Dëmtimi i frikshëm, Firmino: Mendova se do verbohesha

539
Sigal

Një ndërhyrje tepër e rrezikshme ndonëse e pa qëllimtë është ajo që mbrojtësi i Tottenham, Jan Vertonghen, kreu ndaj sulmuesit brazilian të Liverpool, Roberto Firmino. Në përpjekje për të marrë topin, gishti i Vertonghen u fut në syrin e Firmino duke bërë që ai të humbte përkohësisht shikimin. Kjo është konfirmuar edhe nga vetë Firmino, i cili shprehet se ishte i frikësuar se mos do ta humbiste fare shikimin nga njërë sy.

Fatmirësisht ka qenë ndërhyrja e mjekëve që kanë bërë të mundur që gjendja e tij të përmirësohet ndërsa sulmuesi brazilian u kthye ndeshjen e radhës në fushë, teksa ndihej i qetë se syri i tij po kthehej në normalitet.

“Frikësohesha se mund të më verbërohej njëri sy dhe se nuk do të isha në gjendje të shihja përsëri. Falënderoj Zotin që nuk ndodhi asgjë dhe jam përmisuar”, është shprehur Firmino për mediat, ndërsa shton:

“Tani gjithçka është shumë më mirë. Dhimbja ka kaluar dhe unë nuk ndiej më asgjë. Është ende pak e skuqur, por shpresoj që kjo të ndryshojë me kalimin e kohës. Sigurisht, po vazhdoj të përdor mjekimet dhe përkujdesem për syrin. Sytë janë shumë të rëndësishëm për një futbollist profesionist. Isha i frikësuar, por dhimbja kaloi pasi mjeku më dha një ilaç për dhimbjet dhe gjendja ime u përmirësua. Kur ndodhi incidenti, gjithçka ishte e turbullt dhe nuk mund të shihja nga syri im i majtë”.