De Biazi, trajneri i një skuadre të mbushur me “rebelë” dhe të “djegur”

471
Xhani De Biazi nuk do të mbahet mend vetëm si trajneri që arriti të kualifikonte për herë të parë Shqipërinë në një eveniment të rëndësishëm si kampionati europian, por edhe si tekniku që punoi me dorë të hekurt për të ndërtuar një ekip të fortë për të synuar objektiva madhore. Ai e mori drejtimin e Kombëtares shqiptare me ide të qarta dhe plan konkret, diçka që në këtë kohë duket se nuk ekziston.
Por kjo pak rëndësi ka në këtë analizë të bërë për futbollistët që patën një shans nga trajneri, ndërsa sot nuk janë më pjesë e Kombëtares shqiptare. De Biazi fillimisht grumbulloi sa më shumë lojtarë që ishte e mundur duke parë origjinën e tyre dhe shanset që kishin për të luajtur me Shqipërinë, por të tjerë i gjeti aty (Ujkani). Pasi u jepte një mundësi për të treguar vlerat në fushë, por mbi të gjitha jashtë saj, ai vendoste nëse ata do të ishin pjesë e projektit të tij apo jo.
Shumë futbollistë ia dolën të mbijetonin edhe me rregullat strikte të trajnerit De Biazi, ndërsa me kalimin e kohës nisën “xixat” e para me mosgrumbullimin, mosaktivizimin. I fundit në listë është Taulant Xhaka, i cili bëri me dije se sa të jetë De Biazi në krye të Kombëtares nuk do të jetë më pjesë e kuqezinjve. I zhgënjyer për faktin që nuk u aktivizua me Italinë, ai braktisi ekipin pa u kthyer në Shqipëri, edhe pse fillimisht nga stafi u mohua kjo gjë.

NJË SKUADËR
Mirëpo, Xhaka nuk është i vetmi. “Panorama Sport” sjell një formacion të tërë që është skarcuar apo “djegur” siç quhet në gjuhën popullore të futbollit. Disa prej tyre aktualisht janë pjesë e Kosovës dhe historitë e krisjes që patën me trajnerin De Biazi janë të njohura. Ujkani dhe Meha nuk e kalonin “klasën”, ndërsa Rrahmani, Shala dhe Rashica vendosën të iknin nga Kombëtarja për shkak se nuk morën ftesën për në Europian nga trajneri.
Për arsye disiplinore dhe të pakënaqur nga aktivizimi u larguan Kaçe dhe Xhaka, ndërsa Aliti pati pak shanse dhe nuk u grumbullua më. E njëjta gjë ndodhi edhe me Loret Sadikun dhe Jurgen Gjasulën, ndërsa “bomberi” Hamdi Salihi pati një “luftë” në distancë me De Biazin për faktin se nuk mori një ftesë për të kryer grumbullimin paraprak përpara nisjes në Francë.

Edhe lojtarët e tjerë kanë pasur replika dhe diskutime të ashpra për mënyrën se si janë larguar nga ekipi kuqezi, ndërsa diçka e tillë nuk e ka favorizuar aspak ecurinë e Kombëtares. 11 futbollistë që janë larguar do të thotë më pak konkurrencë në skuadër, edhe pse emrat aktualë nuk mungojnë. Po nëse “rebelët” që De Biazi ka “përjashtuar” me stil do t’i kërkonin një ndeshje me ekipin që drejton aktualisht, vallë kush do ta fitonte sfidën?!

AVDIJAJ
Një tjetër lojtar që pa dyshim mund të ishte titullar tek ata që De Biazi nuk i mori në Kombëtare është Donis Avdijaj. Ndryshimi i vetëm është që ai nuk u provua asnjëherë me fanellën kuqezi dhe trajneri po e vononte ftesën për të. Në këtë mënyrë, ai vendosi të luante me Kosovën.

Manaj dhe Gashi drejt… formacionit
Përveç 11 lojtarëve të përfshirë në formacionin e bërë nga “Panorama Sport”, të cilët kanë pasur diskutime dhe përplasje me trajnerin De Biazi, ka edhe të tjerë. Dy prej tyre janë Rei Manaj dhe Shkëlzen Gashi. I pari ka pasur një përplasje me teknikun italian në kohën kur ishte tek Interi dhe priste një ftesë për në Kombëtare.
Trajneri tha se Manaj i kishte dërguar mesazhe që ta grumbullonte, ndërsa lojtari e mohoi diçka të tillë. Megjithatë, mes tyre duket se u sheshua gjithçka, por raporti ka qenë gjithmonë problematik. Misterioz është edhe rasti i Gashit në kohët e fundit. Trajneri nuk jep shpjegime specifike pse nuk e grumbullon.
Sigal