoj përgatitjet e mia, e besoj se në garat e ardhshme do të kem rezultate më të mira.

Gara kombëtare e radhës është zhvillohet në pishinën 50 m, edhe këtu premton thyerje rekordi?
Patjetër që po, sepse për një notar nuk ka dallim distanca e përmasave të pishinës. Janë përgatitjet ato që e bëjnë diferencën, dhe që tani, së bashku me trajnerin tim do të kemi planin stërvitor edhe për garat në pishinat e hapura 50 metërshe.

Po jashtë notit, me se merret Deni Baholli?
Unë hobi kam çiklizmin, dhe në fundjavë dal me biçikletë ku bëj rreth 80 km në ditë. Më ndihmon shumë edhe për notin, por që gjithsesi, për momentin janë të dy së bashku, noti dhe çiklizmi.
Përgatitjet e mia kanë qenë ritmike e të forta, së bashku me trajnerin Sadik Mema. Më duhet ta falënderoj trajnerin tim, sepse veç kujdesit profesional, ai sillet edhe si një prind i mirë. Sukseset e mia janë edhe pjesë e tij
3 rekorde
Deni Baholli ishte njeri nga tre notarët, që në Kampionatin Kombëtar që theu 3 rekorde Kombëtare, 2 individualë dhe 1 në stafetë
Arsinda Dervishi, piktorja që thyen rekorde në not 
Kur e sheh në përmasat trupore notaren e Studentit, Arsinda Dervishin, nuk të krijohet përshtypja se ajo është rekordmene në garën e 1500 metrave. Notarja shtatshkurtër, ndoshta befason me garimin e saj në këtë distancë, të cilën ajo e quan sa të vështirë për ta menaxhuar, aq edhe të bukur kur e përjeton. “Isha e përgatitur për rekordin. Gara e 1500 metrave besoj se është e vështirë, pasi që të arrish rekordin, duhet që të harmonizosh mirë 15 distancat në 100 metra. Por, së bashku me trajnerin Eduart Cane, ishim të përgatitur për kohën rekord”, theksoi fillimisht notarja Dervishi, e cila, edhe pse merret me vizatim në pjesën tjetër të kohës, ajo premton të jetë rekordmene e dyfishtë. “Unë kam hobi vizatimin, por them se në vazhdimësi do të jem rekordmene e dyfishtë: Not-Vizatim. Për momentin, në këtë Kampionat Kombëtar mbetem e kënaqur, por e di që do të më duhet një përgatitje për nivele edhe më të larta. Në veprimtarinë kombëtare të radhës në pishinën 50 metra, shpresoj shumë të kem jo një, por edhe dy rekorde kombëtare”.
Alesia Neziri: Synoja më shumë në këtë Kampionat
Në ditën e parë të garave të Kampionatit Kombëtar të Notit, notarja e Tiranës. Alesia Neziri, në garat 50 m (vendi dytë), ndërsa në 100 m shpinë doli kampione për të reja dhe të rritura. Po këtë ditë, në garat e pasdites, kjo notare dominon garën e 100 m stil i lirë për të dyja kategoritë e më pas në 100 metër shpinë, ishte e padiskutueshme në vendin e parë. Por, vetë Alesia deklaroi për gazetën “Telegraf” se, sa herë që futet në pishinë për garë, synon përmirësimin e çdo kohe më të mirë që e ka arritur më parë. “Sa herë që unë futem në pishinë për garë, synimi i vetëm është që të përmirësoj kohën time më të mirë. Këtë e arrita në të katër garat ku morra pjesë, por, gjendja gripale gjatë garave nuk më dha mundësinë për më shumë”, kështu theksoi fillimisht notarja e talentuar e Tiranës, e cila në garat e ardhshme do të synojë më shumë se sa një rekord. “Natyrisht që një rekord kombëtar të motivon shumë për vazhdimësinë, dhe unë edhe pse nuk e arrita në këtë Kampionat Kombëtar, nuk ndjehem pesimiste. Në garat e ardhshme, kombëtare e ndërkombëtare, e motivoj veten se do të thyej rekord kombëtar”.
Trajneri Sadik Mema: Te Stela, kishte mundësi për më shumë rekorde
Një nga trajnerët më të vjetër të notit shqiptar, Sadik Mema, u tregua i pakënaqur me rezultatet që arritën notarët e përgatitur prej tij. Duke pasur rreth 40 notarë në garë, për të dyja kategoritë, për gazetën “Telegraf”, Pupi (Sadiku), deklaroi se priste më shumë në këtë Kampionat, jo vetëm nga rekordmenët Deni Baholli e Gresi Koxhaku, apo edhe nga kampionët që dolën në disa gara. “Përgatitjet tona ishin për më shumë në këtë Kampionat. Te Stela u përfaqësua me rreth 40 notarë në të dyja kategoritë, dhe pritshmëritë tona ishin për rezultate më të mira. Jo vetëm tek rekordmenët, për të cilët kam fjalët më të mira, por edhe tek notarë të tjerë. Gjithsesi, edhe me kaq ndjehem i kënaqur, por jo i shpërblyer plotësisht për punën që kemi bërë”, kështu theksoi trajneri i ekipit Te Stela, i cili, edhe pse në një moshë jo shumë të re, ndjehet i fortë që në vazhdimësi të rritë më shumë ritmin e përgatitjeve, për rezultate e rekorde më të larta me notarët që përgatit. “Nga eventi në event, unë si trajner bëj bilancet e mia. Në këtë Kampionat Kombëtar nuk i arritëm plotësisht synimet tona, ndaj përgatitjet në vazhdimësi do të jenë për më shumë. Ekipi Te Stela, me kushte dhe përbërjen që ka, i ka mundësitë për më shumë rekorde”.
Atletja Luiza Gega, në “fushatë” rekordesh kombëtarë
Në garat e ditës së djeshme të Kupës së Shqipërisë në Atletikën shqiptare, atletja Luiza Gega nuk ka “harruar” edhe të thyejë rekord Kombëtar. Në garën e 10 mijë metrave, atletja e talentuar shkëlqen përsëri, pasi thyen rekordin 28-vjeçar të atletikës sonë, i cili mbahej nga Anila Kasati, me kohën 34 minuta e 46,01 sekonda, i vendosur në vitin 1989 në një miting ndërkombëtar në Greqi. Ndërsa Luiza e ka thyer dje gjatë garës së Kupës së Shqipërisë, duke vendosur një rekord të ri me 33 minuta e 31 sekonda. Kësisoj, kjo atlete po vazhdon të tregojë se është një nga më të mirat të historisë të këtij sporti në Shqipëri. Për kujtesë, Luiza e kishte thyer më parë një rekord tjetër kombëtar që mbahej nga atletja Anila Kasati, atë të garës së 5 mijë metrave. Gjithsesi, me rekordet e njëpasnjëshme që po thyen, atletja Luiza Gega, po bëhet një “libër rekordesh” më vete, duke shkruar një histori që atletika shqiptare e meriton të nderohet.
Sigal